Kimete Berisha: Letër nga burgu i Mitrovicës!

Opinione

Kimete Berisha: Letër nga burgu i Mitrovicës!

Më: 28 prill 2021 Në ora: 19:26
Kimete Berisha

Motra Monikë,

Dëgjova që je djegur, je dekompozuar dhe që je bërë shkrumb e hi.

Por, hiri yt pas 5 minutave e paska marrë jetën tënde nën kontroll.

Dëgjova që je bërë feniks.

Kam kujtuar se feniksi është mashkull dhe se është grek, i biri i Herodotit, që ka jetuar në shkretëtirat arabe.

Më gëzoi shumë lajmi që ti je ringjallur, dhe më erdhi shumë mirë që i ke kaluar procedurat e ringjalljes pa pasur nevojë të vdesësh më parë.

Edhe më mirë më vjen që ti si fenikse e djeg veten sa herë bëhet puna pisk, e assesi nuk lejon të të djeg askush.

Të uroj për ringjalljen e suksesshme, të uroj 500 vitet e arshme plot gëzim e hare dhe ta rikonfirmoj se gjithmonë kam pasur besim në pavdekësinë tënde!

Motra Monikë,

Ti je rilindur, por në vend teje për ty ka 'ndërruar jetë' partia.

Tani ti je një feniks i mërzitur, sepse ringjallja nuk ta garanton edhe lumturinë. Më zor është të jesh e lumtur sesa të ringjallesh. Ti tani e shikon tavanin e villës tënde prej dukati dhe çuditesh pse s'ka pasuri që ty të përmbush!

Pse ndjejhesh më e pasur se pasuria!

Motra Kimete të siguron ty se kur je i varfër, në zemrën dhe në barkun tënd ka vend për krejt botën.

E ke parë motër Taj Mahallën, sa e bukur dhe sa e ftohtë është, e ftohtë si vdekja, e bukur si jeta, plus e quajnë mrekulli.

Çka kemi ne faj motër, që të gjitha mrekullitë e botës janë varreza!

Shumë e dashura motër Monikë,

Mos u ndje e turpëruar pse ke kërkuar ndihmë nga Orakulli i Delfit për ta shpëtuar Shqipërinë nga kriminelët dhe oligarkët. Ke kërkuar ndihmë nga Behari për ta shpëtuar Lulzimin.

Por, shqiptarët e kanë falsifikuar edhe magjinë.

Këtë nuk e ke ditur, sepse ti gjithmonë nisesh nga vetja, kujton ti, qysh je vet e sinqertë, janë të gjithë si ti.

Unë nuk besoj kurrë që e ke futur fotografinë e Edi Ramës në varreza, që ai të ftohet nga pushteti dhe nga jeta, dhe në të njejtën kohë populli të ftohet prej tij.

E di që ti je feniks shpirtmirë që e kuptuar se pa vdekje s'ka jetë.

Të lutem identifikoji publikisht mistikët dhe rregullatorët e fatit njerëzor, ata që të morën pare për ta çliruar Shqipërinë nga djalli dhe në fund ia falën shpirtin djallit.

Nata po afron dhe mua më duhet të shkoj. Edhe unë jam e mërzitur motër, as unë nuk jam e lumtur, por unë kam probleme të dashurisë. Ty bile së paku të ka pajtuar Lulzim Basha me Ilirin. Të kisha këshilluar ta ftosh Lulzimin të të kthej në gjendjen e mëparshme, kur ke qenë e prishur me Ilirin.

Mua, kur idhnohem me të dashurin, më pajton dashuria! Është traditë në Kosovë, që kur prishesh me të dashurin, të pajton dashuria, jo shefi i opozitës.

Po i vë pikë kësaj letre, me dëshirat më të mira për Ty. Të lutem, kqyrma senatoriumin, kujdesu edhe për senatoriumet e Kosovës, se veç atëherë kur të çmendurit shqiptarë andej e këndej Kufirit me Atdhe janë mirë, edhe unë jam mirë.

P.S. Këtë letër e kam shkruar unë, bazuar në gjetjet e motrës sime Fatmire Berisha.

Nëse s'ju pëlqen, kritikojeni atë, me mua s'keni punë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat