Disa profesorë të huaj, neomarksistë, kryesisht nga vendet e ish-lindjes dhe ato latino-amerikane para do ditësh përmes një letre dolën në përkrahje të Albin Kurtit për kryeministër pa harruar që të kërkojnë nga qytetarët e Kosovës ta votojnë të preferuarin e tyre.
Madje shkuan edhe më larg. Folën hapur se janë të interesuar edhe për një eksperiment me Kosovën dhe shqiptarët, me Albin Kurtin, Kryeministër!
Të tjerë, ministra e kryeminstra, kryesisht arabë e pakistanezë u kërkojnë qytetarëve të Kosovës të përkrahin Enver Hoxhajn e PDK-së për Kryeministër të Kosovës.
Dikush tjetër thotë se i ka punët mirë me Merkelin e tjerë me EPP-në.
A e kuptojnë këta kandidatë të shpallur e të vetëshpallur sa po e ofendojnë qytetarin e Kosovës me këto “përkrahje” e kërkesa?! Dhe përtej ofendimit, këto mësymje, si një rrezik latent për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë?!
Natyrisht, këta “politikanë” derisa e konsiderojnë qytetarin veç si objekt dhe mjet për pushtetin e tyre, asgjë nuk i ofendon. Për rreziqe, nuk duan t’ia dinë. Mjafton të jenë “të dashur” e “të adhuruar”, nga kushdo qoftë.
Tani, ofendimin ndaj qytetarit të Kosovës përpiqen ta shesin si “përkrahje” për veten e tyre, për pushtetin e tyre ndërsa rrezikun e mundshëm si “dashuri” e “adhurim”.
E po, këta janë ata “patriotët” që çirren përditë se nuk lejojnë ndërhyrje të askujt në punët e brendshme të Kosovës, as Amerikën “revizioniste”, ama lejojnë ndërhyrjen e huaj në vullnetin e qytetarëve, nëse ajo iu duhet për pushtetin e tyre dhe eksperimentin si “adhurim” e “dashuri” ndaj tyre.
Ofendim i madh për qytetarët e Kosovës, për shqiptarët!
Më shumë se turp!