Shablloni i tejkaluar i partive politike në Kosovë

Opinione

Shablloni i tejkaluar i partive politike në Kosovë

Nga: Ismail Muçiqi Më: 8 maj 2021 Në ora: 17:36
Ismail Muçiqi

Partitë politike të cilat vepruan në skenën e të ashtuquajturit pluralizëm më së paku reflektuan në zhvillimin e proceseve demokratike në vend. Qe nga pas lufta po thuajse të njëjtat klane dhe grupe te interesit të veshura me petkun familjarë po e shantazhojnë popullin dhe po e dëmtojnë të ardhmen e Shtetit të Kosovës. Praktika po tregon se shoqëria kosovare që nga pas lufta ka ra në gjumë, pa invencion në zhvillimin e proceseve në Kosovë. Shtrohet pyetja: A ka Kosova inteligjencë apo superstrukturë e cila duhet t'i dal zot vendit dhe shtetit?!

Mjerisht përvojat kanë treguar dhe vazhdimisht po dëshmojnë se institucioni më kredibil dhe përgjegjës i një shteti demokratik duhet të jetë Akademia e Shkencave dhe Arteve e cila në shtetet normale është e përbërë nga ajka intelektuale e shoqërisë. Ky institucion Akademik për mision shkencor dhe kombëtar duhet të kishte drejtimin e timonit të zhvillimit të proceseve të shkencës dhe kulturës, në të cilën gërshetohen të gjitha interesat historike dhe politike të një shteti. Akademitë e shteteve demokratike po thuajse për çdo vjet përgatisin elaborate strategjike duke ju parapri proceseve zhvillimore të cilat janë të lidhura edhe me kahjen dhe interesin e politikës shtetërore të një vendi. Mjerisht në Kosovë kjo nuk po ndodh.

Edhe më shqetësues është pasiviteti i klasës intelektuale, në të cilën bëjnë pjesë një armatë e tërë të njerëzve, të cilët vite me radhë kanë kontribuar në lami të ndryshme të Shkencës, Arsimit, Kulturës, Ekonomisë, në sistemin e drejtësisë e deri tek niveli i organizimit politikë. Për shkak të pasivitetit të kësaj klase intelektuale menjëherë pas lufte grupet e interesit pa përgatitje arsimore, pa kulturë të mjaftueshme, pa kualifikime superiore, pa përvojë politike arritën të shndërrohen dhe rreshtohen në të ashtuquajtura parti politike për ta grabitur pushtetin. Kjo mënyrë e organizimit politikë ja solli Kosovës formimin e institucioneve të brishta me deputet pa integritet, pa kulturë, pa dije dhe përvojë të cilët e shndërruan Parlamentin e Kosovës në hajt pak {në kaos}. E njëjta valle u luajte edhe me Ministrat e Qeverive në pushtet të cilët i solli partia dhe lideri pa i plotësuar kushtet minimale për ta ushtruar me dinjitet dhe dije profesionale mandatin e ministrave. Kjo katrahurë vazhdimisht ka degraduar çdo vlerë dhe imazhin e Qeverive dhe institucioneve të shtetit.

Për shkak të interesave personale të liderëve dhe grupeve të partive politike asnjëherë nuk u arrit të ndryshohet ligji zgjedhorë i cili do të përcaktojë zona dhe bazën deleguese të deputeteve për Parlamentin e Kosovës. Ky kaos i organizimit politikë i cili sot është në fuqi krijon pa përgjegjësi totale të deputeteve ndaj qytetareve. Për shkak të kësaj vazhdimisht po përfitojnë grupet e interesit liderët dhe klanet të cilat janë rreshtuar që dy dekada rreth kryetarit të partisë të cilit i takojnë. Janë bërë të neveritshëm shumë figura të njëjta të cilat që nga pas lufta ulën në bankat e Parlamentit të Kosovës duke përfituar të ardhura të majme personale dhe befinicione tjera të cilat i realizojnë përmes formave më të ndryshme. Këto janë vetëm disa nga elementet, dhe argumentet e gjendjes në Parlamentin dhe institucionet e shtetit. Këta janë barrësit dhe përçuesit e monopoleve të krijuara në dëme të qytetareve duke zhvatur edhe buxhetin e shtetit.

Nga kjo klasë politike me deputetë të njëjtë me nga 3-4 mandate të zgjedhur përmes filtrave të partive politike nuk mund të pritet asgjë e dobishme dhe e mirë për Kosovën. Prandaj përplasjet e fundit në Parlamentin e Kosovës dhe arroganca e të ashtuquajturve “deputet” pa dinjitet, pa moral, pa kulturë, pa edukatë është shprehje dhe pasqyrë e gjendjes në Shoqërinë Kosovare në të cilën po qeverisin dhe sundojnë të pa dijshmit e mjerisht inteligjenca dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve ka ra në gjumë. Ky është mjerimi i Kosovës. Prandaj nuk është e çuditshme kur deputeti pa integritet, e fyen apo e kërcënon Nënkryetaren e Parlamentit të cilës forcat serbe ja vranë po thuajse gjithë familjen, duke e lënë me trauma Saranda Bugujevcin. Ky lloj i deputetëve të cilët janë ndalur nga kazani i shërbimeve të partisë që i takojnë nuk ndjejnë kurrfarë turpi kur e fyejnë në mënyrën më të vrazhdë dhe më primitive Ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvallën për të cilën nuk ka koment për vlerat, dijen dhe kapitalin patriotik dhe kombëtar nga vjen.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat