"E keqja” e Lulzim Bashës: nuk është tamam si Berisha e Rama!

Opinione

"E keqja” e Lulzim Bashës: nuk është tamam si Berisha e Rama!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 29 mars 2021 Në ora: 17:21
Xhevat Mustafa

“…skenari apo llogaria e antibashave është fare e qartë: t’i djegim sa më shumë pikë, me lloj - lloj mënyrash, sajesash dhe shpifjesh Lulzim Bashës në imazh, mbështetje, votueshmëri, për të rritur sadopak nivelin e humbjes së sigurt e të pashmangshme të PS-Rilindjes dhe të Edi Ramës…!”

Fakti që Lulzim Basha, ndryshe nga Edi Rama, është rritur, arsimuar dhe diplomuar si jurist në një vend perendimor si Holanda, duket se i tërbon kundërshtarët e tij të shumtë, “alergjikë” ndaj tij deri në absurditet apo shndërrimin e vetvetes në papagaj, për hirë e në interes të partisë së tyre të zemrës. Merret me mend se të mësuar prej 76 vitesh me tufa politikanësh, pushtetarësh, kuadrosh, drejtuesish të lartë nga universitetet e vendeve të ish kampit socialist dhe më vonë, të atyre të Enver Hoxhës, të Shkollës së Partisë “V.I. Lenin”, nga Akademitë e baballarëve…,nuk duan të hiqet dorë nga kjo praktikë dhe traditë. Kështu, duke iu referuar logjikës së këtyre milintantëve enveristë, mbi 80 vjeçarë apo rreth 40 vjeçarë “rilindas”, pikërisht kjo është “herezia”, "e keqja" apo "mangësia më e madhe" e liderit të PD-së, Lulzim Basha! Atë e urrejnë dhe sulmojnë enveristët dhe gjasme "antikomunistët e pavarur publikisht, por të varur në shumë çengela fshehtësisht", sepse ai duhet të jetë mall vazhdimësie, "mall alla komunizmi shqiptar" dhe jo kapitalizmi holandez, perendimor! Duhet të jetë si Enveri, pa mbaruar as të gjitha provimet e vitit të parë të Universitetit të Monpeljesë në Francë apo si Edi Rama, piktor, me diplomë të marrë në Akademinë e Arteve, ku bënte ligjin babai i tij. Pra, sipas enveristëve dhe edramistëve, Lulzim Basha nuk duhet të jetë jurist, me diplomë nga një universitet prestigjioz jo vetëm në Holandë, por edhe në botë! Sipas vlerësimeve dhe anketimeve ndërkombëtare, të pranohesh në Universitetin e Utrechtit, hapur më 1636, do të thotë të studiosh dhe punosh në një nga universitetet më të vjetër e më të mirë në botë, me 12 fitues të çmimeve Nobel...Po sipas, enveristëve dhe edramistëve, Lulzim Basha duhet të vijë nga zemra apo periferia e Bllokut enverian, nga trotuaret e Parisit e jo si ekspert dhe këshilltar juridik nga zyrat komode të një institucioni të OKB,-së, UNMIK- ut, në Prishtinë! Sipas mendjeve të enveristëve apo edramistëve të vjetër e të rinj, të hapur e të fshehtë Lulzim Basha, nuk duhet t’i ketë vjehrrin dhe kunatin biznesmenë ndërtimi, kur dihet mirë se shumica e politikanëve, deputetëve, ministrave, kryetarëve të bashkive…, të PS-Rilindjes, përfshirë edhe vëllain e kryeministrit Edi Rama, janë nga biznesmenët më të mëdhenj apo në krye të tufës së madhe të oligarkëve në Shqipëri…Sipas logjkës së palogjikshme të këtyreve, Lulzim Basha, kur ka nisur miqësinë dhe dashurinë me Aurelën, duhej t’i vinte asaj kushtin se “mund të martoheshin vetëm nëqoftëse babai dhe vëllai i saj nuk do të ishin biznesmenë ndërtimi, për të parandaluar kritikat që do t’i bënin kundërshtarët e hapur apo të fshehtë, kur rreth 10 vite më vonë, në korrik 2013, të bëhej kryetar i PD-së!!!??? Disa arrijnë në absurdin ta paraqesin Bashën të paaftë si politikan, lider, për kryeministër të mundshëm, duke u kapur tek ndonjë lapsus i tij në një llogari matematikore gjatë një bisede live apo lapsuse të tjerë, njerëzorë, gjatë një bisede live në një televizion…Janë po shumë prej këtyre “të majtëve”, që e kanë parë dhe dëgjuar dhjetra herë Edi Ramën, gjatë rreth 23 vjetëve, të këpusë kumbulla të papjekura, broçkulla në televizione, takime në vend dhe në botë, mitingje paraelektorale; të ulërijë tek Sheshi “Skenderbej” jo si qytetar Tirone, por si njeri pyjesh Amazone! Disa antibasha histerikë për ideal e për mision partiak apo të mirëpaguar për baltën e hedhur mbi atë apo viktima të manipulimit nga propaganda edramiste, fryejnë sa e bëjnë kodrinën mal korrupsionin gjatë viteve të ndërtimit të Rrugës së Kombit, kur Basha ishte ministër i ndërtimit. Pa kundërshtuar mundësinë e korrupsionit, si virus me infeksion masiv në këta 30 vjet, dihet se 1 km autostradë me 4 korsi në terren të egër malor pati një faturë rreth 7 milionë euro. Antibashave dhe filoramave apo filoveliajve mund të kujtojmë se në këto rreth afro 8 vjet qeverisje rilindase 1 km autostradë në terren të butë fushor, qytetas, si psh tek Astiri në Tiranë apo në Autostradën Tiranë-Elbasan, ka një faturë, 2-3 herë më të lartë, rreth 12-20 milionë euro. Lulzim Bashës ia bëjnë qimen tra edhe për faktin se ishte ministër i punëve të brendshme, më 21 janar 2011, që mund të cilësohet "kryevepra" e PS- së dhe e Edi Ramës personalisht në "artin" apo "historinë" e protestave të dhunshme, edhe përtej Shqipërisë, me synim ardhjen në pushtet, më çdo rrugë, formë, çmim, mjet, duke paramenduar edhe viktima në jetë njerëzore. Atëherë, Basha duhej "djegur" politikisht, që të përjashtohej nga mundësia të dilte si kandidat për kryetar i Bashkisë së Tiranës, përballë Edi Ramës, që e kishte parandjerë humbjen e sigurtë prej tij në betejën elektorale të pas disa muajve…Kulmi arrihet kur Lulzim Basha fajësohet nga shqiptarë, kur këtë duhej ta bënin më shumë serbët, edhe për videon e BBC- së për krimet serbe në Krushë, pronë ekskluzive e saj dhe e publikuar në 148 media dhe rrjete sociale botërore. Në të vërtetë, Lulzim Basha nuk mund të fajësohet aspak pse ka qenë pjesëtar në grupe ekspertësh dhe juristësh ndërkombëtarë, që kanë hetuar krimet serbe në Krushë dhe gjetiu nëpër Kosovë. Ai ishte një zyrtar i UNMIK-ut dhe nuk mund t'i shmangej detyrave që kishte dhe për të cilat paguhej rreth 7.000- 10. 000 dollarë në muaj nga OKB!

Është tejet domethënës njoftimi i dt.19 nëntor 2020, transmetuar nga Radio “Evropa e Lirë” se “banorët e Krushës së Madhe të Rahovecit kanë kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe politikanë të tjerë shqiptarë, që të mos e përfshijnë në luftën e tyre politike masakrën që ndodhi në këtë fshat në muajin mars të vitit 1999, ku forcat serbe vranë 241 civilë”. Me këtë kartë që u është djegur nëpër duar antibashat “harrojnë” qëllimisht edhe praktika të moçme e të zbatueshme edhe sot e kësaj dite, në Shqipëri e në mbarë botën. Si mund të punonte Lulzim Basha rreth 6 vjet, në periudhën 2000- 2005, këshilltar juridik, ekspert tek UNMIK- u i OKB- së në Kosovë, pa pasur diplomë si jurist? Si mund t’i lejohej dhe mundësohej atij që nga tetori i vitit 2001 deri në nëntor 2002 të punonte si Zëvendës Shef i Kabinetit të Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Apo si ua fitoi apo”bleu” zemrat Lulzim Basha eprorëve, që nga nëntori i vitit 2002 deri në janar 2005 t’i besonin detyrën e Këshilltarit Special për Tranzicionin në Departamentin e Drejtësisë së UNMIK-ut, në Kosovë dhe si përgjegjës për përgatitjen e tranzicionit të Departamentit të Drejtësisë të UNMIK-ut, për t”u shndërruar më vonë në Ministri të Drejtësisë të Kosovës? Në institucione ndërkombëtare është kërkesë dhe praktikë e detyrueshme, që çdo kandidati t’i bëhet kontrolli i të gjitha dokumenteve. Sipas kësaj proçedure edhe Lulzim Bashës, ndoshta edhe më tepër si shqiptar, i janë kërkuar patjetër, detyrimisht, CV, diploma e juristit në Universitetin e Utrehtit, Holandë, përvoja, specializimet...Mos vallë kori i “korbave, sorrave, papagajve” anti Basha e pandehin Universitetin e Utrehtit si gjasme universitetin KRISTAL dhe disa universitete të tjera në Tiranë, ku shiten dhe blihen provime dhe diploma? Apo e pandehin edhe UNMIK-un, OKB, BE…,si institucionet qeveritare shqiptare, qendrore dhe lokale, mbush me diploma- blerës apo me plagjiatura gati tërësore???

Po kështu, është shprehës edhe fakti se kjo “akuzë” kundër Lulzim Bashës, si më 2005, kur ishte kandidat për deputet, si më 2011, kur fitoi ndaj Edi Ramës zgjedhjet për të drejtuar bashkinë e Tiranës dhe tani para zgjedhjeve të përgjithshme, më 25 prill, ka si burim apo autor po Edi Ramën, furnizuar, me shumë gjasa, nga miqtë e tij, Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu….Duke u shprehur edhe më shqip, skenari apo llogaria e antibashave është fare e qartë: t’i djegim sa më shumë pikë, me lloj - lloj mënyrash, sajesash dhe shpifjesh Lulzim Bashës në imazh, mbështetje, votueshmëri, për të rritur sadopak nivelin e humbjes së sigurt e të pashmangshme të PS-Rilindjes dhe të Edi Ramës, të paralajmëruar edhe nga sondazhet e freskëta…

Duke e përmbyllur: Lulzim Basha vërtetë nuk është një “ëngjell i pamëkatë” dhe njeri, politikan e lider ideal, “jashtëtokësor”...As i vetmi, i pagabime, i pakonkurueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Disa do ta donin më shumë apo do të ishin alergjikë ndaj tij më pak sikur të ishte si natyrë më karizmatik, më autoritarist, më zëlartë, më ulëritës, më impresionues apo më manipulues, më radikal në fjalime dhe veprime, më i vendosur në zgjedhje e zgjidhje të tij, pa u ndikuar nga askush përreth tij në situata të koklavitura apo delikate… Domethënë, as nga prania, “tutela”, këshillat, “recetat” e dr. Berishës…! Sipas ketyreve, kjo nënkupton që Basha të mos ishte ky që është, por si tip, model, kallëp…thuajse si Berisha e si Rama…Jam i bindur se pastaj do t’i gjenin yckla e mangësi dhe do t’i vinin epitete jo dashamirëse po ashtu deri më sot e po ashtu si Berishës dhe Ramës. Gjithësesi, përderisa Basha është më normal se Edi Rama, pa “njolla spitalesh neuro- psikiatrike” nga adoleshenca dhe rinia; pa“cene” e “vese”, pa lidhje të dyshimta e të frikshme me bosë të krimit dhe oligarkisë shqiptare e ndërkombëtare; pa “manira” qesharake në veshje e brutale në sjellje…si Edi Rama dhe nuk kemi, sot për sot, një më “të përkryer” se ai, kam opinionin subjektiv se është në të mirën e përgjithshme si popull e si vend, ta mbështesim dhe votojmë masivisht Lulzim Bashën. Natyrisht, pa ia harruar dhe kursyer së thëni në sy e publikisht rezervat, kritikat, vërejtjet, kërkesat, kujtesat, pakënaqësitë…, që kemi e do të kemi edhe më shumë në të ardhmen ndaj tij, me qëllim që të mbajë shumicën e premtimeve. Së pari, që “i gjithë kabineti i tij, nëse do të zgjidhet kryeministër, të jetë me standardin më të lartë të integritetit, përgatitjes dhe përvojës”. Së dyti, që të ë jetë shumë më cilësor dhe i efektshëm, shumë më i përgjegjshëm, shumë më njerëzor e social, nënkuptueshëm edhe shumë më pak i korruptuar se ekipet rreth 8 vjeçare Rama…”! Së treti, që të përmirësojë ndjeshëm zhvillimin e shumanshëm të vendit dhe nivelin e jetesës së shumicës së qytetarëve!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat