Nuk është meritë e qeverisë por është dështim i madh të lypësh nëpër botë lëmosha dhe borxhe e t’i reklamosh ato si meritë për të marrë e mbajtur pushtetin. Nuk është meritë qe paratë dhe pasuritë kombëtare e shtetërore t’ua japësh oligarkëve dhe shqiptarët të marrin arratinë dhe eksodin nëpër botë prej padrejtësive, korrupsionit, prej varfërisë e pasigurisë.
Pasi Edi Ramës i janë konsumuar të gjitha gënjeshtrat, mashtrimet e premtimet e rrejshme tani Kryeministri i Shqipërisë spekulon dhe do që të fitojë zgjedhjet në Shqipëri, duke u ekspozuar si njeri human e që e do aq shume Shqipërinë e shqiptarët sa që del me trastë për të lypur nëpër botë euro e dollarë për termetin dhe vaksina kundër virusit. Qeveria shqiptare e Edi Ramës arriti deri aty sa t’i marrë edhe 10 euro shqiptarit të Kosovës si gjobë pse ai vjen në Shqipëri.
Kryeministri shqiptar ,ky lypsar dhe qeveria e tij paranë publike shqiptare e ka bërë rrush e kumbulla me qeverinë, me qeveritarët, me zullumqarët , taksidarët e gjobëvënësit e tij duke e vjedhur atë nëpër tendera,nëpër investimet publike dhe nëpër ato të famshmet Partneritete Publike Private, në PPP-të e tij të famshme.
Ky lypsar e ka futur Shqipërinë në një borxh katastrofik dhe falimentues, pasi borxhet do t’i shlyejnë shqiptarët dhe jo Rama e as rilindasit e tij,të cilët janë majmur e pasuruar prej parave të shqiptarëve dhe prej parave që lypin e marrin borxh në emër shtetit shqiptar borxhli.
Regjimi i E. Ramës dhe rilindja pas 25 Prillit 2021 do dekompozohen si fosile politike
Me 25 Prill Shqipëria kurohet nga virusi Rama2013-2021. Rama dhe qeverisja e tij do të mbahen mënd dhe do të shënohen në historinë shqiptare si qeverisja më e keqe, tejet e dëmshme dhe tejet e papërgjegjshme kombëtarisht, si qeverisja që ishte palë me krimin dhe që identifikohet me pushtetin e votave të blera e të manipuluara, me hajdutërinë, vjedhjen e korrupsionin e pashëmbullt në historinë kombëtare të shtetit shqiptar, politikë e cila do të precipitojë si fundërri e së shkuarës dhe si një fosile politike me 25 Prill 2021.
Edi Rama, qeveria dhe administrata e tij u kthyen në agjensi allishverishesh, pazaresh, matrapazllëqesh, intrigash vetëm me një synim, vetëm sa për të zhvatur paranë publike, për t’i zhvatur qytetarët duke i detyruar ata që të paguajnë ryshfet shumë shtrenjt qoftë edhe për shërbimin më të vogël; do mbahet mend si qeverisje që rrënoi biznesin e vogël dhe atë të mesëm e që e cuan ekonominë, shtetin , shoqërinë dhe sistemin në dështim dhe falimentim total.
Virusit Korona -19, shkenca shumë shpejt ia gjeti kurën ,vaksinën kundër saj brenda një viti, mirëpo shqiptarët kanë 8 vite që vuajnë nga pasojat e rënda të virusit politik dhe nga viruset e pushtetit të Edi Ramës, vuajnë nga infeksionet e rënda të virusit rama-rilindja. Një virus me pasoja traumatike politike, shoqërore, demokratike,korrupsioni, hajnije, varfërie, papunësie dhe eksodi.
Shqiptarët për t’i shpëtuar këtij virusi u është imponuar rruga e largimit nga Shqipëria për në perendim, në shtetet e BE-së.
Dhe tashmë ilaci më i mirë për shërimin dhe për shpëtimin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare janë zgjedhjet e 25 Prillit 2021 ku si vaksina shëruese është vota e lirë dhe demokratike e votuesve shqiptarë, pra është një vaksinë e thjeshtë, vota dhe zgjedhja nëse shqiptarët duan apo nuk duan që të shpëtojnë prej kësaj epidemie virusale të rilindjes socialiste e cila ka asfiksuar dhe paralizuar shtetin, demokracinë, progresin dhe integrimin e vëndit.
Rama do të ndëshkohet sepse shqiptarët e duan veten e tyre, e duan atdheun, kombin dhe demokracine, sigurinë, ligjin, mirëqënien dhe lumturinë dhe jo regjimin e Edi Ramës i cili ua ka rrembyer ato shqiptarëve.