Kulmet e ngritje-rënieve në marrëdhëniet e Berishës me amerikanët

Opinione

Kulmet e ngritje-rënieve në marrëdhëniet e Berishës me amerikanët

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 24 maj 2021 Në ora: 18:37
Antony Blinken dhe Sali Berisha

Para pak ditësh sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, shpalli në Twitter vendimin e tij për shpalljen e Prof. Dr. Sali Berishës dhe familjes së tij si persona non-grata. Për miqtë e Doktor Berishës ky vendim ishte shokues. Për mua jo. Sepse ish-kryeministri Berisha ka një marrëdhënie unike me SHBA-të. Ai ka arritur kulmet dhe majat më të mëdha në këto marrëdhënie e njëkohësisht është sulmuar deri për zhdukje fizike nga ose me bekimin e disa amerikanëve.

Ai është mik i sinqertë dhe i pashoq i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është patriot, ndaj dhe nuk ka asnjë shans që të kontestojë miqësinë me shtetin amerikan. Ai është I ndjeshëm nga goditja e këtyre ditëve dhe goditjet e së shkuarës nga ana e disa përfaqësuesve demokratë të SHBA-ve, po nuk është mosmirënjohës ndaj shtetit amerikan. Për këtë arsye i ka përjetuar dhe i përjeton çdo ditë me emocion kontributet amerikane për Shqipërinë dhe sidomos për Kosovën. Dhe së fundmi, Sali Berisha miqtë më të mirë të tij i ka në SHBA e thjeshtë për këtë shkak ai kurrë nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë anti-amerikan. Askush nuk mund të presë që ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Shqipërisë të bëhet armik i atdheut të Georg S. e Georg W. Bush, çfarëdo provokimi që mund t'i bëhet nga lobet antishqiptare në Tiranë, Beograd, Moskë e SHBA!

Por zoti Berisha nuk është konformist, pra nuk bën kompromise. Zbaton një kod, të cilin perversët as që mund ta imagjinojnë atë. Ai është kodi i sjelljes korrekte me mikun, i mos diktimit me arrogancë ndaj njëri-tjetrit. Pikërisht ky tipar njerëzor e bën Sali Berishën dinjitoz, e ve atë në partneritet të balancuar me miqtë e tij e të vendit të tij. Pa këtë balancë nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë lloj miqësie afat-gjatë. SHBA-të e dinë se "miqësia" e bazuar në konjuktura është miqësi për përfitime. Prandaj dhe miq si këta të lloji i Edi Ramës janë të përkohshëm. Nëse Juri Kim apo sekretari i Shtetit Blinken do ta sulmonin verbalisht Edi Ramën, ai brenda disa orëve do të gjendej në krevatin e "mullixhisë", pra do shkonte te Erdogani ose Vladimir Putin. Doktor Berisha është tjetër karakter, ka tjetër dinjitet, udhëhiqet nga tjetër filozofi. Kush nuk e njeh filozofinë e zakoneve të Malësisë së Shqipërisë e ka të vështirë të gjykojë se çfarë përfaqëson etika dhe sjellja e Sali Berishës në përgjithësi dhe ajo në marrëdhëniet me vende miq si SHBA-të në veçanti.

Në Shqipëri ballafaqohen dy lloj karakteresh. Karakteri i atyre që e nisën jetën e vet në qytet me një valixhe druri. Dhe karakteri i njerëzve perversë të llastuar nga jeta në bllokun e kurvit. Kësisoj në bllok kurvi prodhoi kurva. U përpoq të indoktrinonte edhe shqiptarët kudo, përfshirë ata të malësisë shqiptare. Por indoktrinimi për ata që hapin sytë dhe shohin të kundërtën merr fund një ditë. Për bijtë e bllokmenëve nuk funksionon kjo metamorfozë. Ata nuk ishin e as janë të indoktrinuar nga ideologjia e kurvit. Janë të indoktrinuar nga pragmatizmi i marrjes ose ruajtjes me çdo mjet e me çdo çmim të pushtetit dhe privilegjeve të tij. Këlyshët e bllokut, nëse Vladimir Putin do të ishte më i pushtetshëm sesa Joe Biden, do të lidheshin brenda natës me Kremlinin dhe do e harronin Amerikën.

Nëse vështrojmë 30 vitet e lidershipit Berisha në politikën shqiptare, atëherë vëmë re se ai është personaliteti dhe udhëheqësi shqiptar që ka shkëlqyer në kulmet e veta të ngritjeve dhe të uljeve si në raport me SHBA-të, ashtu dhe në sytë e publikut shqiptar. Është njeriu i suksesshëm si askush tjetër dhe i anatemuar gjithashtu më shumë se të gjithë tjerët, të marrë së bashku. Është energjik dhe me pasion të pashembullt, ndaj dhe i barrikaduar për ta ndaluar e mundur me një regji të admirueshme prej djalli! Berisha është i papërmbajtur në misionin e tij prej shtetari e lideri politik dhe i sulmuar nën brez e mbi brez për ta ndalur në këtë mision.

Sa kohë që Doktor Berisha ka drejtuar në opozitë apo në mazhorancë, por edhe tetë vitet e fundit në dorëheqje, të gjitha zhvillimet politike e jo politike në vend janë sjell rreth tij. Për pasojë inercia anti-Berishë në Shqipëri mbeti tipari kryesor i zhvillimeve politike për tri dekada radhazi. Dhe përpjekja e tij unikale për mbijetesë është gjithashtu kundërpërgjigjja që ai ka dhënë mbrapsht.

Sali Berisha dhe kundërshtarët e tij politikë në Shqipëri vijnë nga dy botë të ndryshme. Doktori vjen nga bota e virtytit, ndërsa shumica dërmuese e kundërshtarëve të vet nga bota e vesit dhe e perversitetit. Megjithatë duket se përdoruesi i vizave të kokainës" ia hoqi" Sali Berishës vizën për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Kush mendon se ishte sekretari Blinken ai që e realizoi këtë skenar e ka gabim. Blinken thjesht e finalizoi aktin e fundit të lojës së fëlliqur të nisur në Tiranë nga kreu i bandave të kokainës dhe trafiqeve shqiptare. Më tej një dorë kësaj maskarade ia dha presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, si dhe lobet greke e serbe në Uashington. Ndaj dhe kundërshtarët e Sali Berishës u ngutën kur hapën shishen e shampanjës për ta festuar vendimin e sekretarit Amerikan të Shtetit! Me këtë akt ata thjesht e vunë në vështirësi vendimmarrësin! Ndërkohë që festuan perversitetin e tyre!

Por duke mos dashur të ndalem më shumë me atë që ndodhi në finalen e fundit të luftës anti-Berisha, është mirë që publikut t'i përkujtojmë kulmet e mëparshme të suksesit dhe të dramave që ka shkaktuar kjo luftë jo vetëm për personazhin më të spikatur politik të Shqipërisë të post-diktaturës, por edhe për kundërshtarët e tij.

Kur Sali Berisha dhe Partia Demokratike erdhën në pushtet në marsin e vitit 1992 komunistët ishin të trembur dhe të strukur, madje e shihnin veten të mundur keq dhe pa perspektivë. Shkak i kësaj psikologjie të dështimit të komunistëve ishte gjithashtu marrëdhënia e shkëlqyer dhe e veçantë që lideri i demokratëve shqiptarë krijoi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidentin Georg S. Bush. Berisha shënoi rastin e parë në historinë tonë shtetërore kur u prit po atë vit me nderime shtetërore në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Georg S. Bush. Ishte i pari lider shqiptar në histori që fliste me njeriun më të pushtetshëm në botë, madje me pasion, për Kosovën dhe për Shqipërinë.

Edhe personalitete të vendeve më të mëdha nuk ishin pritur në Shtëpinë e Bardhë me ato nderime që u porit Sali Berisha në vitin 1992. Askush tjetër nuk kishte marrë garanci të tilla që në takimin e parë, siç mori presidenti i Shqipërisë demokratike. Askush nuk priste që kreu i shtetit shqiptar t'ia rrëmbente presidentit amerikan angazhimin e tij për ta marrë direkt në mbrojtje Kosovën martire të kërcënuar nga regjimi I egër serb i Sllobodan Milosheviçit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat