Zgjedhja e presidentit

Opinione

Zgjedhja e presidentit

Nga: Skender Musliu Më: 28 mars 2021 Në ora: 16:20
Skender Musliu

Me 22 Mars 2021 u bë konstituimi i Kuvendit si dhe u votua Qeveria e Republikës së Kosovës, Kurti II, dhe për t’u kompletuar institucionet e Republikës, rradhën e ka zgjedhja e presidentit të Kosovës. Meqë kandidatja më serioze, mbase edhe e vetmja për momentin, është Zonja Vjosa Osmani, prandaj ka filluar mbledhja e nënshkrimeve të nevojshme të deputetëve për t’a oficializuar kandidaturën e saj, për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit, që do të mbahet shumë shpejt.

Pyetja që tani parashtrohet është, se a do të ketë kuorum për zgjedhjen e presidentes, sepse PDK-ja dhe AAK-ja kanë paralajmëruar se nuk do t’ia bëjnë kuorumin, kurse LDK-ja rishtazi duhet t’a merr një vendim të përbashkët me Kryesinë dhe Grupin e saj parlamentar, kurse Lista serbe mvaret nga instruksionet e Beogradit, por sido që të jet Kurti në asnjë kombinim nuk llogatitë në votat e kësaj Liste.

Duhet theksuar se deputetët e kanë obligim kushtetues që të marrin pjesë aktive në punën e komisioneve dhe mbledhjeve të Kuvendit, në veçanti kur bëhet konstituimi i Kuvendit, kur formohet Qeveria dhe kur zgjidhet presidenti. Mirëpo, për shkak të vendimeve të paarsyeshme dhe intateve personale dhe partiake, ky obligim kushtetues shumë shpesh nuk është respektuar nga deputetët, që reflekton për nivelin dhe edukatën e tyre të ulët politike. Për shkak të pandëshkueshmërisë, si duket nuk ekziston një mekanizëm më i qëndrueshëm obligues për pjesmarrjen e deputetëve nëpër seanca.

Një herë e përgjithmonë duhet dhënë fund këtyre sjelljeve të papërgjegjshme dhe të sigurohet prezenca e deputetëve në seancat e Kuvendit, pa marrë parasysh se si ata votojnë, prandaj ligjvënësi duhet të propozojë mekanizma dhe zgjidhje më të ashpra ligjore për mospjesëmarrjen e deputetëve dhe obstruksionet që ata ia bëjnë punës së Kuvendit për pazare politike.

Zgjedhjen e presidentes duhet shikuar në konteksin më të gjërë politik, respektivisht situata e rënduar aktuale me pandeminë, kriza ekonomike si dhe moszgjedhja e presidentes do të çonte drejt një situate hazardeske juridike, institucionale dhe politike, prandaj partitë politike duhet të jenë në nivelin e situatës dhe nuk e kanë komoditetin që vendin t’a çojnë në zgjedhje të parakohshme. Në veçanti vendimet e PDK-ës dhe AAK-ës, se nuk do t’ia bëjnë kuorumin Zonjës Osmani dhe se ato janë të gatshme të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, tregojnë se sa këto parti nuk janë koshient për realiteti politik. Mosbërja e kuorumit për shkaqe të inateve politike dhe sjelljeve primitive, feudale dhe tribale, këtyre partive do t’ju kushtojë shumë, së pari në zgjedhjet lokale e pastaj edhe ato nacionale.

Sido që të jet, LDK-ja ia ka borxh Zonjës Osmani, jo vetëm bërjen kuorumit, por edhe votimin e saj, sepse Isa Mustafa në mënyrë dinake dhe pa të drejtë e linçoi duke e përjashtoi ate nga LDK-ja, vetëm e vetëm se ajo i kundërshtoi publikisht vendimet dhe pazaret e pista politike dhe antishtetërore të Isa Mustafës, dhe se ajo i ngeli besnik gjer në fund premtimeve ndaj qytetarëve, kurse servilët heshtnin duke ruajtur pozitat e tyre. Tani, pas largimit të Isa Mustafës, duke ngelë jashta Kryesisë së LDK-ës, disa hijena kundërshtojnë votat e Zonjës Osmani, duke sfiduar edhe Kryesinë e re të LDK-ës.

Prandaj zgjidhja më e mirë për Kosovën rrjedhimisht edhe për LDK-ën, është që së paku deputetët e LDK-ës t’a bëjnë kuorumin mbase edhe t’a votojnë Zonjën Osmani, në të kundërtën LDK-ja në zgjedhjet e ardhshme vështirë se do t’a kalonte pragun zgjedhor.

Në dy dekadat e fundit, presidenti i Kosovës është zgjedhur përmes pazareve politike, kurse në zgjedhjet e 14 Shkurtit qytetarët vendosën ndryshe, ata u përcaktuan për kandidatin e presidentit, kurse tani ngelë që partitë politike t’a zbatojnë vullnetin e sovranit.

Duke votuar Zonjën Osmani për presidente, klasa politike do të shprehte një maturi dhe pjekuri pilitike, që do të ishte edhe konform votave që ajo morri.

Zonja Osmani është një intelektuale me parime konzistente politike, nga aspekti kombëtar, profesional dhe politik qëndrimet e saja janë të njohura për opinionin e gjërë, si për shembull, ajo kategorikisht ishte kundër « Zajednicës », kundër Demarkacionit, kundër Gjykatës Speciale të Hagës, kundër ndarjes së Kosovë, që dëshmon mjaft për orientimin e saj shtetëformues dhe kombëtar, e që nuk ishte aspak rasti me Hashim Thaqin si president paraprak, i zgjedhur me pazare politike të votave të LDK-ës, dhe i cili ishte ideatori kryesor i Vendimeve antikushtetuese dhe antikombëtare që i përmendëm.

Duke i patur parasysh vështirësitë për zgjedhjen e presidentit, Qeverisë Kurti II, i ngelë mundësia dhe obligimi që t’a nxjerr Ligjin mbi Referendumin në të cilin, përveç tjerash, të sanksionohet zgjedhja e presidentit përmes votës së drejtpërdrejtë të sovranit, respektivisht referendumit. Gjer më tani klasat politike vet nuk kanë qenë të interesuar për instaliminin e institucionit të Referendumit sepse zgjedhjen e presidentit e kanë preferuar t’a bëjnë vet ata përmes pazareve politike.

Duke i analizuar kushtet, rrethanat, momentumin dhe domosdoshmërinë, shprehi bindjen time, se pas mbledhjes së nënshkrimeve, pas zëvendësimit të deputetëve që u bënë ministra, shpejt do t’a kemi edhe gruan e dytë si presidente të Republikës së Kosovës, Zonjën Vjosa Osmani, që do të jet shembull edhe për Rajonin dhe më gjërë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat