Qeveria e Kosovës ka vendosur që të ndajë nga buxheti i shtetit 20 milionë euro për t'i vënë në dispozicion të Hashim Thaçit dhe të tjerë ish-komandantëve që kanë përfunduar ose do të përfundojnë në qelitë e Hagës. Ishte një vendim politik ky në shpërdorim të së drejtës dhe të taksave të qytetarëve të vendit. Se po të bëhej një referendum i papolitizuar, atëherë jam i sigurt se do të votohej kundër këtij vendimi.
Vendimi u mor në trysninë e propagandës Thaçi-Rama se në Hagë "po gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës"! Ndonëse kjo ishte dhe mbetet një e pavërtetë e madhe, përsëri fanela e Baton Haxhiut se "Liria ka emër", e bëri punën e vet. Megjithatë askush nga qeveritarët nuk ka menduar fundin. A do të shpallet fajtor Thaçi dhe të tjerët për vrasjen e Xhemajl Mustafës, Enver Malokut, Shaban Manajt, Ukë Bytyçit, Smajl Hajdarit, gazetarëve të "Bota sot" dhe dhjetra të tjerëve, apo jo?! Po nëse shpallen fajtorë, a do të rikthehen paratë e taksave që familjet e viktimave paguajnë për Kosovën dhe shkojnë te vrasësit e më të dashurve të tyre?! Cila do të jetë përgjigja, nëse ish-presidenti i vendit shpallet vrasës dhe kriminel, para së gjithash i shqiptarëve?!
Nëse ai shpallet fajtor, atëherë krijohet precedenti që të gjithë kriminelët në shtetin e Kosovës, madje edhe serbët shtetas të saj, të akuzuar për krime lufte kundër shqiptarëve, të fitojnë të drejtën që mbrojtjen t'ua paguajë shteti. Ndryshe Kosova do të dëmtohet në imazh si një shtet diskriminues. Keqbërësit, nëse do dënohen si të tillë, nuk mund t'I mbrojë statusi social, politik, religjioz, apo etnik. Qytetarët janë të gjithë të barabartë jo vetëm para ligjit, por edhe para shtetit dhe në shoqëri. Si të tillë ata gëzojnë me kushtetutë dhe duhet të gëzojnë në praktikë të drejta dhe detyrime të njëjta. Por fondi 20 milionësh për disa persona që kanë shkuar ose mund të shkojnë në Hagë krijon probleme të mëdha për funksionimin e shtetit dhe për ushtrimin e të drejtës së tij.
Ata që marrin vendime të tilla nën presionin e politikës nuk janë politikanë të drejtë e të ndrershëm, aq më pak liderë që bashkojnë qytetarët në qëllime të përbashkëta për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit. Kjo kategori politikanësh shihen si të përkohshëm në frumëmarrjen fizike dhe në mbijetesën e kujtesës pozitive. Prandaj ka shumë rëndësi se kush e si udhëheq e drejton shtetin. Ata që zgjidhen për këtë punë nuk kanë të drejta të pakufizuara, nuk mundet që ta trajtojnë buxhetin e taksave të qytetarëve si thesin vetiak të tyre!
Por si të mos mjaftonte ky 20 milionëshi, vëllai i ish-presidentit të Kosovës ka krijuar gjithashtu një fondacion me qëllim që të mbledhë të ardhura për të përballuar shpenzimet për të akuzuarin Hashim Thaçi. Pesë avokatë të kushtueshëm euro-amerikanë janë pak për Hashim Thaçin dhe mesa duket duhen dhe nja pesë të tjerë. Ndoshta mendohet që të mblidhen aq shumë para, sa të paguajnë edhe prokurorin e gjykatësin e çeshtjes, sepse Gjykatën e Prokurorinë Speciale e shohin si prokurorinë e Lumezit. Duket se ish-presidenti Thaçi ndjehet keq dhe i rrezikuar seriozisht për t'u shpallë fajtor. Ndryshe nuk kishte pse të merrte një ushtri avokatësh nga më të shetrenjtit në botë.
E natyrisht që me këtë fondacion ka edhe disa pikësynime të tjera. Kryesore është që të kanalizohen donacionet e njerëzve që duhet të kthejnë borxhet ndaj ish-kryeministrit dhe ish-presidentit, për shkak të benefiteve që ata kanë marrë prej tij, sa kohë aiThaçi ishte në pushtet. T'i marrin këto para nën dorë është frikë, se ndoshta survejohen. T'i marrësh direkt, nuk gjendet justifikimi. Fondacioni është xhamia ku kjo kategori përfituesish nga pushteti do të falet. Nga ana tjetër, përmes grumbullimit të donacioneve ruhen pronat milionëshe dhe paratë e pista në banka offshore në vende të ndryshme të botës. Kështu që njëzet milionëshi i qeverisë dhe fondacioni e "bamirësisë" ruajnë dhe forcojnë së paku privilegjet dhe pasuritë e përfituara me korrupsion dhe me bashkëpunim me krimin e organizuar. Mos qoftë e thënë që qeveria t'i akordojë këtij fondacioni ndonjë shumë tjetër të majme nga taksat e qytetarëve të vendit!
Këtë synim kishte edhe logoja e Batonit, e cila nga logo "Liria ka emër", nëse provohen krimet kundër LDK-istëve, do të shndërrohet në logo "turpi ka emër"! E në fund do të dalë se Batoni, qeveria, fondacioni, të gjithë spiunët e përfituesit kanë kontribuar për "turpin" dhe jo për lirinë! Ndërkaq Batoni nuk ka asnjë problem me turpin. Se po të kish pak turp, nuk do të dilte më në ekrane televizive pas asaj që bëri në vjeshtën e virtit 2018, kur me shkop tregues mburrej se si do ta zgjidhte konfliktin me Serbinë, duke ia dhënë asaj nja 800 km2 territor të Kosovës!