Si u shkrua rezoluta e parë për Kosovën

Opinione

Si u shkrua rezoluta e parë për Kosovën

Nga: Esat Myftari Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 09:33
Esat Myftari

Gjatë fushatës për zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991, ndër të tjera, ishte edhe parrulla për Kosovën, në kuptimin e përkrahjes së saj. Prandaj, kur më zgjodhën deputet, detyrë të parë e quejta angazhimin për nji rezolutë që do të shprehte e konfirmonte zyrtarisht ndryshimin e madh politik që kishte ndodhë. Kur pata ardh në Shqipni (1963), ndër interesimet e para të mija që reflektojshin kërkesën popullore në Kosovë, ishin edhe pyetjet: pse parlamenti shqiptar nuk nxirrte nji akt ku të stigmatizonte dhunën sebe në Kosovë dhe pse qeveria shqiptare nuk e çonte çeshtjen e Kosovës në OKB.

Përgjigja ishte: kërkesë e drejtë, por e parakohshme!

Edhe tash që po bajsha për të katërtën herë ket kërkesë në grupin parlamentar të PD-s, përgjigja po më jipej në mënyrë evazive: “do ta bëjmë, ç’ke ti, por tash për tash kemi punë më të ngutshme, po merremi me Paketën kushtetuese!”

Ndërkaq, vendosa ta prishja ketë lojë inercie. E hartova tekstin vetë dhe në mbledhjen e ardhshme, kur mora të njejtën përgjigje, e nxora tekstin prej xhaketës dhe e vuna grupin para faktit të kryem: qe ku e keni tekstin e gatshëm, u thashë, merreni e bani çfarë të doni me të! Atëherë z. Berisha pranoi me dashamirësi dhe më pyeti se me kend dëshirojsha me u këshillue. Unë e sugjerova si specialist z. Abdi Baleta, i cili kishte dije përkatëse e vullnet, por nuk e pranuen. Më thanë të bashkëpunojsha me Napoleon Roshin. Por qysh në leximin e parë të tekstit u përplasa me të dhe filloi të më fliste jashtë subjektit, për mëtimet hipërtrofike e jashtë mundësive të vërteta të kosovarëve. Ishte nji qëndrim i tij tipik filogrek aq sa po më ngjallte neveri trupore. Shkova te Berisha dhe i thashë se nuk punohet me atë grek. Mirë, më qetësoi ai, po deshe merre si konsulent z. Rustem Gjata.

Bukuri! ia ktheva.

Dhe kështu, mbasi u pa edhe prej komisionit të ligjeve, pjesëtar i të cilit isha, kjo rezolutë mori formën përfundimtare.

U vendos që rezolutën ta lexoja unë, meqë isha nismëtari i vetëm dhe hartuesi i parë i saj. Rezoluta u miratue me aklamacion prej të dy partive kryesore, ashtu si i kishte hije nji parlamenti të pastër shqiptar.

Mbas kësaj, për ditë të tana më erdhën përgëzime nga Kosova e Diaspora shqiptare, atje ku këto zhvillime përceptoheshin e priteshin me shumë gëzim, besim e shpresë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat