Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit nxorën në shesh pakënaqësinë masive të qytetarëve të Kosovës ndaj qeverisjeve abuzive të kastave politike që degraduan shtetësinë e Kosovës. Qytetarët votuan për ndryshime, për një qeverisje me mentalitet dhe kulturë më të avancuar politike, duke kundërshtuar qeverisjet tribale të feudëve të paditur dhe politikisht të paemancipuar.
Edhe pse këto ishin zgjedhje parlamentare, konteksti politik ia mundësoi Zonjës Osmani dhe Ramush Haradinaj që gjatë fushatës, me « kandidaturat » e tyre, të garojnë edhe për postin e presidentit, sepse Hashim Thaçi për shkak të aktakuzës së konfirmuar nga Prokuroria Speciale e Hagës dha dorëheqje nga ky post. Qytetarët e Kosovës duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre për Kuvend, rrjedhimisht edhe për Qeverinë, ata po ashtu u « përcaktuan » edhe për kandidatin e ardhshëm për president të Republikës së Kosovës.
Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, doli se qytetarët me shumicë absolute u përcaktuan për Vjosa Osmanin, duke ia besuar mbi 300 mijë vota. Nëse realisht analizojmë situatën, del se ky votim masiv, nuk i ka lënë hapësirë partive të bëjnë pazare politike për zgjedhjen e presidentit, siç ka ndodhur në të kaluarën, por iu ka krijuar një obligim, së paku, të qëndrojnë në sallën e Kuvendit gjatë votimit të presidentit, sepse çdo veprim ndryshe do të ishte papërgjegjësisë politike dhe shkelje e vullnetit të sovranit.
Zonja Vjosa Osmani, si ushtruese e detyrës së presidentit, për 22 Mars 2021 ka konvenuar mbajtjen e mbledhjes konstitutive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që pastaj kjo hapë rrugën për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.
Për këtë qëllim fituesit e zgjedhjeve, Zoti Kurti dhe Zonja Osmani, kanë ftuar partitë politike për konsultime lidhur me formimin e institucioneve.
Vlenë të theksohet se i pari që shkoi në takim ishte Enver Hoxhaj, ushtrues i detyrës të kryetarit të PDK-ës, i cili në konferencë për shtyp deklaroi se Zotit Kurti ia kishte parashtruar 10-të pyetje lidhur me politikat e qeverisjes së ardhshme, ndër të cilat po veçoj vetëm disa: distancimin e Zotit Kurti nga dhuna politike ; dialogun me Serbinë ; Asociacionin e komunave me shumicë serbe; rishikimin e kufirit me Malin e Zi, e tjera.
Dua t’ia përkujtoj Zotit Hoxhaj se si mund të distancohet Zoti Kurti nga dhuna politike, mbase pikërisht LVV-ja në sallën e Kuvendit ka hedhur gaz lotsjellës dhe ka përdorur forma tjera të veprimit, pikërisht për t’a penguar Ligjin mbi Demarkacionin, që Malit të Zi iu falën 8.200 ha tokë, kanë penguar formimin e « Zajednicës » me kompetenca ekzekutive, që Serbia synonte formimin e një lloj Republike serbe në Kosovë, që kanë penguar formimit e Gjykatës Speciale, që të gjitha këto, si dhe shumë të tjera, u treguan si veprime antishtetërorte, që vet ai i votoi, pse nuk e ngriti zërin atëherë, por tani po reagon ?!
Çfarë paradoksi dhe demagogjie, ku është morali dhe etika politike? Zotëri Hoxhaj ka gabuar kohën dhe adresën ! Këto dhe shumë pyetje tjera ai me kohë është dashur t’ia adresonte politikanëve që Kosovën e sjellën në këtë derexhe. Ku ishte Zoti Hoxhaj kur shefi i tij udhëheqi dialogun më Serbinë duke e shndërruar në paraz privat mes Thaçit –dhe Vuçiqit, madje propozonte zgjidhje të dhimbshme duke copëtuar Kosovën ?! Ku ishte Enver Hoxhaj kur Thaqi me kolaboracionistin e tij Isa Mustafën formuan « Zajednicën », që edhe vet Hoxhaj e votoi ?! Për çfarë territori flet Enver Hoxhaj me Zotin Kurti, kur mirëfilli dihet se Ligjin mbi Demarkacionin e kanë manipuluar dhe kontrabanduar Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj për interesa të tyre ?!
Këto veprime populliste të Zotit Hoxhaj janë për konsum ditor duke harruar se fushata zgjedhore ka mbaruar. Ai po sillet sikur tani ka hy në politike edhe pse ka qenë bartës i të gjitha proceseve politike në dy dekadat e fundit. Tani ai duhet të merret me reformat në partinë e tij, ta ristrukturojë atë dhe ta nxjerr një elitë të re politike duke u liruar nga barra e komandantëve milionerë.
Lumir Abdixhiku, kryetari i ri i LDK-ës ka paralajmëruar se do të takohet ditën e premte me Zotin Kurti dhe Zonjën Osamani. LDK-je duhet ta ketë shumë më lehtë votimin e Zonjës Osmani për presidente, sepse pas gjithë asaj që Isa Mustafa ia bëri LDK-ës, përjashtoi Zonjës Osmani nga partia, votoi Hashim Thaçin për president, ia ka borxh Zonjës Osmani me ia dhënë votën.
Tek e fundit, për momentin, Kosova nuk ka personalitet më të ngritur politik, intelektual dhe institucional për postin e presidentit, përveç Zonjës Osmani, e cila i ka të gjitha kapacitet për t’a përmbushur postin më të lart shtetëror.
Për formimin e institucioneve është shprehur edhe faktoi ndërkombëtar, ndër të cilët më i qartë ishte Zoti Matthew Palmer, i dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili deklaroi se të gjitha partitë politike duhet të jenë prezent në sallën e Kuvendit gjatë zgjedhjes së presidentit, pa marrë parasysh se a do të votojnë dhe si do të votojnë.
Karakteristikë e formimit të kësaj Qeverie është se LVV-ja dhe Lista « Guxo » në asnjë kombinim nuk llogarisin në Listën serbe me të cilën janë formuar dhe kanë bashkëpunuar shumë Qeveri të mëparshme.