Një brazilian, i cili besohej se ishte njeriu më i vjetër në botë, ka vdekur një javë para ditëlindjes së tij të 128-të. José Paulino Gómez vdiq të premten më 28 korrik, një javë para se të mbushte 128 vjeç, në shtëpinë e tij në Pedro Bonita.
Familja tha se Gomez vdiq nga mosfunksionimi i organeve, si rezultat i moshës së tij të madhe. Sipas një certifikate martese të vitit 1917, Gomez ka lindur më 4 gusht 1895, që do të thotë se ai i mbijetoi të dy luftërave botërore dhe tre pandemive.
Willian José Rodríguez de Souza, një avokat në zyrën lokale të gjendjes civile, konfirmoi se mosha e Gomez ishte e saktë dhe se ai kishte lindur para vitit 1900. Megjithatë, familja e tij nuk është plotësisht e sigurt për moshën e tij të saktë, duke thënë se ka pasur disa raste që dokumentacioni ka qenë i pasaktë.
“Ka një fqinj që është 98 vjeç. Ajo thotë se e ka njohur kur ishte djalë. Kur e dëgjuam këtë, vendosëm të përcaktojmë moshën e tij dhe të shohim se çfarë është e saktë”, tha mbesa e Gomez, Eliana Ferreira për mediat lokale.
Është konstatuar se i moshuari duhet të ketë qenë mbi 100 vjeç, të paktën 110. Megjithatë, numri zyrtar do të bëhet i ditur vetëm kur të marrin certifikatën e vdekjes.
Gomez nuk hyri në listën e rekordeve botërore Guinness, pasi sipas rekordeve të tyre, personi më i vjetër në botë është 116-vjeçarja Maria Branias Morera nga Spanja. Ajo lindi më 4 mars 1907.