Zgjedhjet do të mbahen me 14 shkurt, Ditën e të Dashuruarve. Partitë politike kanë ndezur motorët për të pas sukses sa më të mirë nga këto zgjedhje, të cilat i kanë gjetur të papërgatitur, në tërësi.
Pjesë e fushatës është edhe propaganda,loja që zhvillohet me psikologjinë e qytetarëve. Në këtë kuadër bëjnë pjesë edhe sondazhet, të cilat janë pjesë e propagandës për të fituar sa më shumë vota.
Secila parti paraqet tjetër nga realiteti, me qëllim që tek qytetarët të ngulitet ideja e turmës, duke thënë se jemi të parët, shumica bien në ndikimin e shumicës, dhe kjo është pjesë e politikës.
Megjithatë, në situatën aktuale thuaje të gjithë, mendoj partitë e mëdha e pranojnë se Lëvizja Vetëvendosje është e para, edhe pse nga LDK thonë se edhe ata janë të parët.
Megjithatë situata në terren, dhe fryma që ndjehet është se VV është e para. Kjo parti politike në sondazhet e veta e paraqet vetën mbi 50 %, disa të partive të tjera, edhe pse të papublikuara nuk e thonë të njëjtën gjë.
Edhe disa organizata tjera e paraqesin VV të parën, por diku mbi 41 %, lojë shifrash. Ndonëse duken si të parëndësishme, kjo mund të ndikojë tek votuesit e papërcaktuar, që në Kosovë janë mbi 60 %, e të cilët janë pjesa kryesore që mund të përmbysë të gjitha sondazhet.
Kjo, është edhe arsye kryesore që zhvillohet kjo betejë me sondazhe, se kush është e para, dhe kush jo. Deri me 14 shkurt do të kemi sondazhe edhe më të shpeshta, vetëm vota e qytetarëve tregon qartazi se kush sa merr. Deri atë herë jemi në formën e spekulimeve, luftë mes partive për të tërhequr shumicën e papërcaktuar, duke paraqitur vetën si të parën, dhe më të besuarën nga qytetarët. Ne, si shqiptarë, në përgjithësi i ndjekim turmat, mandej thonë se politikanët nuk i njohin qytetarët, pikërisht se i njohin kanë bërë gjithë veprimet e tyre.
E kanë ditur se populli nuk lëviz, duron, dhe kanë vazhduar të na vjedhin ditë e drekë. Ata e dinë shumë mirë se shqiptarët shkojnë pas turmës, kështu që po e paraqesin vetën si turma më e madhe, për tu bërë vërtetë e madhe.
Vetëvendosje është parti e parë, këtë e pranojnë edhe ata që nuk e thonë, kjo peshë mbi VV ka mbi vete rreziqet e saja. Vetëvendosje duhet të di se si të mbajë peshën e madhe që ka mbi supe, peshë e cila mund ta shemb. Rritja e shpejtë nëse nuk menaxhohet mirë , dhe me maturi, di edhe të të kthehet në bumerang. Kështu që përveç të mirave të saja, rritja ka edhe përgjegjësitë e saja.
Ndonëse sondazhet japin shifra të ndryshme, a thua vërtet sa përqind do t’i fitojë Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit?!
Këtë askush nuk e di me siguri, mbetët të presim përfundimin e zgjedhjeve për ta kuptuar, deri atëherë jemi vetëm në hapësirën e supozimeve.