Shkencëtarët: Uji i nxehtë në oqeane po vret gjallesat!

Ndryshe

Shkencëtarët: Uji i nxehtë në oqeane po vret gjallesat!

Më: 20 gusht 2023 Në ora: 23:14
Foto ilustrim

“El Nino” ka sjellë temperatura shumë të larta këtë verë, e bashkë me to dhe shumë pasoja. Së fundmi shkencëtarët janë të shqetësuar se një zgjatje në kohë e këtij fenomeni do të bëjë që të ketë shifra masive të vdekjeve për jetën detare. Është vënë re që në brigjet e Anglisë dhe të Irlandës temperaturat janë 5 gradë mbi normalen.

“The Guardian” shkruan se siç rrezikohen kafshët dhe pemët nga zjarret në pyll ashtu edhe gjallesat në ujë.

Temperaturat e oqeaneve kanë pasur një tendencë në rritje tre dekadat e fundit.

“Valët e nxehtësisë detare po rriten në Atlantikun verior, kjo s’kishte ndodhur më parë”, deklaron profesoresha e Universitetit të Bristolit Daniela Schmidt për “The Guardian”.

Meqenëse uji mbulon më shumë se 70% të sipërfaqes së Tokës, oqeani kap shumë energji diellore. Deti mund ta lëvizë atë nxehtësi rreth globit si pjesë e ekuilibrit natyror të klimës. Ekspertët paralajmërojnë se më shumë se 90% e nxehtësisë së tepërt absorbohet në oqeane.

“Nxehtësia shkakton vdekje masive të bimëve dhe kafshëve, humbje në peshkim dhe shkatërrim të habitatit”, thonë shkencëtarët. Përshembull leshterikët të cilët ruajnë karbonin apo peshqit janë specie që po monitorohen vazhdimisht pasi gjendja e tyre mund të përkeqësohet. Besohet se edhe thatësirat apo përmbytjet po vijnë si pasojë e ngrohjes së tepërt të oqeaneve.

Piers Forster, një profesor i fizikës klimatike në Universitetin e Leeds, i tha “The Guardian” se ngrohja “e shkaktuar nga njeriu” është një problem prioritar. Pra, përpjekjet për të reduktuar ndotjen e ajrit janë çelësi për ftohjen e ujërave tona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat