Sëmundja që ka kapllaisë mbarë botën asht nji zezditë e tmerrshme, ajo ka mbërthye dhe popullin tonë, kjo sëmundje ngurzezë vazhdon të quhet me emna të ndryshëm, si: virus, koronavirus, pandemi, COVID-19, etj.
Të gjitha këto janë fjalë të hueja, në vend të tyne duhet t’i përdorim fjalët tona ose të përpiqemi të gjejmë e të krijojmë fjalë të reja që shkojnë me natyrën e shqipes. Për fjalën karantinë që po përdoret dendun kemi fjalën e bukur shqipe – ngujim: u ngujue në shtëpi, janë ngujue në kullë, mos u ngojo, ishin ngujue prej belasë (bela, belum, lat. luftë), etj. Edhe emnin e kesaj sëmundje duhet ta quejmë me emnin shqip murtajë ose lingim.
Murtajë (lat. mortes- vdekje) dikur quhej nji sëmundje shumë e randë dhe shfarosëse, ajo zhduku familje e katunde të tana. Kjo sëmundje e kishte goditun tri herë Llashticën (Gjilan) në sh. XVI dhe XVII. Me këtë rast ata lëshuen vendin dhe u vendosën larg katundit, sot ky vend quhet “Lugu Kolybeve”. Aty ndejtën disa muej derisa u zhduk murtaja, këtu afër kemi mikrotoponimin “Vorri i Gërrgës” (Gregor, Grigor, Gligor) i cili mbase vdiq nga kjo sëmundje.
Sëmundje ma pak e rrezikshme se murtaja ishte lingimi që i përngjan shumë sëmundjes së sotme me përmasa botnore prandaj do të ishte mirë që sëmundjen e sotme ta quejmë lingim, - i: shpëtuem nga lingimi, u zhduk lingimi, theu qafën lingimi, etj. Për fjalën maskë, - a duhet ta gjejmë e ta përdorim nji fjale shqipe.
Kohëve të fundit po përdoret shumë në mjetet e folshkrimit shprehja apo shkurtesa VIP (very important person) këtë shprehje të huej duhet ta krijojmë e përdorim në atë mënyre që ajo të tinglloj shqip – në këtë rast ta përdorim shkurtesën PDP (persona të dorës së parë). Gjuha jonë asht themeli i kështjellës sonë kombëtare dhe saherë që përdorim fjalë dhe shprehje të hueja, – dijeni se heqim nga nji gur prej mureve kësaj ngrehine.