Evropa plak asnjëherë nuk ka arritur që të ndërtojë kauzë diplomatike për t’i normalizuar marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Dështimi i parë i Shteteve të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve në Bruksel ishte mos përcaktimi i përgjegjësisë të shtetit serb, i cili i ndezi 3 lufta në ish-Jugosllavi duke shkaktuar vuajtje, mjerim dhe gjenocid kundër popujve të pa mbrojtur, e sidomos kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Mos uniteti i politikës të shteteve të Bashkimit Evropian rreth çështjeve globale e sidomos karshi Shteteve të Ballkanit ishin faktorë determinues, të cilët Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëme në konsolidimin e shtetësisë dhe në sovranitetin dhe integritetin e saj. Politika dy fytyrëshe e diplomacisë në Bruksel, e cila është zhvilluar që nga fillimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. I ka dhënë shumë favore Serbisë, duke e joshur me fonde dhe projekte, të cilat kanë qenë stimuluese në të gjitha pikëpamjet politike ekonomike dhe diplomatike për shtetin serb. Mjerisht Kosova në këto bisedime ishte e hendikepuar vazhdimisht për shkak të mungesës së strategjisë shtetërore dhe përfaqësimit të dobët nga institucionet e shtetit.
Tani kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po kërkojnë vazhdimin e bisedimeve për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila siguron njohjen ndërmjet dy shteteve, institucionet e Kosovës, përkatësisht Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin ka vetëm dy rrugë.
1. Kosova duhet kërkojë parakushtin ndaj Serbisë që së pari të ndryshohet Kushtetuta e Serbisë, e cila e mban Kosovën “në kuadër të Serbisë”. Ky do të ishte hapi i parë për të filluar një dialog me parime për gjendjen ekzistuese, e cila faktikisht është ndërtuar me luftën e UÇK-së, me intervenimin e NATO-s kundër forcave serbe me shpalljen e Pavarësisë të Republikës së Kosovës, të cilën pavarësi e legjitimoi edhe Gjykata Ndërkombëtare për drejtësi në Hagë.
2. Varianti i 2 të cilin po e kalkulojnë diplomatët e disa vendeve ndërkombëtare, duke u ndihmuar edhe diplomacia në Bruksel, dhe në mënyra të ndryshme duke ndërhyrë Rusia dhe Kina është zgjidhje e pa drejtë, e cila nuk garanton stabilitet në Ballkan dhe nuk e përjashton konfliktin ndërmjet dy shteteve.
Mendoj se institucionet në Bruksel janë në lajthitje kur është fjala për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ato nuk janë të vetishme apo nuk duan të tregojnë për aspiratat fashiste të politikës serbe kundër shqiptarëve, të cilat u zbatuan decenie dhe shekuj me radhë. Në kohën kur po paralajmërohen takimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, politika në Beograd e harmonizuar me kreun e Kishës Ortodokse po lanson deklarata më ogurzeza, duke e helmuar popullin serb me pretendime territoriale kundër shtetit të Kosovës.
Nuk besoj se në këtë kohë të kësaj klase politike, e cila udhëheq në Serbi dhe e cila i ka duart e përgjakura duke bërë krime ndaj shqiptarëve dhe popujve tjerë të pafajshëm, gjendet ndonjë lider politik, i cili e pranon apo e nënshkruan dokumentin, me të cilin Serbia e njeh shtetin e Kosovës. Këtë duhet ta dinë të gjitha institucionet e Bashkimit e Evropian, të cilave institucione ka kohë që iu ka humbur rruga për të marr vendime të mëdha për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit dhe Evropës. Normalizimin e raporteve gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke mund ta bëjë vetëm Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në krye me Presidentin Biden dhe aleanca veri atlantike e NATO-s. Këto dy qendra me përmasa të superfuqive politike dhe të sigurisë mund ta detyrojnë Serbinë që t’i kthehet perëndimit ta pranojë shtetin e Kosovës, dhe sa më parë të heqin dorë nga aleancat me Rusinë dhe Kinën. Prandaj, deklaratat e Albin Kurtit dhe platforma e tij strategjike për të vazhduar dialogun me Serbinë, janë kërkesa racionale dhe të arsyeshme të mbështetura në parime të ligjeve dhe normave ndërkombëtare, të cilat bazohen në rendin e ri, i cili bazohet në të drejtën ndërkombëtare të popujve, e nxjerr edhe nga asambleja e kombeve të bashkuara.