Krerja e partisë turke Iyi krahason politikat e Presidentit Erdogan me ato të Kryeministrit izraelit Netanyahu. Kreu i shtetit turk akuzon për këtë me fjalë të rënda. Ai kërkon për këtë dëmshpërblim të konsiderueshëm nga opozita.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka hedhur në gjyq një kundërshtare politike rreth krahasimit që i bënë ajo atij, me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Kreu i shtetit po kërkon ekuivalentin e rreth 24,000 eurove dëmshpërblim nga kryetarja e Iyi Partisë ("Partia e Mirë"), Meral Aksener, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu. Aksener tha të martën në parlamentin turk se Netanyahu dhe Erdogan po përdorin taktika të ngjashme për të qëndruar në pushtet.
Veprimet e Netanyahut kundër organizatave militante palestineze në Rripin e Gazës janë të motivuara politikisht, tha udhëheqësja e partisë. Kreu i qeverisë së Izraelit shpreson tash të fitojë popullaritet pasi brenda dy vjetësh pas katër zgjedhjeve parlamentare, nuk kishte arrutur të formonte qeverinë. "Versioni izraelit i Erdoganit - Benjamin Netanyahu, nuk ka hezituar të vërë në shënjestër jetën e civilëve dhe fëmijëve në mënyrë që të eliminojë rivalët e tij politikë dhe të mbrojë mandatin e tij," tha Aksener.
Erdogan i quan izraelitët "vrasës" dhe "terroristë"
Erdogan i përshkroi komentet e Aksener të Mërkurën në mbrëmje si "imorale". "Netanyahu nuk ka qenë kurrë shoku ynë dhe nuk do të jetë kurrë." Presidenti turk kishte kritikuar ashpër qasjen izraelite në Rripin e Gazës. Ndër të tjera, ai akuzoi Izraelin për "terrorizëm" kundër palestinezëve dhe tha se kjo qëndron "në natyrën" e izraelitëve. "Ata janë vrasës, ata vrasin fëmijë që janë pesë ose gjashtë vjeç".
Qeveria amerikane i kishte dënuar deklaratat e tij si "antisemitike". Erdogan mbrojti fjalët e tij në një fjalim televiziv të Mërkurën: "Nëse duhet të paguhet një çmim për të folur për të pafajshmit, ne kurrë nuk do të hezitojmë ta paguajmë atë çmim."
Aksener politikisht nuk është e pa rrezikshme për Erdoganin. Klientelë e saj ka më shumë të ngjarë të jenë votuesit nacionalistë. Ajo tashmë ka një përvojë politike, për shembull ishte Ministre e Punëve të Brendshme e Turqisë. Pas rënies me Partinë e Lëvizjes Kombëtare të krahut të djathtë të Devlet Bahceli, formoi partinë Iyi në 2017.
Meral Aksener nuk është objektivi i vetëm aktual i sulmeve të Erdoganit. Në fillim të majit Erdogan i bëri autoritetet të hetonin kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu, sepse ai pretendohet se u soll me mosrespekt gjatë një vizite në mauzoleumin e Sulltan Mehmetit të II-të vitin e kaluar.
Burimi: ntv.de, als / AFP, nga gjermanishtja Sherif Ramabaja