Edith Harxhi: Mirënjohje e vonuar

Opinione

Edith Harxhi: Mirënjohje e vonuar

Nga: Melihate Tërmkolli Më: 31 maj 2021 Në ora: 14:18
Melihate Tërmkolli

Në vitet e rënda të Kosovës, në sfidën e madhe të ndërtimit të vendit pas një lufte të rëndë e të tmerrshme të shqiptarëve të Kosovës me okupatorin serb, një grua po e sillte Shqipërinë e shpirtin e shqiptarëve në përkrahje të Kosovës, në ringritjen e saj, në ndërtimin e shtetit e demokracisë në vend. Një nga studentët e demokracisë në Shqipëri që rrëzuan sistemin më të egër komunist, përkrahu Kosovën në mënyra të ndryshme edhe më herët, gjatë dhjetëvjeçarit në bërjen e lirisë e shtetit tonë, në veçanti në internacionalizimin e çështjes së Kosovës, punë e domosdoshme për realizimin e qëllimeve dhe synimeve tona. Tani, pas mbarimit të luftës, ajo ishte vendosur në Kosovë e për Kosovën në kuadër të institucioneve ndërkombëtare (UNMIK), me një zemër të madhe shqiptare.

Edith Harxhi, është emri i saj. Një grua intelektuale, politikane e diplomate me temel e taban krejt kombëtar, thellësisht perëndimor.

Në një periudhë kohe, kur po vendosnim themelet e institucioneve të Kosovës, ishte një çështje që duhej shtruar me tërë peshën dhe rëndësinë e saj që në këto fille. Gratë e Kosovës ishin pjesë përbërëse dhe kontribuese të mëdha në arritjen e lirisë dhe qëndresën madhështore kundrejt okupatorit serb. Atëherë kur filloi ndërtimi i institucioneve dhe mësymja për pushtet, pak kush mbajti mend e vlerësoi kontributin e gruas shqiptare në arritjen e lirisë dhe kontributin e saj historik në qëndresën e kombit.

Në këto rrethana, miratimi i një ligji për barazi gjinore sado që dukej shumë “i hershëm”, në fakt ishte ideja më e qëlluar dhe më kuptimplote në funksion të legjitimimit të tërë kontributit të gruas si pjesë e luftës për liri e çlirim, për demokraci e shtet duke u bërë tani edhe pjesë e institucioneve më të larta politike e shtetërore.

Znj. Edith Harxhi, me tërë përkushtimin bëhet ndër kontribueset më të mëdha në avancimin e pozitës së gruas në institucionet dhe shoqërinë kosovare.

Në këtë frymë, me Edith Harxhin dhe Hasnije Ilazin filluam punën në përgatitjen dhe hartimin e Ligjit për Barazi Gjinore, një punë e madhe, e rëndë, plot sfida, kundërshtime e hezitime të segmenteve të ndryshme të politikës e shoqërisë. Por e bëmë këtë ligj. Ishte ligji i parë i përgatitur nga vetë Kuvendi i Kosovës që bëri ndryshimin e madh në mendësinë politike dhe institucionale të Kosovës duke i dhënë mundësinë e barabartë gruas të shfaqë tërë kapacitetin e saj politik, intelektual e kombëtar në institucionet e vendimmarrjes.

Përcaktimi me ligj i kuotës gjinore për të cilën znj. Harxhi bëri shumë punë, përbën njërin ndër komponentat më të rëndësishme e cila derivoi me pjesëmarrjen masive të gruas në institucione, tanimë duke tejkaluar edhe këtë kuotë.

Falë këtij ligji dhe punës së madhe të vetë grave, Kosova zgjodhi edhe presidente, edhe kryeparlamentare edhe ministre dhe pozita tjera të larta në shumë institucione shterërore si në Kuvend, në Qeveri, në institucionet e drejtësisë dhe institucione tjera të jetës publike.

Në KS të OKB-së, Sekretari Kofi Anan, miratimin e këtij ligji e kishte vlerësuar ndër arritjet më të rëndësishme të Kosovës në atë kohë.

Harxhi ishte personaliteti kyç në themelimin e institucionit më të lartë ekzekutiv në funksion të barazisë gjinore, Zyrës qeveritare për barazi gjinore (Agjencia për Barazi Gjinore) në kuadër të Qeverisë së Kosovës por edhe në themelimin dhe funksioinimin e njësive e mekanizmave të barazisë gjinore në nivel komunal në të gjitha komunat e Kosovës.

Kontributi i znj. Harxhi në avancimin institucional e demokratik të pozitës së gruas mbetet një nga kontributet më të mëdha që ka bërë dikush në këtë fushë në Kosovë. Sigurisht që puna dhe ndikimi i saj në rrjedhat dhe proceset politike në Kosovë, në ndërtimin e shtetit dhe institucioneve demokratike nuk kufizohen vetëm në këtë fushë. Padyshim ajo pati rol të madh në fushën e politikës kombëtare e diplomacisë, në njohjen e shtetit të Kosovës dhe avancimin e vlerave kombëtare e demokratike, vlera perëndimore të rrënjosura në personalitetin e saj tradicional e modern.

Falemnderit Zonja e Madhe, Edith Harxhi! Jam e nderuar që punuam bashkë në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.

Znj. Harxhi është Një: Shqipëria e Kosova!

Një grua, një personalitet si Edith Harxhi, sigurisht është e aftë dhe e zonja të drejtojë edhe parti edhe shtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat