Një i ri nga Iowa e ShBA-së fitoi çmimin prej 25 mijë dollarësh në lotari pasi ndaloi për të blerë lule në përkujtim të përvjetorit të vdekjes së gjyshit të tij.
Myles Jones, 21-vjeçar nga Washingtoni, i tha autoriteteve të Lotarisë së Iowas se kishte ndaluar në një dyqan për të blerë lule për nënën, xhaxhanë dhe gjyshen e tij, në shenjë nderimi për gjyshin që kishte ndërruar jetë tre vjet më parë.
Pas blerjes së një bilete të lotarisë X-tra Bingo, Jones shpërtheu nga befasia kur zbuloi se kishte fituar 25 mijë dollarë.
“Më dukej si një shaka”, tha ai. Myles beson se është gjyshi i tij që e ka ndihmuar të fitojë këtë çmim.
Ai ka ndërmend t’i përdorë paratë për të shlyer borxhin e tij studentor.