​Zbulohet bota e humbur 280 milionë vjeçare në Itali

Ndryshe

​Zbulohet bota e humbur 280 milionë vjeçare në Itali

Më: 22 nëntor 2024 Në ora: 22:49
Ilustrim

Një botë e humbur 280 milionë vjeçare u zbulua aksidentalisht nga një grua gjatë ecjes në Alpet italiane.

Claudia Steffensen dhe bashkëshorti i saj ishin duke ecur përgjatë një shtegu në parkun e maleve Valtellina Orobie në Lombardi në vitin 2023, kur ajo vuri re një shkëmb gri të hapur të mbuluar me "dizajnë të çuditshëm", të cilët ishin në të vërtetë gjurmë kafshësh.

Steffensen ua dërgoi fotografitë një ekipi hulumtues, i cili përcaktoi se gjurmët i përkisnin një zvarraniku parahistorik që endej në Tokë gjatë periudhës Permian, epoka menjëherë para dinozaurëve.

Hulumtimi i mëtejshëm në rajon çoi paleontologët në qindra gjurmë të tjera fosilesh nga të paktën pesë lloje zvarranikësh, amfibësh dhe insektesh antike.

Megjithëse këto kafshë ishin para dinozaurëve, disa duhej të kishin përmasa të konsiderueshme midis 6 dhe 12 metra të gjata, thanë studiuesit në deklaratë.

Ekipi zbuloi gjithashtu gjurmë të fosileve të bimëve duke përfshirë gjurmë farash, gjethesh dhe kërcejsh së bashku me gjurmët e pikave të shiut dhe valëve në brigjet e një liqeni parahistorik.

Bashkë-studiuesi dhe specialisti i gjurmëve të fosileve Lorenzo Marchetti nga Muzeu i Historisë Natyrore në Berlin tha se gjurmët ishin ruajtur në detaje 'mbresëlënëse', madje deri në 'gjurmët e thonjve dhe lëkurës së disa kafshëve’.

Detajet e shkëlqyera dhe ruajtja e jashtëzakonshme e këtyre fosileve i detyrohen afërsisë së tyre të kaluar me ujin, shpjeguan studiuesit. Paleontologët identifikuan gjithashtu shenja dhe modele të kthetrave nga pjesa e poshtme e barkut të kafshëve.

"Gjurmët u bënë kur këta gurë ranorë dhe rreshpe ishin ende rërë dhe baltë të njomur në ujë në skajet e lumenjve dhe liqeneve, të cilat në mënyrë periodike, sipas stinëve, thaheshin," tha bashkë-studiuesi dhe paleontologu Ausonio Ronchi pranë Universitetit Pavia në deklaratë.

“Dielli i verës, duke i tharë ato sipërfaqe, i ngurtësoi ato deri në atë pikë sa kthimi i ujit të ri nuk i fshiu gjurmët, por përkundrazi i mbuloi me argjilë të re, duke formuar një shtresë mbrojtëse”, shtoi Ronchi.

Periudha Permian zgjati nga 299 milionë në 252 milionë vjet më parë. Gjatë kësaj kohe, klima globale u ngroh me shpejtësi, duke çuar në zhdukje masive të 90 për qind të specieve të Tokës.

Ngrohja globale e ditëve moderne bëri të mundur zbulimin e këtij ekosistemi të lashtë alpin, pasi fosilet ishin fshehur nën shtresat e borës që janë shkrirë ndërsa klima e Tokës po ngrohet.

“Zbulimi në luginën Ambria është gjithashtu një efekt i ndryshimit të klimës”, tha për Guardian Doriano Codega, president i parkut natyror Valtellina Orobie.

Këto relikte u gjetën në nivele shumë të larta dhe ishin të ruajtura shumë mirë. Kjo është një zonë që i nënshtrohet rrëshqitjeve të dheut, ndaj ka pasur edhe shkëputje shkëmbinjsh që kanë nxjerrë në dritë këto fosile.

Qe nga viti 1850, ndryshimi i klimës ka bërë që akullnajat në Alpe të humbasin midis 30 dhe 40 për qind të sipërfaqes dhe gjysmën e vëllimit të tyre, me një humbje shtesë prej 10-20 për qind qe nga viti 1980, sipas CREA Mont-Blanc Research.

Zbulimi i këtyre fosileve ofron një dritare në një ekosistem të lashtë të shkatërruar nga rritja ekstreme e temperaturës globale e ngjashme me atë të sotme.

“E kaluara ka shumë për të na mësuar, se çfarë rrezikojmë ta fusim botën tani," thanë studiuesit.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat