Kush është specia më e studiuar e majmunëve që u dërguan në hapësirë?

Ndryshe

Kush është specia më e studiuar e majmunëve që u dërguan në hapësirë?

Më: 10 nëntor 2024 Në ora: 20:57
Një majmun i llojit 'rhesus macaque' në Qendrën Kombëtare për Kërkime, 14 maj 2021 (REUTERS/Kathleen Flynn)

43 majmunë të species që njihet si “rhesus macaque”, të cilët gabimisht dolën nga një laborator në Karolinën e Jugut këtë javë, janë ndër kafshët më të studiuara në planet. Hulumtimet mbi njëshekullore të kësaj specie kanë ofruar një pasqyrë për njerëzimin, duke zbuluar pikat e forta dhe të dobëta tek njeriu përmes sjelljeve të tyre, studimit të organeve dhe kodit gjenetik.

Ky lloj i majmunëve janë dërguar në hapësirë me raketa. Ata madje kanë qenë yje të një emisioni televiziv.

Organizatat që mbrojnë të drejtat e kafshëve theksojnë se ky lloj i majmunëve i janë nënshtruar studimeve mbi vaksinat, transplantimin e organeve dhe ndikimin që ka ndarja e foshnjës nga nëna. Në të njëjtën kohë, shumë shkencëtarë theksojnë rëndësinë e studimeve që janë bërë me këtë specie majmuni për të luftuar SIDË-n, poliomielitin dhe COVID-19.

Në vitin 2003, mungesa e këtij lloji majmunësh rrezikoi ngadalësimin e vazhdimit të studimeve shkencore. Shkencëtarët paguanin deri në 10,000 dollarë për një majmun të këtij lloji, për të vazhduar hulumtimet.

“Çdo universitet i madh amerikan, që zhvillon kërkime shkencore, ka të ngjarë të ketë disa majmunë ‘rhesus macaque’ në qendrën e shkollës së tij mjekësore”, sipas librit “Macachiavellian Intelligence: How Rhesus Macaques and Humans Have Conquered the World” të botuar në vitin 2007.

“Ushtria amerikane dhe NASA gjithashtu zhvillojnë hulumtime me majmunë të këtij lloji”, shkroi autori i librit, Dario Maestripieri, shkencëtar në Universitetin e Çikagos.

“Për vite me radhë, ushtria dhe NASA i stërvitën majmunët në lojëra elektronike për të parë nëse mund të mësonin të drejtonin aeroplanë dhe lëshonin raketa”.

Hulumtimet filluan në vitet 1890

Njerëzit e kanë përdorur specien ‘rhesus macaque’ për kërkime shkencore që nga fundi i viteve 1800, kur teoria e evolucionit filloi të pranohet më shumë, sipas një punimi kërkimor të vitit 2022 nga revista “eLife”.

Studimi i parë mbi këtë lloj majmuni u botua në vitin 1893 ku përshkruhet “anatomia e shtatzënisë së avancuar”, sipas gazetës “eLife”.

Deri në vitin 1925, Instituti i Shkencave ‘Carnegie’ kishte krijuar një grup të madh të majmunëve për të studiuar embriologjinë dhe pjellorinë për këtë specie që ishte e ngjashme me njeriun.

Një arsye e rritjes së popullaritetit të kësaj specie ishte numri i lartë i tyre.

“Tjetër arsye është se ‘rhesus macaque’ janë një specie mjaft e fortë”, thotë Eve Cooper, autore e studimit që u publikua në revistën ‘eLife’ dhe profesore biologjie në Universitetin e Kolorados në Boulder. “Ata mund të jetojnë dhe të shumohen në kushte që nuk janë të vështira për t’u mirëmbajtur”

NASA dhe vaksina kundër poliomielitit

Në vitet 1950, veshkat e këtij lloji të majmunit u përdorën për të bërë vaksinën kundër poliomielitit, Salk. NASA gjithashtu i përdori kafshët gjatë garës hapësinore, siç e thotë edhe një histori e shkurtër mbi majmunët në hapësirë që gjendet në faqen e internetit të agjencisë.

Për shembull, një majmun i species ‘rhesus macaque’ i gjinisë femërore e quajtur ‘Miss Sam’, në vitin 1960 u vendos në anijen hapësinore ‘Mercury’ që arriti shpejtësinë prej 1,900 kilometrash në orë dhe një lartësi prej 14.5 kilometrash. ‘Miss Sam’ u kthye në tokë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Ajo u kthye në koloninë e saj të trajnimit ku jetoi deri në vdekjen e saj”, shkruan NASA.

Harta e kodit gjenetik

Në vitin 2007, shkencëtarët zbuluan se ADN-ja e species ‘rhesus macaque’ ishte rreth 93% e ngjashme me atë të njeriut.

Për krahasim, njeriu dhe shimpanzeja evoluan veçmas që nga ndarja një paraardhës i përbashkët rreth 6 milionë vjet më parë, por kodi i tyre gjenetik ka një ngjashmëri prej rreth 99%.

Krijimi i hartës së kodit gjenetik njerëzor në vitin 2001 shtoi përpjekjet për të deshifruar në mënyrë të ngjashme ADN-në e kafshëve të tjera.

“Ata janë shumë të zgjuar”

Për ata që kanë studiuar sjelljen e species ‘rhesus macaque’, konkluzuini është po aq interesant.

“Ata kanë disa ngjashmëri të habitshme me njeriun për sa i përket inteligjencës së tyre sociale”, thotë Dario Maestripieri, profesor në Universitetin e Çikagos, i cili shkroi një libër mbi këtë specie majmunësh.

Për shembull, ata janë shumë të orientuar nga familja, duke mbështetur të afërmit e familjes kur shpërthejnë zënkat, tha ai për agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’, të premten. “Ata gjithashtu rekrutojnë aleatë kur sulmohen”.

“Ata janë shumë politikë” tha profesoi Maestripieri. “Pjesën më të madhe të jetës së tyre të përditshme e kalojnë në thurjen e aleancave politike me njëri-tjetrin”.

Zoti Maestripieri ishte konsulent i një emisioni televiziv në Indi të quajtur “Monkey Thieves”.

“Ata filluan të gjurmonin grupe të mëdha të species ‘rhesus macaque’ dhe t’u vinin emrin”, tha profesori Maestripieri. “Ishte gjë e bukur sepse këta majmunë herë pas here sillen si njerëz . Kështu që është magjepsëse të ndjekësh historitë e tyre.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat