Lajmi për ndërrimin e jetës së prof. Shemsi Zukës është tronditës jo vetëm për familjen e tij, por edhe për mbarë arsimdashsit e shkollës shqipe si dhe për mbarë veprimtarët e fushave të ndryshme.
Shemsi Zuka u lind në fshatin Pozheran të komunës së Vitisë, ai ishte kontribuues i madh i arsimit shqip dhe i çështjes kombëtare. Shemsi Zuka pasi mbaroi studimet në Fakultetin Filozofik të Shkencave Matematiko-Natyrore, dega e Fizikës, ai nga viti 1980-1982 punoi në fshatin Radivojc të komunës së Vitisë, mësimdhënësi i lëndës së Fizikës, pastaj ai vazhdoi punën deri në ditët e sotme, atëherë në Gjimnazin e ashtuquajtur “Boro e Ramizi” në Viti që tashmë quhet “Kuvendi i Lezhës” në Viti, gjithashtu ai punoi edhe në paralelet e ndara në Pozheran që tani pas pavarësimit kjo shkollë e mesme mban emrin “Kongresi i Manastirit” në Pozheran.
Shemsi Zuka ishte veprimtar dhe kontribuues i madh i çështjes kombëtare, financues material edhe në veprimtarinë ilegale kundër pushtuesit serbosllav. Shemsiu ishte njëri nga themeluesit e nëndegës së LDK-së në fshatin e tij të lindjes, fshat ky më i madhi në komunën e Vitisë, njëherit ishte edhe sekretar i kryesisë së parë të kësaj nëndege në Pozheran, ndërkohë ishte edhe anëtar i kryesisë së nëndegës së LDK-së në Viti . Shemsi Zuka ishte kontribuues i madh i formimit të institucioneve të Republikës së Kosovës në komunën e Vitisë, ai ishte edhe asambleist i kuvendit komunal të komunës së Vitisë gjatë viteve 2003-2007.
Mungesa e prof. Shemsi Zukës gjithmonë do të jetë një zbrazëti në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave që do të vijnë, ai do të jetë i paharruar për kontributin e tij aq të madh që i dha arsimit dhe çështjes kombëtare.
Qoftë i paharruar kujtimi për prof. Shemsi Zukën, pushoftë i qetë në dritën e pashtershme në amshim.