Festat e Dritave në Tajlandë janë padyshim ndër më të bukurat dhe sugjestionuesit në botë, për ta perjetuar të paktën njëherë në jetë.
Festivali i Lanternave, i ndarë në dy pjesë, Yi Peng dhe Loy Krathong, janë festime lokale tradicionale religjoze dhe celebrohen në Nëntor, në natën e hënës së plotë të 12-të, pra të fundit të vitit, sipas kalendarit Thai.
Këtë vit këto festa përkuan me datat 14-16 Nëntor, ku festimet si gjithmonë ishin shumëngjyrëshe dhe plot emocion.
Ndryshimi i dy festave qëndron në modalitetin e lëshimit të lanternave, fenerë prej letre në brendësi të të cilëve ndizen qirinj, pasi në rastin e Yi Peng këto lëshohen në qiell, ndërsa në Loy Krathong, lihen të lundrojnë në rrjedhë të ujit.
Festa Yi Peng që ndryshe njihet edhe si festa e dritave valëzuese, celebrohet çdo vit në veri të Tailandës, aty ku dikur ngrihej mbretëria Lanna. Yi do të thote “dy”, ndërsa Peng “dita e hënës së plotë”.
Origjina e kësaj feste është e lidhur me kulturën Buddiste, ku sipas legjendës ne Indi, një zog i ishte afruar Budas, duke i dhuruar një qiri.
Celebrimet vijojnë ende sot, me nderime për Budën, dhe ajo që e bën kaq të veçantë janë pikërisht mijëra llampa letre me qirinj brenda që lihen të ngrihen në qiellin e natës, duke krijuar një spektakël dritash të ngrohta vërtetë në kufijtë e magjisë.
Quhen “Khom loy” dhe simbolizojnë Aktin e Purifikimit në aktin e lëshimit, për të pritur fatin e mbarë pergjatë Vitit të Ri.
Sipas ritualit, para se flakës në brendësi të fenerit prej letre, shprehet një dëshire dhe recitohet një lutje e shkurtër, që shërben si mbarësi e prosperitet për të ardhmen, duke hedhur pas krahëve të gjithë energjitë negative.
Në ditë para mbrëmjes së madhe të festivalit të dritave, rrugët, shtëpitë, tempujt zbukurohen të gjithë me fenerë shumëngjyrësh e forma të ndryshme, duke krijuar një atmosferë të gëzueshme e mjaft të bukur.
Ndërsa Fetivali Loy Krathong celebrohet prej të pakten 800 vjetësh në të gjithë Tajlandën, në Sri Lanka, Kinë, Myanmar, në nder të Budas dhe Hyjnive të Ujit. Nëse në të parin dritat fluturojnë në qiell, në të lëshohen në ujë, në lumenj, liqene e rrëke.
Krathong, nga emri, janë varka të vogla në formën e luleve të lotusit, që krijohen me gjethe të pemës së bananes, dhe dekorohen me lule, incense, qirinj të ndezur dhe monedha.
Edhe në këtë ritual, para lëshimit në rrjedhen e ujit, shprehet një dëshirë dhe lihen pas të këqijat të mbledhura gjatë vitit, për të pritur energjitë e begatisë e dashurisë së vitit të ri që do mbërrijë.
Këto festa tradicionale mbledhin çdo vit mijëra turistë, dhe kanë një impakt shumë të fortë skenografik, ne qiell e ujë, por dhe ajri i mbushur me aroma të ndryshme incensesh, duke e bërë një ekpseriencë mjaft emocionuese.
Të dyja festat përjetohen si ceremoni mjaft të rëndësishme me vlera të lashta popullore, me urtësinë karakterizuese të kulturës aziatike.