Bisedimet me Serbinë janë prioritet. Nuk ka nevojë as të fshihemi as të shtiremi. Forma nuk e zëvendëson përmbajtjen përderisa përmbajtja pa një formë adekuate është jo e plotë. Se duhet të jemi të barabartë në bisedime, nuk do koment. Kryeministri nuk ka kujt i kërkon një gjë të tillë, vetëm duhet të sillet i barabartë. Në fakt, nuk jemi të barabartë me Serbinë në asnjë variantë. Serbia ishte pushtuese e Kosovës, bëri krime e gjenocid ndaj Kosovës e shqiptarëve jo veç tash së fundi 1997/99, por në vazhdimësi që nga 1877/78. Nuk flitet për Serbinë si një regjim por si pushtues. Kosova është shtet i pavarur, pavarësi e konfirmuar edhe me vendimin e GJND. Shumë e saktë që nuk duhet pranuar bisedime për Kosovën por për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, ose “njohje reciproke” siç po thuhet. Serbia po e dëmton edhe më tutje Kosovën, duke pasë parasysh edhe partnerët e përkrahësit e saj me ndikim në gjeoplitikën globale.
Bisedimet, si çështje e vendimit apo jo ishin më 2011, tani janë domosdo. Kush nuk e kupton këtë është më shumë se naiv dhe bën dëm. Bisedimet janë për një marrëveshje finale e cila sjell njohjen reciproke, në fakt njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Serbia e konteston dhe po e sulmon shtetin tonë, pavarësinë. Ajo don edhe më tepër kompromise, përtej Pakos së Ahtisarit që ishte kompromis e përtej kompromiseve. Kompromise përtej kësaj pakoje, fatkeqësisht janë bërë edhe deri tani si, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, fusnota etj. Kompromise në një mënyrë po kërkojnë edhe miqtë e partnerët tanë.
Ideja themelore e bisedimeve është largimi i Serbisë nga ndërhyrja dhe ndikimi i saj në politikën dhe sovranitetin e Kosovës. Ka kohë të gjatë që jemi në defanzivë politike. Serbia nuk ndalet së kërkuari “të drejta” në Kosovë, mundësisht zhbërjen e shtetit tonë. Më shumë se për territor janë të interesuar për jofunksionalitet të Kosovës.
Politikë e zgjuar dhe e fortë do të ishte të kalonim në ofensivë politike e diplomatike. Kemi argumentet e tërë botës për një gjë të tillë. Duhen zgjidhje, vendime të rëndësishme. Përgatitje serioze dhe jo arsyetime se nuk kemi mjaftueshëm informata për procesin e bisedimeve deri tani. Qasja e tillë na dëmton rëndë. Referimi i tillë në institucionet evropiane në raport me opozitën sot ose qeveritë e mëhershme është poshtërim për vendin.
formimit të ekipit “teknik” të “ekspertëve” duhet ekip me fuqi politike. Vardisja e ish-negociatorëve dhe përfshirja e tyre dhe të tjerëve në ekip është shenjë jo e mirë për dialog. Konstruksioni i tillë është tregues për mundësinë e deformimit të dialogut dhe qëllimit final për njohje. Natyrisht, gjithnjë duhet përdorur dhe respektuar përvoja dhe vazhdimësia institucionale por asnjëherë përvojat e dështuara e të deformuara. Kosova nuk ka asnjë minutë kohë për të humbur me tema e tema, sado të rëndësishme që të jenë, nëse nuk përqëndrohet vetëm në marrëveshje finale me njohje të shtetit tonë nga Serbia. Problemi me Serbinë gjithnjë ka qenë dhe është politik. Zgjidhja dhe vendimet janë politike e pastaj të ekspertëve. Platforma është vendim politik dhe është e domosdoshme. Një konsensus politik e edhe shoqëror është i domosdoshëm. Opozita duhet të kontribuojë në zgjidhje, në përmbajtje të marrëveshjes dhe në tërë procesin dialogues.
Pjesëmarrja e SHBA-së dhe roli i saj në dialog është kyç për një marrëveshje me Serbinë. Nuk ka as zgjidhje as marrëveshje pa SHBA-të. Kryeministri Kurti nuk guxon, siç po guxon të gabojë në delegjitimimin dhe zhvlerësimin e Marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me SHBA-në, me Presidentin Trump vitin e kaluar në funksion të marrëveshjes finale me Serbinë. Kryeministri nuk guxon, siç po guxon, që të mos kërkojë përkrahjen e SHBA-ve për marrëveshjen finale me Serbinë. Kryeministrit Kurti me sa po shihet nuk po i bie taman as Presdienti Biden ngase SHBA dhe as Biden sikurse më herët Presidenti Trump, nuk janë të interesuar për të dëgjuar ligjëratat tona ashtu si po bën BE-ja. Gjermania është partner i yni strategjik evropian. Marrëdhëniet e ngushta me Shqipërinë janë të domosdoshme, jo vetëm për këtë proces. Gjithashtu është me interes forcimi i marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Non-paper, nuk janë pa autorë. “Propozimet” e paraqitura në to, nuk po del të jenë vetëm nga Rusia e Serbia ngase u pa se edhe zyrtarë evropianë u deklaruan në favor të tyre.
Ripërcaktimi i kufijve ose shkëmbimi territorial, statusi special për serbët në veri si i Tirolit të Jugut etj, nuk përjashtohen si opcione që mund të dalin në bisedime. Reciprociteti në çdo rast të tillë është i domosdoshëm. Qëndrimet e qarta dhe opcionet tona “autoktone” do të na favorizonin në proces dhe në marrëveshje. Nuk kemi pse sillemi as me arrogancë as me drojtje apo nga pozita inferiore ndaj askujt, sikur që s’kemi pse shesim mend por as të pranojmë arrogancën e të tjerëve. Serioz e të vendosur deri në fund. Integriteti territorial e sovraniteti shtetëror i Kosovës janë bazë për çdo lloj bisede dhe me çdo kënd. Nëse dikush ka argumente e arsye të flasë për kufij askush nuk ka arsye më shumë se ne shqiptarët. S’kemi pse frikësohemi nga të vërtetat dhe e drejta jonë. Pse të frikësohemi nga Serbia kur flitet për kufij, pse “ia japim” primatin sikur ajo automatikisht ka të drejtë të pretendojë dhe mund të marrë edhe më shumë territore tona, përderisa rreth gjysma e territorit të saj aktual është territor i shqiptarëve?!. Pse të krijojmë “gogol” nga territoret tona e nga kufijtë?!. Serbia do të duhej të frikësohej nga grabitja e territoreve tona. Evropa i din të gjitha këto!. “Copëzimi i brendshëm” i kufijve në trajtën e Tirolit del të jetë edhe më i dëmshëm se ripërcaktimi i jashtëm i kufijve!.
Reciprociteti, në çdo rast duhet të jetë minimumi i pranueshmërisë për zgjidhjen e problemeve dhe arritjes së cilësdo marrëveshje me Serbinë. Me garanca të SHBA-ve e BE-së!
Prishtinë, 30 Prill 2021