Nuk i dhanë vajzës diabetike insulinën për një javë, burgosen prindërit australian

Ndryshe

Nuk i dhanë vajzës diabetike insulinën për një javë, burgosen prindërit australian

Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 17:30
Foto ilustrim

Prindërit e një vajze tetëvjeçare me diabet në Australi, e cila vdiq pasi iu mohuan injeksionet me insulinë për gati një javë, janë dënuar me nga 14 vjet burg për vrasje pa dashje, shkruan BBC News.

Elizabeth Struhs u diagnostikua me diabet tip 1 në vitin 2019 dhe iu tha se do t’i duhej insulina çdo ditë. Prindërit e saj, anëtarë të një sekti fetar të njohur si "Shenjtorët", kundërshtonin kujdesin mjekësor dhe besonin se Zoti do ta shëronte.

Ajo vdiq nga acidoza diabetike, një gjendje që shkakton një grumbullim të rrezikshëm të ketoneve dhe ngritje të nivelit të sheqerit në gjak, në shtëpinë e saj në Toowoomba, në perëndim të Brisbane në janar 2022, shkruan BBC.

Gjatë shpalljes së dënimit, gjykatësi Martin Burns tha se, megjithëse prindërit dhe anëtarët e kishës e donin shumë Elizabeth, veprimet e tyre çuan në vdekjen e saj.

Ajo do të kishte përjetuar të vjella, letargji ekstreme dhe humbje të vetëdijes për shkak të mungesës së kujdesit mjekësor, tha prokurorja Caroline Marco gjatë gjyqit, i cili zgjati disa muaj dhe u dëgjua nga një gjykatës që ishte i vetëm pa një juri.

Prokurorët thirrën 60 dëshmitarë dhe përshkruan një imazh të një fëmije "inteligjent" që vuajti shumë në ditët e fundit të saj.

Grupi fetar ishin lutur dhe kishin kënduar për të, duke shpresuar se mund ta ringjallnin, pa bërë asnjë përpjekje për të thirrur një mjek, ndërsa autoritetet nuk u njoftuan deri 36 orë pas vdekjes së saj. Prindi i saj, Jason Struhs, kishte thënë më parë në gjykatë: "Elizabeth po fle, dhe do ta shoh përsëri".

Sekti fetar, që ka rreth dy duzina anëtarë nga tre familje, nuk është i lidhur me ndonjë kishë të njohur në Australi dhe ka besime të forta kundër kujdesit standard mjekësor, duke i konsideruar festat si Krishtlindjet dhe Pashkët si "pagane".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat