Shpresoj që LDK të mos udhëhiqet nga duar jashtë radhëve të saj, të mos e diktojë askush. Shpresoj që LDK të mos vlerësojë vesin, braktisjen e askujt dhe të mos qahet për askënd, të mos vajtojë askënd. Shpresoj se LDK nuk do të jetë pushkë e askujt e asnjë individi. Askush nuk ia mban gjalle shpirtin LDK-së, e sidomos ata që i kanë shkaktuar humbje e përçarje të thella.
LDK nuk është parti numrash e votash, është parti kapilare në Kosovë, Evropë e Amerikë, saqë po të funksionojë si organizëm i gjallë siç ka funksionuar, partitë e tjera bëhen seksione të saj dhe duhet me lutë elektoratin, siç thërriste Rugova, që të votojnë edhe parti të tjera për shkak se duhen edhe parti të tjera që të funksionojë pluralizmi në Kosovë.
*
Nuk di se cili mund të jetë personi që do ta udhëheqë LDK-në, por di se Ibrahim Rugova nuk ka lutë askënd që ta bëjnë apo ta votojnë që të bëhet kryetar i LDK-së, nuk ka lobuar për këtë, nuk ka organizuar trafik votash.
Një veç pak i ngjashëm me Rugovën, një shume i dijshëm dhe që nuk ka asnjë lloj inferioriteti ndaj askujt, një që ka pushtet dije mbi të tjerë, një i tillë i duhet LDK-së.
LDK nuk duhet më kurrë të drejtohet nga inferiorë e kompleksive, nga njerëz me tituj e grada pa vepra të mirëfillta... nga njerëz që përjashtojnë të tjerët, pa ndalë askënd që don të ikë e të vet përjashtohet. LDK ka shkam me u ulë gjithkush, por nuk ka fron për gjithkënd. kujt t’i mbushet mendja se është për fron e kurorë. LDK nuk e shpërblen tradhtinë as braktisjen sepse ajo ngrihet mbi vlera e parime të forta morale e jo mbi luftë karrigesh për poste.
*
LDK duhet të mbledhë senatorët e saj nëpër Kosovë, tu kërkojë ndjesë pavarësisht se kush i dëboi e ata ikën mos me mbajte marre në shpinë.
LDK është shtëpi politike figurash, personalitetesh, është parti profesorësh, dijetaresh. Do të doja të ishin në sallë senatorët që i ka të gjallë Kosova në mesin e saj. LDK duhet t’i thërras, ata nuk rivalizojnë askënd për vota, ata janë autoritete të larta morale, janë senatorë të përjetshëm moral të Kosovës, janë prijës shpirtëror, ata e kane frymëzuar, orientuar e formuar opinionin publik, e kanë përgatitë popullin e Kosovës për shtetin e ri që gëzojmë sot. Janë gjallë ata njerëz prej të cilëve kemi mësuar abc e politikës dhe shtet formimit të Kosovës.
*
Unë besoj se Kosova do ta kërkojë LDK-në dhe ajo do të kthehet, por ajo kthehet e pranohet vetëm me fuqinë e moralit e besimit e jo me asnjë imponim apo trafik votash.
Dhe nuk mund të jetë një individ që e bën dhe e kthen në fronin e nderit LDK-në, por gjithë ekipi.
Duhet të binden të gjithë që janë aktorë politikë sot se nuk krahasohen me Rugovën as në LDK, as në gjithë spektrin politik, ndaj do të ishte fantastike të punohej në ekip.
Mendoj se LDK nuk erdhi as nuk duhet të jetë kurrë me parti zyrtaresh me xhipa të zi që shoqërohen nga eskorta të frikshme dhe autokolona xhipash. Ata qe ishin pa xhipa të zi shëtisin sot në xhipa të huaj qe nuk dihet se me çfarë valute janë blerë e dhuruar.
Veç kësaj LDK si organizëm i gjallë mendoj se duhet të ndjekë kapilarët e saj, të shkojë në fund, atje ku janë ata që e kanë mbajte në këmbë këtë forcë politike që ka drejtuar shtet paralel që e kishin zili shtetet e tjera. Të shkojë e t’i takojë e tu kërkojë ndjesë për shpërfilljen e nënvleftësimin atyre njerëzve në bazë, në familje. Unë njoh shumë njerëz që ruajnë sot e gjithë ditën lista të familjeve që merrnin ndihma nga LDK, lista të njerëzve që merrnin mbështetje, që ofronin mbështetje, lista të njerëzve që mobilizoheshin si roje në fshatrat e lagjet e tyre dhe gjithë këto mobilizime i bënte LDK, se nuk ekzistonte asnjë forcë tjetër politike ende në Kosovë.
Besoj fort së LDK ka qenë, e duhet të mbetet rreptë parti antikomuniste, mike e palëkundur e Amerikës, jo parti që e ndikojnë segmentet fetare të asnjë lloji as ekstremiste as jo ekstremiste, parti e djathtë, jo e majtë, jo enveriste, as e majtë e nakatosur, sepse e majta sllave, komunizmi sllav i ka shkaktuar Kosovës shumë vrasje, burgime, shkatërrime, dëme kolosale.
Është e nevojshme që LDK duhet tu tregojë qartë njerëzve që duan të majtën, enverizmin e Shqipërisë, duhet tu tregojë se çdo të thotë të dorëzojnë gjithë pronat, të dorëzojnë edhe loptë, tokat, dyqanet çdo pasuri private, çdo të thotë që të bëjë çdo gjë shteti për njerëzit dhe shteti ia fut lugën në goje kujt të doje dhe len pa ushqim kë të dojë.
LDK është shkollë politike për rajonin e sidomos për hapësirën shqiptare është akademia e vetme politike shqiptare.
Besoj e mendoj se LDK nuk duhet të jetë parti zyrtaresh që rendin për rroga e poste, portofole e imunitete e privilegje, por parti misionaresh siç ka nxjerrë misionarë të vërtetë të përkushtuar.
Nuk lejohet kurrsesi që një zyrtar i lartë i Kosovës të jetë inferior para zyrtarëve të lartë të Shqipërisë. Shqipëria i ka borxhe Kosovës.
LDK duhet ta artikuloje me forcë e ta ketë të prerë se në Kosovë nuk mund të instalohet enverizmi me fytyrën e askujt as me fytyrën e Zotit. E kjo bëhet, nuk thuhet.
Shkurt pra, lutem e dëshiroj shumë LDK të mos lejojë më të rrëmbehet kreu e kryesia e saj me intriga, të mos ketë gjueti shtrigash, përjashtime, linçime, denigrime, të bazohet në shtratin e saj të krijueseve të atyre që e lartësuan që kontribuuan me jetë e me shpirt, dhe në djathtizmin e saj, të mos bjerë viktimë fushatash populiste njerëzish anonim në rrjete sociale që nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre në telefon, të mos lejojë gara krahinarizmash e fisesh se kjo e është një nga arsyet e rrënimit te saj.