Folja kalimtare “zgjedh” ka disa kuptime a përdorime:
1. Marr, veçoj a caktoj atë që më duket më e mirë ose atë që më pëlqen më shumë: zgjedh mollët ; zgjedh rrugën më të vështirë;
2. Caktoj dikë me anë të votimit për të kryer një detyrë shtetërore a shoqërore: Votuesit do të zgjedhin drejtorin e shkollës;
Krahas zgjedhimit vepror “zgjedh”, “zgjodha”, “zgjedhur”, kjo folje ka edhe zgjedhim pësor- kur tregon pësim të kryefjalës: “zgjidhem”, “zgjidhet”; “zgjidhet kryetar”.
Mirëpo, në gjuhën e folur dhe në gjuhën e shkruar këtë folje e ndeshim të përdoret shpesh me trajta të gabuara të veprores për pësoren, përkatësisht duke ngatërruar zgjedhimin vepror me atë pësor. P.sh.:
“Kryetari do të zgjedhet me konsensus prej 30 për qind”. (Shtypi)
“Zgjedhet kryeshefi i ri i ekzekutivit”. (Lajme)
“Drejtori i ri zgjedhet kah prilli”. (Shtypi)
Këto fjali drejt duhet të shkruhen kështu:
Kryetari do të zgjidhet me konsensus prej 30 për qind.
Zgjidhet kryeshefi i ri i ekzekutivit.
Drejtori i ri zgjidhet kah prilli.
Dykuptimësinë e trajtave të këtyre foljeve e zgjidh konteksti i përdorimit, prandaj ato nuk mund të ngatërrohen kuptimisht:
(Unë) zgjedh kryetarin (zgjedhimi vepror), dhe (Unë) zgjidhem kryetar (nga dikush) – foljet pësore tregojnë pësim të kryefjalës: Khs. sikurse dhe: mbledh (zgjedhimi vepror), mblidhet (zgjedhimi pësor), djeg (zgjedhimi vepror), digjet (zgjedhimi pësor) etj.