Skeleti më i madh i triceratopsit në botë, i njohur si "Big John", është shitur për 6.6 milionë euro të enjten tek një koleksionist privat në një shtëpi ankandi në Paris.
Skeleti i cili vlerësohet të jetë i vjetër mbi 66 milionë vjet, ishte gjetur në vitin 2014m në Dakotën Jugore. Triceratopsi është i njohur për tre brirët e tij në kokë.
Big John, i emëruar sipas pronarit të vendit ku është gjetur skeleti, është certifikuar nga “Guinness” si skeleti më i madh i dokumentuar i një triceratopsi.
Dinosauri ka ngordhur në një fushë përmbytjeje të lashtë në kontinentin e ishullit që shtrihej nga Alaska e sotme në Meksikë, duke lejuar ruajtjen e skeletit të tij në baltë.
Skeleti është i gjatë 7,15 metra ndërkohë që ka një lartësi prej 2,7 metrash nga toka. Kafka e tij përfaqëson më shumë se një të tretën e gjatësisë totale, derisa dy prej brirëve janë të gjatë mbi 1,1 metër.
Vitin e kaluar, skeleti i dinosaurit Tyrannosaurus rex kishte arritur të shitej për plot 32 milionë dollarë në New York, duke u bërë kështu skeleti i shitur më së shtrenjti ndonjëherë i një dinosauri.
Ndërkohë, Big John i është shitur një blerësi amerikan, i cili ka kërkuar që të mbetet anonim.