Fryni era u çel taraba!

Opinione

Fryni era u çel taraba!

Nga: Florim Zeqa Më: 14 prill 2021 Në ora: 07:32
Florim Zeqa

Këtë shkrim po e fillojë me një tregim nga koha jo shumë  e largët e sistemit komunist. Eskorta e pushtetarëve lokal e përzier nga të gjitha nacionalitetet ishin nisur me makinë nga Gjakova për një aktivitet politik në qytetin e Pejës. Gjatë rrugës, diku në mes të fshatrave të Deçanit, njërit prej politikanëve ia ngacmojnë syrin thuprat e njoma, të drejta dhe të lëmonjta, me ç'rast ju drejtohet shokëve në makinë; "ah po të mira qenkan këto thupra për kosha"!

Pavarësisht profesionit, pasioni i vjetër nuk harrohet kurrë

Siq duket nostalgjia për të luajtur rolin e opozitarit e ka shtyrë Albin Kurtin që të bëjë fushatë opozitare në Shqipëri!

Edhe pse tani në detyrën e kryeministrit, Albin Kurti po e ka të vështirë të lirohet nga pasioni i opozitarit, për të protestuar dhe kundërshtuar çdo proces demokratik!

Se a është kjo shprehje e lartë e patriotizmit apo tendencë e shtrirjes gjeopolitike të Vetëvendosjes në trojet etnike mbetët të shihet në të ardhmen e afërt!?

Pavarësisht përgjigjes në këtë pyetje, ndërhyrja e paligjshme e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në fushatën zgjedhore në Shqipëri nuk është sinjal i mirë për të ardhmen e dy shteteve tona!

Ndryshe, ndërhyrja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet në Shqipëri është legjitimim i ndërhyrjes së Serbisë gjatë fushatave zgjedhore dhe legjitimim i shkeljes së sovranitetit të Kosovës nga Serbia!

Si do t'i përgjigjën "patriotët" e LVV-së ndërhyrjes së Serbisë në zgjedhjet në Kosovë!? 

Do ta pranojnë si legjitime apo do ta trajtojnë si ndërhyrje në punët e brendshme, do ta pranojnë si veprim të ligjshëm apo do ta konsiderojnë si cenim sovraniteti ndaj shtetit të Kosovës!?

Jo vetëm që është e pa drejtë dhe e pahijshme, është edhe skandaloze bërja fushatë elektorale e një kryeministri në një shtet tjetër sovran!

Përfshirja e kryeministrit të Republikës së Kosovës në çështjet e brendshme të shtetit tjetër, është përzierje e padrejtë në procesin zgjedhor në shtetin e pavarur dhe sovran shqiptarë!

Kjo çasje e gabuar e kryeministrit Kurti ka dëmtuar marrëdhënjet ndërvëllëzërore dhe ndërshtetërore, për çka, pas zgjedhjeve të 25 prillit, Albin Kurti si kryeministër i vendit do ta ketë tepër të vështirë të krijojë raporte mirëbesimi me cilën do parti që i fiton zgjedhjet në Shqipëri!

Largimi nga problemet e shumta në shtetin që drejton dhe marrja me problemet zgjedhore të shtetit tjetër, përveqse papërgjegjësi dhe miopi politike, e shpërfaq patriotizmin e shfrenuar të Albin Kurtit kundër të gjithëve që mendojnë ndryshe nga ai!

Zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë nuk janë dhe nuk do duhej të ishin prioritet i 'Qeverisë Kurti', por duhet të jetë shëndeti dhe jeta e qytetarëve në Republikën e Kosovës!

Mosmarrja me mijëra probleme vendore dhe injorimi i thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve për vazhdimin e dialogut me Serbinë në Bruksel, mund ta çojë Albin Kurtin drejt rënjes së dytë si kryeministër i vendit.

Shumë shpejtë mund të harrohet rënja e parë e Albin Kurtit me 26 % të votave, kur të bie nga lartësia e pushtetit me mbi 50 % të votave të qytetarëve!

Reagime të shumta, mungon reagimi i listës "Guxo"!

Përfshirja e kreut të qeverisë së Kosovës dhe liderit të LVV-së, Albin Kurtit në fushatën zgjedhore në Shqipëri ka nxitur reagime të shumta të partive opozitare në Kosovë dhe spektrit të gjerë politik dhe mediatik në Shqipëri.

Të gjitha ballinat e mediave shqiptare janë mbushur me lajme për fushatën dhe protestat e LVV-së në Shqipëri, të cilat ndër të tjera njoftojnë edhe për dhjetëra aktivist të arrestuar të këtij subjekti politik gjatë protestave të dhunshme në disa qytetete të Shqipërisë. 

Mjafton të lexosh vetëm titullin e një shkrimi në një gazetë shqiptare për të kuptuar efektet negative të politikës së gabuar të Albin Kurtit: "E paprecedente-ministrat e Albin Kurtit dhe aktivistët e Vetëvendosjes dynden si pushues në Shqipëri për fushatë dhe protesta!"

Përderisa të gjitha mediat vendore dhe shoqëria civile në Shqipëri dhe Kosovë e kanë kundërshtuar ashpër fushatën e Albin Kurtit në Shqipëri, këtë nuk e patën guximin ta bëjnë partnerët apo neoalbinistët nga e ashtuquajtura "Lista Vjosa"!

Ku mbeti sllogani "GUXO" i "Listës Vjosa" për ta kundërshtuar fushatën e paprecent, të padrejtë dhe skandaloze te kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Shqipëri!?

Guximtarët nuk heshtin, ata e ngrisin zërin në çdo kohë kundër së keqës! 

Heshtja e guximtarëve është pak më tepër se nënshtrim, është mjerim!

E nisa shkrimin me një tregim, po e përfundojë me një strofë të një kënge të improvizuar;

Fryni era u qel taraba!

Fryni era n'jug,

u qel n'veri taraba,  

hajde hajde Albin aga,

kush do t'ia mshel Vuçiqit tarabat, 

kur t'ia msyn Kosovës,

me treqind harambasha...

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat