Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Izrael, ku mjekët zbuluan një embrion në stomakun e një bebeje të porsalindur, një rast tepër i rrallë që habiti stafin mjekësor.
Mësohet se bebja me embrionin në bark ka lindur në fillim të muajit korrik, në spitalin Assuta Medical Center. Raste të tilla të quajtura "fetus in fetu' ndodhin 1 herë në 500,000 lindje.
Kontrollet dhe analizat në muajt e fundit të shtatëzanisë kishin identifikuar që stomaku i bebes ishte i zmadhuar. Pasi lindi mjekët kuptuan që foshnja kishte diçka në stomak .
Duke bërë analizat dhe ekzaminimet e duhura mjekët ngelën të habitur nga diagnoza.
Menjëherë, ekipi me grupin e mjekëve specialistë kryen ndërhyrje kirurgjikale për të hequr embrionin nga barku i foshnjës. Operacioni rezultoi i suksesshëm dhe bebja gëzon shëndet të mirë.
Mjekët thanë se embrioni nuk ishte plotësisht i zhvilluar. Bebja dhe nëna e saj, e cila ka dhe tre fëmijë të tjerë, tashmë janë larguar nga spitali dhe ndodhen në shtëpi.