Maria Branyas, spanjolle e lindur në Amerikë, që konsiderohej personi më i moshuar në botë, ka vdekur në moshën 117 vjeç.
“Maria Branyas na ka lënë. Ajo ka shkuar ashtu si ka dashur: në gjumë, në paqe dhe pa dhimbje”, ka shkruar familja e saj.
Grupi kërkimor “Gerontology”, që grumbullon të dhëna për njerëzit që janë mbi 110-vjeçarë, e ka listuar Branyasin si personin më të vjetër në botë pas vdekjes së murgeshës franceze Lucile Randon vitin e kaluar.
Personi në radhë më i moshuari sipas këtij grupi është japonezja Tomiko Itooka, 116 vjeç.
Branyas ka lindur në San Francisco më 4 mars 1907. Pasi jetoi për disa vjet në New Orleans, familja e saj u rikthye në Spanjë derisa ajo ishte ende e vogël.
Në moshën 113-vjeçare Branyas rezultoi pozitiv në testin për COVID-19, por nuk pati simptoma të rënda.