A po e kuptojnë strukturat udhëheqëse të LDK se në çfarë pozite ka rënë kjo parti e autoritetshme?

Opinione

A po e kuptojnë strukturat udhëheqëse të LDK se në çfarë pozite ka rënë kjo parti e autoritetshme?

Xhavit Çitaku Nga Xhavit Çitaku Më 26 dhjetor 2020 Në ora: 16:54
Isa Mustafa

Nga ardhja e Isa Mustafës në krye të LDK- së, ky subjekt politik asnjëherë nuk arriti që t’i fitojë zgjedhjet dhe për çudi organet më të larta jo që nuk kërkuan përgjegjësi për kreun e saj, por as që morën guximin që të flasin dhe të drejtojnë gishtin kah Isa Mustafa si njëri ndër fajtorët kryesor për humbjet që po pëson kjo parti e autoritetshme e formuar nga ish-presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova. Nuk është vetëm Isa Mustafa ai që po ndikon në rënien e ndikimit politik të LDK- së në Republikën e Kosovës, por në këtë valle janë të involvuar edhe zyrtar tjerë të lartë, të cilët më shumë së njëzet vjet mbajnë pozita udhëheqëse pa u dëshmuar se po bëjnë ndonjë aktivitet e punë të dobishme për partinë. Po flasim pa dorëza e haptas. Këta janë Lutfi Haziri e Agim Veliu, të cilët së bashku me Isa Mustafën në mënyrën më të keqe të mundshme po drejtojnë këtë parti drejt humnerës pa pasur pikë turpi karshi elektoratit, përkatësisht qytetarëve që aq shumë e deshën dhe e përkrahen me shumë se tre dekada. Kjo treo e tmerrshme, duke mos ua dhënë edhe rastin më të vogël kuadrove të reja dhe me perspektivë për të marrë timonin e kësaj partie, ata sikur me inat, me qëllim dhe me dëshirë po e fundosin atë dhe me këtë edhe po ndikojnë, jo pak, në mëdyshjet e përkrahësve, anëtarëve dhe të tjerëve për t’ua dhënë votën tash e në të ardhmen këtij subjekti politik.

Karrierizmi ua ka mbyllur sytë, veshët dhe mendjen e gjykimit

Marrëzia tjetër është se si është e mundur që ato shumë kuadro kredibile, profesionale, akademike e me autoritet të zgjedhur në organet më të larta heshtin karshi kësaj rruge të gabuar që po trasojnë këta karrierist që u janë mbyllur sytë, veshët e mendja e gjykimit. Edhe sa kohë duhet të kalojë dhe të tolerohen këto lojëra humbëse që po i luan kjo treshe, që tashmë ka humbur çdo gjë që lidhet me krijuesin e kësaj patie, burrështetasin, diplomatin shkrimtarin dhe demokratin e njohur ndërkmbëtarisht Dr. Ibrahim Rugovën. Megjithatë, një gjë shihet ashiqare e komentohet nëpër kuloaret në gjithë territorin e Kosovës e në mërgatën shqiptare se kur një parti udhëhiqet nga një komunist i përbetuar nuk mund të ndodh ndryshe pos këtij diskursi tejet negativ që po ngjet tash e një periudhë të gjatë në radhët e LDK-së. Thënë konkretisht, Isa Mustafa i përkdhelur nga dyshja Haziri, Veli, por edhe Ismet Beqiri, që përgatiti puqin ndaj Fatmir Sejdiut, dhe disa të tjerë puthadorë, është mësuar të mbaj pushtet që kur ishte Kryetar i rinisë socialiste e deri me sot. Pra, ai është i regjur e i trajnuar fort mirë në politikën komuniste, që ishte kuadër i saj për shumë vite, dhe nuk është çudi që ai aq mirë ua hedh magjinë të tjerëve dhe pa pikë problemi mban pozitën e të parit të partisë tash e sa vjet. Pavarësisht përvojës së tij të madhe politike në të dy taborret, komuniste dhe të tashmen pluraliste, ai do të duhej të kishte ndërgjegje dhe tërhiqej nga posti që aktualisht mban dhe në krye të këtij subjekti politik të zgjidhet një personalitet kredibil që në momentet më kritike në të cilën gjendet të bëj një kthesë dhe kësisoj t’ia kthej dinjitetin dhe autoritetin e dikurshëm që kishte kjo parti. Isa Mustafa nuk duhet të lidh inat dhe të bëhet kryeneq ndaj kërkesave të anëtarësisë që po kërkojnë largimin e tij nga posti i kryetarit të LDK, përkundrazi ai duhet si një akademik dhe profesor universiteti të kuptoj se më nuk po i shkon mbarë dhe t’ua lëshon pozitën e të parit të tjerëve që punën e kryejnë më mirë se ai. Po e them këtë se askund në horizont nuk po shihet se ndokush do të ndërmerr ndonjë hap për të bërë ndryshime kuadrovike por edhe oganizative dhe kësisoj për të krijuar një frymë të re të shkuarjes drejt fitoreve të reja. Rasti më i volitshëm ka ardhur tash në prag të zgjedhjeve parlamentare për të bërë ndryshime bukur të mëdha si në udhëheqjen qendrore, po ashtu edhe në propozimin e kandidatëve për parlamentin e ri. Nëse nuk do të shfrytëzohet edhe ky rast atëherë do të vijë koha kur ky subjekt politik do të mbetët vetëm si një emër i harruar në historinë e partive politike që ishin aktive në Republikën e Kosovës.

Linçimet e përjashtimet nuk ishin traditë e LDK-së

I mësuar e trajnuar në diferencimet politike gjatë sistemit komunist, ku pësuan posaçërisht intelektualet shqiptar, Isa Mustafa me kompaninë e tij filloi të praktikojë edhe në ditët e sotme një politik përjashtuese, linçuese ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe. Rasti më i freskët është shkarkimi i Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares së LDK-së. Edhe Vjosa Osmani mund të këtë tepruar me mos dëgjueshmëri ndaj vendimeve partiake, por të merren masa drastike ndaj saj pa i dhënë vërejtje paraprake nga Kryesia apo Këshilli i Përgjithshëm vetëm sa e sforcon konstatimin për mënyrën komuniste të diferencimit. Me këtë lloj çasjeje ndaj kuadrove të dëshmuara, por edhe të një politike të vakët që po zhvillon LDK zor se do të mund të arrihen rezultate në përkrahjen dhe mbështetjen nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Zatën, dihet mirëfilli se LDK është e vetmja parti në të cilën ishte kultivuar një politik ku toleranca dhe mendimi ndryshe ishin prioritet i saj. Edhe bashkangjitja e pesë asambleistëve nga radhët e degës së LDK në Ferizaj listës së Vjosa Osmanit është një sinjal ogurzi që po e pret këtë subjekt politik tash e në të ardhmen.

Dhe krejt në fund: Nëse strukturat më të larta partiake nuk do të veprojnë shpejt e guximshëm në ndryshimin e kreut partiak dhe të largimit të atyre që tashmë janë “ hargjuar” politikisht, atëherë pasojat për këtë parti do të jenë të mëdha dhe të pariparueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat