Lumir Abdixhiku, i padenjë për lider të LDK-së!

Opinione

Lumir Abdixhiku, i padenjë për lider të LDK-së!

Fatmir Bajraj Nga Fatmir Bajraj Më 10 mars 2021 Në ora: 20:33
Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku, kishte shmangur një betejë politike, përkatësisht: zgjodhi abstenimin në vend të përballjes dhe sfidimit duke kalkuluar në dështimin e "tjerëve" dhe pritjen e momentit siç është ky për ngjitje dhe "pushtim" të kalasë nga brenda, fakt ky që lë gjurmë në ndërgjegjen e elektoratit dhe në strukturën organizative të LDK-së, e cila ndjehet e braktisur nga ai në një moment jetik dhe krucial të saj.

Momentumi në LDK, tanimë nuk do justifikime, ai ka nevojë për zërin e arsyes, mendjen kritike dhe shpirtin ngulmues dhe insistues në reflektim dhe angazhim serioz në qasje dhe frymë e cila ndihmon daljen nga kolapsi dhe hapjen e shtigjeve të reja; të shpresës, besimit dhe kushtrimit për një LDK të fortë për vete dhe të dobishme për vendin.

-LDK-ja, si aset unik nacional, pra e cila tejkalon kufijtë shtetëror të Republikës së Kosovës, tani e mbi tri dekada veprimtarie politike-nacionale dhe shtetërore, mbanë në vete dimensionin e brezave, koherencën e veprimit dhe kohezionin praktik që nga zanafilla e saj si vazhduese e ideve të Rilindasve tanë, Lidhjes së Prizrenit dhe përpjekjeve dhe sakrificave të pareshtura të brezave për kauzën tonë kombëtare në Gadishullin Ilirik.

Ajo tanimë është sfiduar rëndë, pra është në ditët e saj më të liga, dhe kur kjo (LDK) nuk është mirë, as Kosova dhe fati i saj s'mund të jetë ndryshe, andaj përgjigja duhet të jetë e efektshme dhe adekuate.

-Kuvendi i Përgjithshëm i LDK-së, si organi ma i lartë i saj, do të ketë mundësinë dhe tagrin që të nxjerrë një kandidat kredibil për të parin e saj, në një garë demokratike me shumë kandidatë dhe me votim të fshehtë, garë e cila do të prodhojë edhe një frymë mirëbesimi dhe uniteti që do të jetë garancë e një pune ekipore në menaxhimin dhe drejtimin e LDK-së, së sfiduar nga rënia drastike e mbështetjes elektorale.

A është Lumir Abdixhiku kandidat autentik i LDK-së rugoviane?

Lumir Abdixhiku, profesor dhe ekspert ekonomie, njëri nga prurjet e reja në LDK, pra në vitin 2017 ishte kandidat për deputet të parlamentit të Kosovës, i ri në moshën politike karshi tjerëve, të cilët bartin mbi supe një periudhë të gjatë angazhimi dhe pse jo edhe një listë suksesesh afirmative në zgjedhjet lokale dhe parlamentare si bartës të funksioneve me përgjegjësi politike, institucionale dhe shtetërore.

-Lumiri ishte favorizuar dhe privilegjuar nga lidershipi i partisë duke arrit që pos mandatit të deputetit, të gëzonte edhe pozitë ministrore në kabinetin Kurti, të qeverisë së koalicionit LDK & LVV, qeveri e cila ra pas vetëm 51 ditë funksionimi si pasojë e prishjes së marrëveshjes së koalicionit nga ana e VV-së dhe provokimit të shkarkimit me mocion mosbesimi nga Parlamenti i Kosovës!

Pretendenti për kreun e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, atëbotë doli kundër prishjes së koalicionit qeverisës me LVV-në, përkundër faktit se LVV kishte shkaktuar rënien e Qeverisë së shpresës, siç quhej qeveria e koalicionit, LDK & LVV, me Kryeministër, z.Albin Kurti, duke iu bashkuar në heshtje zonjës Osmani, e cila tanimë kishte filluar të ndante rrugët me LDK-në dhe të kalonte në VV-në e Kurtit.

-Lumiri refuzoi të mbante pozitën e Ministrit në Qeverinë Hoti, përkatësisht në Qeverinë e koalicionit të drejtuar nga LDK-ja, dhe përveç se zgjodhi heshtjen e akullt deri vonë, ai u deklarua publikisht se ishte kundër mocionit të ngritur nga LDK-ja për Qeverinë Kurti, si dhe kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares në parti, pasi kjo e fundit kishte shkel vendimet e organeve të LDK-së, dhe kishte përqafuar hapur diskursin politik të LVV-së, kundër LDK-së dhe Institucioneve të vendit, edhe pse kjo e fundit ishte zgjedh nga LDK-ja, Kryeparlamentare dhe tani mbanë pozitën e u.d e Presidentit të Kosovës.

Z.Abdixhiku, nuk njeh mirë strukturën organizative të LDK-së, kulturën dhe as traditën qeverisëse të saj, me që nuk ka kaluar shkallet e organizimit, si dhe nuk është sfiduar asnjëherë në garë për Kryetar të Komunës dhe të dal fitues, sikurse është rasti me shumë tjerë në LDK, tani pretendent potencial për lider të partisë.

Kandidimin e z.Abdixhiku për Kryetar të LDK-së e nxisin media nga inxhinieringu politik i diskursit të VV-së dhe binomit, Kurti-Osmani, të cilat shtyjnë tutje luftimin e LDK-së, me frymën e "ndryshimit" dhe logjikës populiste, për ta dëmtuar LDK-në dhe për ta bërë këtë të fundit t'i nënshtrohet hegjemonisë së pushtetit në ardhje të LVV-së dhe autoritarizmit të z.Kurti.

Qëllimi i binomit Kurti-Osmani dhe diskursit hegjemonist të LVV-së, përmes kandidimit të Lumir Abdixhikut për kreun e LDK-së, është; nënshtrimi i LDK-së ndaj hegjemonisë se re dhe vazeliteti poshtërues ndaj një pushteti absolutist të projektuar, dhe në rastin ma të butë, sikur të dështojë zgjedhja e Lumirit, atëherë të nxitet dhe shkaktohet ndarje e re e LDK-së, nga e cila Lumiri do tërhiqte "asetet" eventuale, njësoj sikur Vjosa Osmani dhe do t'i bashkangjitej pushtetit autokratik të tandemit; Kurti-Osmani!

Kuvendi i Përgjithshëm i LDK-së dhe kuvendarët kanë kujtesë dhe memorie!

Duke njohur logjikën dhe sensin praktik të funksionimit të z.Abdixhiku, përfshirë përvojën e fundit në Qeveritë; Kurti & Hoti, si dhe diskursin mediatik anti-LDK, diskurs ky i njohur edhe për publikun dhe elektoratin e LDK-së, i shpërfaqur në mënyrë agresive në rrjetet sociale dhe në studio të oligarkëve të sojit të Ekrem Llukës (Tv Dukagjini) dhe tjerë, konsideroj se Kuvendi i Përgjithshëm i LDK-së, i cili zgjedh liderin e ri të partisë me 14 mars 2021, nuk duhet t'i jap besimin kandidaturës së z.Abdixhiku, po që se dëshiron që LDK-ja, të mbetet në skenën politike të vendit si forcë relevante dhe konkurruese, e cila i duhet vendit mbi të gjitha.

Lumir Abdixhiku, duhet të provohet dhe sfidohet fillimisht në garë për Kryetar të Prishtinës, dhe të jap shembullin e mirë të një administratori dhe udhëheqësi me performancë solide, e tek atëherë të mendohet për ngjitje shkallesh në hierarkinë partiake deri në lider të saj, deri atëherë, duhet shumë durim dhe punë me pasion, por le të shpresojmë e besojmë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat