Këmishat e kirurgëve dhe infermierëve janë jeshile sepse ato duhet të bëjnë dallimin me ngjyrën e kuqe të gjakut, shkruan focus.it. Në fakt, e kuqja është një ngjyrë që bie në sy. Kjo ngjyrë bën dallimin në retinën e syrit për një kohë të gjatë.
Dhe në fakt vëmendja e trurit magnetizohet nga kjo ngjyrë e cila, pikërisht për këtë arsye, nga shumë kultura është konsideruar e rëndësishme dhe autoritare.
Nuk është rastësi që e kuqja është ngjyra e semaforëve apo e ndonjë sinjali tjetër që duhet të tërheqë vëmendjen, por edhe ajo e mantelit të kardinalëve dhe mbretërve.
Ndryshe nga e kuqja, jeshilja fokusohet nga thjerrëzat e syrit drejt e në retinë pa ndonjë përpjekje të veçantë.
Prandaj jeshilja është një ngjyrë që nuk i lodh sytë. Në sallat e operacionit, përparëset e kirurgëve dhe infermierëve dhe çarçafët që mbulojnë pacientët, janë të gjelbra pikërisht sepse bëjnë që të zhduket ai imazhi i mbetur i krijuar nga gjaku i kuq në retinë.
Nëse do të përdoreshin pëlhura të bardha, sanitarët do të vazhdonin të shihnin me këmbëngulje njollat e gjakut edhe kur i hiqnin sytë nga plaga. Dhe ky çrregullim do t’ua lodhte punën. E bardha, një tregues i pastërtisë, është e rezervuar për infermierët.