Seria e fatkeqësive që po dëgjojmë e shikojmë vijon si gjithnjë me ndërprerje fare të vogla. Të fundit ishin ato të pak ditëve më parë, ku njëra ndodhi në Landfillin e Bushatit, ndërsa tjetra në Casaitalia. Ndonëse në media zuri vend më shumë ajo e Tiranës, për nga dramatika që e karakterizon nuk i len gjë mangut as ajo e Bushatit. Për fat të keq, që të dyja fatkeqësitë janë raste të përsëritura. Vërtetë janë shumë për një popull sa ne. Fatkeqësi të tilla ndodhin në çdo vend të botës dhe, megjithëse teorikisht justifikohen si aksidente apo si çmimi i modernizmit të një shoqërie, që sipas kritikëve në gjirin e saj, ka zëvendësuar qytetërimin me një garë shpërdorimi, nuk kalojnë pa përgjegjës e pa u shoqëruar me masa për të ardhmen. Por në vendin tonë qytetërimi i lartpërmendur ka ardhur vetëm në formë dhe me të gjitha pasojat e mundshme negative.
Nga ana arkitektonike apo inxhinierike kemi ditur të imitojmë, apo të kopjojmë, vetëm në formë, duke lenë mënjanë sigurinë e jetës në mjedise pune private e publike. Daljet emergjente, n.q.s. janë bërë, janë bërë vetëm formale, sa për të marrë lejen e shfrytëzimit të objektit, pastaj çdo kontrolli shtetëror të mëvonshëm i është i gjetur ilaçi për të heshtur; dalje të emergjencës që nuk dihet se ku janë, ose që janë të mbyllura dhe nuk dihet se ku janë çelësat. Gjithashtu inxhinieria dhe arkitektura janë dorëzuar tërësisht tek ekonomia dhe principi i fitimit maksimal, duke bërë projekte që shfrytëzojnë maksimalisht nëntokën dhe mbitokën si hapësirë e askujt (kjo e fundit). Kudo ka ndërtesa në formë klesidere apo formë T-je.
Gjithçka duket moderne me fasada të zbukuruara dhe ndriçim, por kur ndonjë herë ndodh ndonjë termët, përmbytje apo zjarr këto bëhen gracka vdekjeprurëse; si para një viti, si para ca vitesh, si tani. Pastaj, për mos të lenë pa përmendur, sa lokale (aspiratë e papërmbajtur dhe e vetme e thuajse gjysmës së shqiptarëve) ka nëpër podrume e kantina dhe deri në tunele; supermodernë për nga mobilimi e ndriçimi verbues (epoka e njerëzve të lumtur në verbërinë e tyre), por pa sisteme sigurie, ose vetëm formalisht.
Tek neokapitalistët shqiptar ka dominua etja për para, pushtet dhe për hipermodernizëm, ndërsa siguria e jetës ka mbetur në plan të fundit, sepse kushton. Për të mos lënë pa përmendur dhe shkollat tona, thuajse të gjitha të siguruara me tela si të burgjeve për të ruajtur ndonjë libër apo mjetet didaktike nga hajdutet e shumtë të këtyre mallrave të çmuar për shqiptarët, që në çdo moment fatkeqësie kthehen në gracka vdekjeprurëse. Pastaj shpallim heronj, por harrojmë se Beccaria thotë: “bekuar ai popull që nuk ka nevojë për heronj”.