Roli i shoqërisë civile në proceset euro-integruese në Kosovë

Opinione

Roli i shoqërisë civile në proceset euro-integruese në Kosovë

Shpetim Prelvukaj Nga Shpetim Prelvukaj Më 24 dhjetor 2020 Në ora: 20:56
Foto ilustrim

Integrimi në familjen e madhe të Bashkimit Evropian, është një ndër synimet kryesore dhe jetike për shtetin më të ri në Evropë, Kosovën. Kosova sot duke qenë, një ndër shtetet më të reja në rajon, i pavarur dhe demokratik, ka para vetes shumë mundësi, ndër to që t’i zhvillojë dhe forcojë aspiratat e veta shtet-formuese, pa të cilat, një shtet i ri siç është edhe Kosova, nuk mund të ekzistoj. Mirëpo kjo rrugë drejt shtet-formimit dhe integrimit në Bashkimin Evropian, nuk është e lehtë, pasi që nuk është e shtruar as me lule dhe as e përgatitur më herët, është një rrugë e vështire, plot me sfida dhe barriera të mëdha, që për shtetin e Kosovës dhe për kapacitetin e sajë, janë vështirë të kalueshme. Prandaj edhe pse shteti i Kosovës ka bërë mjaft hapa të rëndësishëm deri me sot, në këtë aspekt ende ka nevojë dhe duhet shumë punë për t’u bërë në vazhdim, në shumë çështje të rëndësishme, në mënyrë që Kosova të arrijë të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Evropian, sikurse të gjitha vendet e tjera në Evropë.

Por për të arritur këtë shteti i Kosovës, duhet të ketë parasysh, që shoqëria civile renditet lartë në diskutimet për proceset integruese në Bashkimin Evropian. Kur flasim për shoqëri civile kemi disa kuptime, ajo si një fushë ndërmjetësuese midis individit dhe shtetit, botëve të shoqatave jofitimprurëse, rrjetit të organizatave jo-qeveritare ndërkombëtare, marrëdhënieve shoqërore e shumë të tjera. Prandaj duhet të kemi parasysh që shoqëritë civile janë një arterie kryesore, të cilës është duke ju kushtuar një rendësi nga shtet më demokratike dhe në këtë rast edhe nga Bashkimi Evropian. Pra epoka moderne kushtëzon shtetet dhe hapësirën për demokraci, duke adresuar kërkesa minimale që ende duhet të plotësohen dhe që është një hapësirë për të artikuluar lirisht interesat e qytetarëve (shoqërisë civile) dhe për të thirrur institucionet për përgjegjësi.

Që me ardhjen në fuqi të nenit 11-të, të traktatit të Lisbonës, të Bashkimit Evropian theksohet një rendësi e veçantë, që Bashkimi Evropian i jep dialogut civil, si dhe me kushtëzimet që i vendos vendeve të Ballkanit Perëndimor që të stimulojnë këtë dialog në mënyrë që shoqëria civile të ushtrojë rolin e saj në këtë proces dhe të ngrejë nivelin e përfaqësimit demokratik të shoqërisë në përgjithësi. Ndërkaq në Kosovë pjesëmarrja e shoqërisë civile në proceset integruesi zhvillohet në dy platforma si në vijim:

Bashkëpunimi shoqëri civile – institucione të BE-së; Shoqëri civile – institucione vendëse

Me fjalë të tjera mund të themi që shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm dhe kyç në hartimin dhe zbatimin e politikave në kuadër të procesit të integrimit evropian. Pasi që shoqëritë civile dhe në veçanti sektori i organizatave jo-qeveritare mund të monitorojë dhe të jap një kontribut të drejtpërdrejtë në këtë proces, i cili gjithashtu mund të ndikojë për mirë në transformimin e institucioneve të Kosovës dhe shoqërisë. Ndërkaq përveç rolit monitorues ndaj qeverisë, shoqëritë civile dhe në veçanti sektori i organizatave jo-qeveritare mund të bëhet një nga partnerët kryesorë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ndërkaq është e qartë qe konteksti i angazhimit të shoqërisë civile, nuk është i njëjtë siç ishte më përpara në zgjerimet e kaluara, tashmë procesi i integrimit për shtete të reja është një proces më i gjatë dhe pikërisht qytetarit i jepet një rol dhe një rendësi më e madhe në proceset vendim-marrëse dhe në politikat publike.

Për më tepër shoqëritë civile luajnë një rol të veçantë në proceset euro-integruese të Kosovës, si një ure midis administratës shtetëror dhe qytetarëve, duke u dhënë organeve politike njohuri dhe rekomandime se si të krijojnë politika që kontribuojnë më shumë në mirëqenien e qytetarëve dhe në proceset euro-integruese. Që të arrihet kjo dhe që ndikimi i shoqërisë civile të jetë sa më efektiv, organizatat të shoqërisë civile duhet gjithmonë të jenë në gjendje të bashkohen dhe të flasin me një zë për tema të rëndësishme për ta sa më shpesh të jetë e mundur, pra duhet të luftojnë për të marrë vendin e tyre në tryezë, për hartimin e politikave dhe në proceset vendim-marrëse. Gjithashtu duhet të themi që bashkëpunimi midis qeverisë së Kosovës dhe shoqërive civile len për të dëshiruar dhe roli i tyre si vëzhgues të institucioneve publike është ende në fillimet e tij. Prandaj Kosova, duhet të investoj më shumë, në bashkëpunimin, ndërveprimin dhe ngritjen e faktorit qytetar në skenën politike, për të depërtuar sa më shpejt në familjen e madhe të Bashkimit Evropian.

Por roli i shoqërisë civile nuk zbehet dhe nuk i humbet rendësin me anëtarësimin e shtetit (në këtë rast Kosovës) në Bashkimin Evropian. Pasi që nevoja për komunikim efektiv në mes të Bashkimit Evropian dhe qytetarit është një aktivitet i vazhdueshëm i cili kërkon bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm midis qeverisë dhe shoqërisë civile dhe duhet të shihet si i tillë edhe nga udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës por edhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor. Pra si përfundim mund të themi që promovimi i demokracisë dhe mbështetja për shoqëritë civile kanë qenë elementet kryesore përcaktues të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian. Pasi që një demokraci në punë është një kërkesë politike për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe një shoqëri e gjallë civile perceptohet si një dëshmi e demokracisë dhe qeverisjes së mirë në punë, sepse lejon qytetarët të shoqërohen lirisht dhe të përfshihen në veprime qytetare, qoftë për të formuar politikën e qeverisë ose për të shprehur shqetësimet e pjesëve të caktuara të shoqërisë.

Autori - Ekspert në fushën e Studimeve të Sigurisë

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat