Jo Murray, nga Sidnei, Australi, së pari vuri re se ajo kishte një dhimbje të fytit në fund të vitit 2019, por më pas zbuloi edhe një gungë.
Në fillim, mjeku i saj hodhi poshtë shqetësimet e saj, por ajo kërkoi t’i bëheshin analiza sepse kishte një ndjenjë se diçka nuk ishte në rregull, shkruan Metro.co.uk.
Mjerisht, rezultatet zbuluan se ajo kishte kancer në bajamet e saj, në bazën e gjuhës dhe në nyjën limfatike të majtë që ishin shkaktuar nga HPV, virusi i papillomës njerëzore.
‘Kam lexuar për HPV më pas dhe zbulova se njerëzit nuk flasin për këtë sepse transmetohet seksualisht,” tha Jo.
HPV është një infeksion seksualisht i transmetueshëm që është shumë i zakonshëm. Zakonisht, nuk tregon simptoma dhe zhduket vetvetiu, por është përgjegjës për pothuajse të gjitha rastet e kancerit të qafës së mitrës dhe 60 përqind të kancerit të fytit.
Kur mjeku i parë i tha asaj se ajo thjesht po ‘luftonte një infeksion’, Jo thotë se ndihej vërtet e zemëruar. “Isha e pasigurt sepse, thjesht e dija që nuk ishte një infeksion dhe e dija që diçka nuk ishte në rregull”, shtoi ajo. Kur mori diagnozën, ajo u mbyt plotësisht nga frika dhe emocionet.
Fatmirësisht, Jo tani është mirë dhe misioni i saj është të përhapë ndërgjegjësimin për rreziqet e kancerit që lidhen me HPV dhe të inkurajojë më shumë njerëz të flasin për të.