Njerëzit mund të shkojnë në Mars brenda katër vitesh nëse vizioni i CEO-s së SpaceX, Elon Musk bëhet realitet. Ai shtoi se SpaceX do të ulet në planetin e kuq në dy vitet e ardhshme, një qëllim ambicioz për kompaninë e eksplorimit të hapësirës.
Musk shkroi në platformën X se “anijet e para në Mars do të nisin brenda 2 vitesh, kur të hapet dritarja e ardhshme e transferimit Tokë-Mars”.
Misioni do të jetë pa ekuipazh dhe ka për qëllim “të testojë besueshmërinë e uljes në Mars. “Nëse ato ulje shkojnë mirë, atëherë fluturimet e para me ekuipazh në Mars do të jenë pas 4 vjetësh”, shtoi Musk.
SpaceX gjithmonë ka planifikuar të shkojë në Mars, por afati kohor i ri mund të duket tepër ambicioz. Misioni Polaris Dawn i SpaceX, ecja e parë private në hapësirë, ishte menduar të nisej muajin e kaluar, por është përballur me disa vonesa kohët e fundit, duke përfshirë një rrjedhje në pajisje. Ky mision, megjithëse i rrezikshëm, nuk është aq sa një ulje në Mars.
Musk pretendon se sapo SpaceX të jetë në gjendje të ulet në planetin e kuq, “shkalla e fluturimeve do të rritet në mënyrë eksponenciale, me synimin për të ndërtuar një qytet që të funksionojë pa pasur nevojë për ndihmë të jashtme në rreth 20 vjet”.
“Të qenit multiplanetar do të rrisë shumë jetëgjatësinë e mundshme të ndërgjegjes,” u shpreh Musk.