Memet më të famshme të internetit mbajnë fytyrën e tij qesharake dhe do të vijojnë për një kohë të gjatë.
Por Cheems, qeni, më i njohur i rrjeteve sociale ka ngordhur.
Qeni i racës japoneze “Shiba Inu” prej vitit 2017 i kishte bërë përdoruesit e internetit të dashuroheshin me fytyrën e tij të lezetshme dhe ekstravagante, por edhe për faktin se është simboli i kriptomonedhës me të njëjtin emër.
I njohur ndryshe si Ball Ball, qeni ishte 12 vjeç dhe prej disa kohësh vuante nga probleme shëndetësore. Beteja e qenushit me sëmundjen u tregua për fansat nga pronarët e tij në llogarinë e Instagrami të krijuar posaçërisht për Cheems, e cila ka më shumë se 800,000 ndjekës.
Edhe njoftimi për ngordhjen e tij është bërë po aty, në një postim që ka marrë më shumë se 900 mijë pëlqime dhe mbi 30 mijë komente.
“Ball Ball u shua të premten në mëngjes gjatë operacionit të tij të fundit. Ne donim të organizonim kimioterapi apo trajtime të tjera të mundshme pas këtij operacioni, por tani është tepër vonë. Mos u trishtoni. Mos harroni gëzimin që Ball Ball i ka sjellë botës. Një Shiba Inu me një fytyrë të rrumbullakët dhe të qeshur që na ka lejuar të lidhemi, që ka ndihmuar shumë njerëz gjatë pandemisë dhe ka sjellë shumë gëzim për shumë prej jush”, shkruajnë pronarët e Cheems.
Në fund ata sqarojnë se donacionet e bëra për faturat mjekësore të qenit tani do të dhurohen për bamirësi për kafshët e tjera në nevojë.