Zbardhja e dosjes Tropoja çliron nga pengu drejtesinë, paqen sociale, demokracinë dhe të ardhmen
Viti i zi 1997-të, i cili na kujton vitin e mbrapshtë të Kadaresë, kur bandat e Haxhi Qamilit të frymëzuara nga Kleriku fondamentalist e filoturk Musa Qazimi e të sponsorizuara me paratë e sherbimeve të fshehta serbo- turko- greke me parullën "duam babën" sulltanin i vunë zjarrin Shqipërisë.
Përzgjedhja e Malësisë së Gjakovës "Tropojës", vrasjet mafioze që u përdorën për realizimin e tyre që nga kallashët, mitrolozat e rendë, snajperët e deri tek tritolet e minat c/4, mjete që i disponon vetëm ushtria e forcat elitare të policisë nxjerrin në dritë faktet kokëforta se kjo kryqëzatë kriminale është dirigjuar e sponsorizuar nga sherbimet sekrete të armiqëve të Shqipërisë në sinkronizim të plotë me strukturat analoge të shtetit shqiptar.
Shtrohet pyetja?!
Përse u zgjodh Malësia e Gjakovës si një projekt pilot për shkatërrimin e shtetit shqiptar?!
Malësia e Gjakovës në këndveshtrimin e armiqëve të Kombit tonë është zemra e Shqipërisë etnike, bastioni më i fuqishëm i qëndresës dhe frymëzuese e betejave për liri e pavarësi përgjatë dy shekujve.
Nuk ka asnjë ngjarje të madhe historike që nga Besëlidhja e Lezhes e ideuar dhe realizuar nga arkitekti i nentorit të pare të shqiptarëve dhe konstruktori i shtetit të përqëndruar arbëror Gjergj Kastrioti, kryengritjet e udhëhequra nga Pjetër Bogdani, kryengritjet e Tanzimatit të udhëhequra nga Binak Alija e Sokol Rama, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe ajo e Pejës, kryengritjet e mëdha të viteve 1910 -1912-të që sollën pavarësinë e Shqipërisë, Konferenca e Bujanit e deri tek përmbysja e diktaturës komuniste e lufta për çlirimin e Kosovës që Malësia e Gjakovës "Tropoja" të mos ketë luajtur rol të dorës së parë, për fatet e Shqipërisë e Kosovës.
Kjo trevë ka qënë e aftë të mobilizojë në çdo kohë me një kushtrim të vetëm 5000 luftetarë të lirisë sa herë që e ka thirrur zëri i Atdheut në fushë të mejdanit.
Ata që dirigjuan vrasjet në Malësinë e Gjakovës "Tropojë" kanë hedhur me djallëzi me qëllim të manipulimit të opinionit publik në tregun publik 2 arsye themelore në emër të të cilave qënkan vrarë mbi 200 djem të Tropojës.
Gënjeshtra e parë e tyre na thotë se tropojanët janë vrarë në mes veti për çeshtje partiake.
Turp.
Tropojanët kanë derdhur në shekuj gjakun për idealet e lirisë e jo për idealin e partisë.
Toleranca politike në Tropojë ka qënë model.
Këtë e tregon qartë fakti se kryetari i partisë komuniste të Tropojës ishte drejtor i gjimnazit e askush nuk ia prishi timin e duhanit siç thuhet në anët tona.
Arsyeja tjetër sipas këtyre gjarpërinjëve të gjakut na qenka kanuni e vetëgjyqesia.
Urrejtja patologjike ndaj kanunit, kodit të nderit të shqiptarëve e njeherësh kushtetutës më të vjetër të Europës është tipari themelor i ideologjisë së diktaturës hoxhiste dhe i banditëve politik të vitit 1997-të.
Kanuni nuk e lejon terrorin, vrasjen e femrave e të femijëve, masakrimin e zhdukjen e kufomave, e aq me tepër vrasjen kolektive në mes të natës duke hedhë pallate në erë me c/4 e vrarë gazetarë, apo lajmës siç cilësohet në kanun.
A ka patur platformë per vrasjet në Malësinë e Gjakovës?!
Faktet deshmojnë se po.
A ishin të implikuara segmentet qenděrore shtetërore në këtë oktapod vrastar?!
Sigurisht që po.
Pse nuk i zbardhën organet shtetërore këto vrasje?!
Sigurisht që kanë qenë të implikuara vetë.
Sali Berisha i cili nuk dinte asgjë për dosjen Tropoja 8 vite të qeverisjes së tij si kryeministër bëri orakullin para pak ditësh duke deklaruar pjesëmarrjen e shtetit në shumë vrasje në bashkëpunim me familjet e viktimave të njërës palë.
Përse ka heshtur gjithë keto vite Berisha kur ishte 8 vite në pushtet dhe i kishte të gjithë mekanizmat shtetëror dhe juridik në dorë për të zbardhur këtë dosje të errët e kriminale dhe përse do ta shartojë atë si hibrid mes shtetit e vetëgjyqesisë.
Për cilin shtet e ka fjalën Berisha?!
A mund të deklarojë ish presidenti, ish kryeministri në një sistem demokratik me profesion mjek një gjë të tillë?!
Pse hesht ish ministri i rendit publik Spartak Poçi i cili në një prononcim publik pati deklaruar me mburrje se në Shqipëri zhdukëm 40-të banda?!
A ka të drejtë shteti të zhdukě kushdo qofshin ata eksponentë kriminalë pa gjyq?!
Sigurisht që jo, e kjo nuk ka ndodhur as në kohën e diktaturës.
Pse nuk prononcohet sot z Poçi për shartimin e shtetit me vetëgjyqesinë?!
Në çdo përvjetor të Azem Hajdarit Berisha e quan atë shqiptarin me të madh të historisë dhe atentatin ndaj tij si vrasjen e shekullit?!
Përse nuk i ka zbardhur Berisha motivet e kësaj vrasje pasi pati deklaruar disa herë se sa të vijë në pushtet do ta zbardhë?!
Si ka mundësi që vendimet e gjykatës në të tre nivelet e kanë cilësuar vrasje për hakmarrje e Berisha dhe presidentët e zgjedhur prej tij nuk kanë mbajtur qëndrim si kryetar të keshillit të lartë të drejtësisë ndaj gjyqtarëve?!
A ka qëndrim të dyfishtë, kontradiktor të presidentëve si kryetar të keshillit të lartë të drejtësisë dhe si president të republikës?!
A ka qëndrin të ndryshëm në vlerësimin e ngjarjreve dhe të personazheve protagonistë të tyre?!
Vertet në demokraci pushtetet janë të ndara, por ato janë pjesë unike e trupës politike.
A mund të vritet për hakmarrje Nderi i Kombit?!
A mund të jetë Nderi i Kombit një përsonazh i vrarë për hakmarrje?!
Këtyre pyetjeve duhet ti pergjigjet Berisha, i cili pati deklaruar se do të hapte e do të zbardhte vrasjen e Azemit, sigurisht motivin e kësaj vrasje, e cilia është fillimi i zbardhjes së dosjes Tropoja.
Dosja Tropoja nuk është vetëm Azem Hajdari.
Tropoja e ka nga një Azem për shtepi e familjet e viktimave kërkojnë drejtësi nga shteti i tyre e jo vetëgjyqësi siç përpiqet ti etiketojë doktorri, apo sejmenët e tij.
Dosja Tropoja duhet të zbardhet e tëra e jo të përdoret pjesë - pjesë politikisht e mediatikisht njëherë për interesat e një pale e njëherë për palën tjetër dhe të mbahet përsëri ndezur fitili i konfliktit me akuza të ndërsjellta për përfitime politike duke spostuar vëmendjen të ustallarëve që e kanë projektuar këtë oktapod të tmerrshëm dhe e kanë bërë Malësinë e Gjakovës një Siçili të vertetë.
Meqenëse shume vrasje kanë lidhje me luftën për çlirimin e Kosovës e në Parlamentin Shqiptar po ngrihet një komision hetimor për investigimin e akuzave të Dik Martyt ky komision duhet ta përfshijë edhe dosjen Tropoja në këtë investigim që është shumë i rendësishëm për të ndriçuar ngjarejt e tmerrshme që kanë trondotur rendë opinionin publik dhe mbajnë peng edhe sot paqen sociale.
Berisha shpesh e përmed UDB- në por çfarë ka bërë ai për zhbërjen e saj këto 30- të vite, në fakt ka bërë të kundërtën, ka veshur me pushtet sherbëtorët e zellshëm të saj?!
Cila është arsyeja që pjesëtarët e familjeve që kanë qenë baza e saj, por edhe të kupolës komuniste janë graduar me poste të larta në qeveri, në administratë, pushtetin lokal, diplomaci, drejtësi të qeverisjes se Berishës?!
Kush është sot roli i tyre në krijimin e tarafeve të pushtetit nepotik e të padrinove që po rrembejnë në mes të ditës pasuritë natyrore të kësaj treve?!
Dosja Tropoja është nyja gordiane e drejtësisë shqiptare.
Dosja e përgjakur e Tropojës është një gangrenë kanceroze në trupin e Kombit tonë.
Ajo duhet të kurohet urgjent e me çdo kusht me rrezet e të vertetës sado e hidhur të jetë ajo sepse Malësia e Gjakovës është zemra e Kombit tonë dhe kur zemra ndalon se rrahuri organizmi vdes.
Destabilizimi i Tropojës ishte endërr e vjetër e Serbisë dhe ajo ka sponsorizuar prej një shekulli mjete propagandistike, monetare, logjistike për të goditur Kombin Shqiptar në zemrën e tij.
Atyre që mendojnë se me mbajtjen peng të dosjes Tropoja do ti bëjnë shantazh Malësisë së Gjakovës apo do të shpresojnë përsëri tek nxitja e vëllavrasjes do tu thoja atë shprehjen e urtë e krenare të të parëve tonë:
"Hipni këtu e shihni Stambollin".
Shfrytëzoj rastin të ju bej thirrje vellezërve e motrave të Malësisë së Gjakovës të mos bien pre e nxitjes së hakmarrjes që po projektohet përsëri nga eksponentë të politikës e sejmenë të tyre.
Malësia e Gjakovës i ngjan pemës shekullore të ullirit që din ti ripërtërijë rrënjët e veta.