Me 25 Prill 2021 janë zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Ka vite që në Shqipëri gjithmonë është akuzuar dhe konstatuar nga qytetarët, nga mediat dhe nga vet politika se bëhet manipulimi i zgjedhjeve dhe shitblerja e votës.
Shitblerja e votës devijon dhe delegjitimon legjitimitetin dhe vullnetin real të popullit dhe të demokracisë.
Shitblerja e votës është anormale, amorale dhe përbën madje edhe krim elektoral që duhet ndëshkuar penalisht.
Vota në demokraci është vlerë dinjiteti,personaliteti dhe është e drejtë lirie dhe mencuri intelekti.
Dhe duke qenë e tillë në një shoqëri të emacipuar dhe të zhvilluar intelektualisht, demokratikisht dhe patriotikisht vota kurrë nuk mund dhe nuk duhet as që të shitet e as që të blihet.
Pushteti i cili e blen votën, ai pushtet pastaj bën batërdinë duke vjedhur e grabitur shtetin, shoqërinë, pasuritë dhe paranë publike. Këtë e verteton më së miri realiteti aktual i pushtetit në Shqipëri.
Ai pushtet që blen votën e blen për të marrë, rrëmbyer dhe për ta mbajtur pushtetin pasi me pushtetin ai kap shtetin, drejtësinë e pasurinë.
Ai, apo ata të cilët shesin votën bëhen skllevër të pushtetit pasi nuk kanë pastaj as të drejtë dhe as moral për ta kundërshtuar as vjedhjen dhe as korrupsionin e pushtetit, sepse janë shitur te ai.
Por, prej atyre që shesin votën dëmin e madh e pësojnë të tjerët si shoqëria, shteti e demokracia, sepse prej shitjes së votes, në pushtet instalohet regjimi që vjen prej votave të blera sepse në fund të fundit demokracia është bilanc numrash të votave, ku fatkeqëisht vota e shitur, e korruptuar, e manipuluar dhe e blerë ka të njëjtën vlerë sa vota e vullnetit të lirë dhe të pakorruptuar.
Mos e shisni votën për një thes miell apo për 50 euro sepse kështu i bëni dëm të madh vetes, shoqërisë e demokracisë sepse duke shitur votën "legjitimohet" pastaj pandershmëria, korrupsioni, krimi, hajnia si dhe varfëria, papunësia dhe eksodi.