Kur e kam dëgjuar intervistën e parë (menjëherë pas luftës) të Ramush Haradinajt, më qe krijuar përshtypja se ai, pra Ramushi, atëherë djalë i ri ishte sa modest aq edhe i arsyeshëm. Në atë intervistë ai, pra Ramushi, në mes tjerash pat thënë:(parafrazim) kam bërë aq sa kam mundur për Kosovën!
Kjo thënie e tij, e një ushtaraku të sapo dalë nga lufta meritonte dinjitet dhe respekt. Siç duket nën petkun ushtarak Ramushi ishte i vetvetes dhe i disiplinuar deri në vetëmohim! Se përse pastaj e zhveshi petkun e ushtarakut dhe e veshi petkun e politikanit nuk dihet, por ajo që dihet është se nën petkun e politikanit, ai nuk do të ishte më modest siç ishte nën petkun e ushtarakut!
Siç duket nën petkun e politikanit atij ju shtuan ambiciet dhe në çdo prononcim para mediave do të tregonte ambiciet e tij tepër të mëdha, që realisht binin ndesh me aftësitë e tij (edhe mendore?!).
Që në zgjedhjet e para(komunale) të Kosovës të pas luftës, ai do të linte modestinë anash dhe do të tregonte ambiciet e tij politike. Gjatë fushatës zgjedhore në një pyetje para medias se: a do të konkurronte ai për postin e kryetarit të komunës së Deçanit ai do të përgjigjej: (parafrazim) jo, posti i kryetarit të komunës për mua është tejet i vogël. Unë do të konkurroj për kryetar (president) të vendit, kur të vijë koha?!
Deklaratat e tij, pra të Ramushit, në fillim u morën si deklarate humoristike, të një personi që edhe kur fliste linte shumë për të dëshiruar (dhe i tillë është edhe sot) dhe nuk i bënin askujt përshtypje!
Por, me kalimin e kohës, ambiciet e tij morën krah(sigurisht edhe me nxitjen e atyre që i rrinin pranë) dhe që në zgjedhjet e dyta nacionale(falë pazareve politike) ai, pra Ramushi do të fitonte hiç më pak se postin e kryeministrit të vendit?!Veçse atë post nuk do ta ushtronte gjatë, me që Gjykata ndërkombëtare e Hagës do të ngriste akuzë ndaj tij. Vajtja e tij në Hagë do të përcillej edhe me lot nga servilët e tij, por nga atje ai do të kthehej në mënyrë triumfuese! Kthimi i tij si i pafajshëm nga gjykata ndërkombëtare, do të ia ngriste rejtingun politik. Dhe Ramushi do të shfaqte sërish ambiciet e tij për postet më të larta politike të vendit! Veçse në zgjedhjet nacionale të të gjitha kohëve partia e tij nuk do ta kalonte pothuajse asnjëherë tetë përqindëshin e fitimit të votave!
Megjithatë, falë pazareve politike, Ramushi do të zgjidhej sërish në postin e kryeministrit të vendit, post në të cilin ai do të tregonte tërë injorancën dhe paditurinë e tij në ushtrimin e atij posti të lartë politik. Fatmirësisht, për te dhe për vendin, posti i tij politik u ndërpre tash nga Gjykata speciale e Kosovës, me seli në Hagë, përndryshe nëse do të qëndronte në atë post deri në fund të mandatit, do ta bankrotonte vendin financiarisht dhe vet mund të përfundonte prapa grilave!