Sot, e gjithherë, në sytë e fëmijëve, në zemrat e tyre, në butësinë e në ëmbëlsinë e tyre shoh piktura shumëngjyrëshe dashurie që i ngjajnë kopshtit me trëndafila shumëpetalësh.
Gjithë dashurinë që kemi për fëmijët dhe përgjegjësinë që kemi ndaj tyre për jetë të dinjitetshme, festa e 1 Qershorit sikur na i përzien buzëqeshjen dhe lotët, sepse fëmijët meritojnë më shumë. Në këtë ditë feste, jo të gjithë fëmijët festojnë, sepse shumicës së fëmijëve u mungon diçka, disave gjithçka. Megjithëkëtë, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, në shumë shtete, gjithashtu edhe në Kosovë, realizohen festime të cilat kanë të bëjnë me rritjen e vëmendjes në drejtim të mirëqenies së fëmijëve.
Kudo nëpër botë ekzistojnë deklarata të shumta dhe të përgjithshme për të drejtat e fëmijëve. Nëse lexohen me vëmendje, të gjithë do të pajtoheshin për të drejtat e proklamuara. Ato duken mjaft mirë të rregulluara me ligje në letër, por ka shumë sfida në implementimin e drejtë të tyre. Kur e lexojmë dhe e analizojmë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, në një kuptim, të gjitha nenet thërrasin për barazinë, zbatimin e drejtësisë, zhvillimin dhe perspektivën për të gjithë fëmijët pa dallime gjinore, racore, fetare, etj. Por, e vërteta qëndron ndryshe. Mjafton vetëm të hapësh televizorin dhe sheh pamje nga më të dhimbshmet të fëmijëve të pastrehë, atyre që jetojnë pa kurrfarë përkujdesje institucionale, sheh fëmijë që ushqehen nga grumbujt e mbeturinave të rrugëve, fëmijë të rraskapitur deri në kockë nga vuajtjet e nga mungesa e gjërave edhe më elementare për jetë, siç janë: ushqimi, uji, streha për banim e shumëçka tjetër. Përderisa në botë, përmes medieve vizuale shohim pamje të trishta të jetës që bëjnë këta fëmijë, bota shpenzon qindmijëshe të dollarve amerikan për forca ushtarake. Vetëm 1 mijë dollar nga ajo shumë do të mjaftonin për të shpëtuar një jetë fëmije.
Ku është ndërgjegjja njerëzore, ku është përgjegjësia institucionale?
Mekanizmat përgjegjës institucional, në nivelin lokal, shtetëror, rajonal e ndërkombëtar, por edhe gjithë shoqëria, a brengosemi se sa është numri i fëmijëve në botë që nuk kanë ushqim ose kequshqehen, sa fëmijë kanë humbur prindërit dhe jetojnë pa kurrfarë përkujdesje, sa fëmijë jetojnë në varfëri, sa fëmijë kanë mbetur jashtë shkollave për arsye të ndryshme, sa është numri i fëmijëve të sëmurë dhe që nuk kanë mundësi trajtimi mjeksor në mungesë të financave, sa fëmijë i hasim në rrugë duke kërkuar lëmoshë, duke bartur mallëra në treg e fëmijë të tjerë që bëjnë jetë në kushte e vende jo të përshtatshme? Madje, shpeshherë, në mungesë mbrojtjeje, fëmijët bëhen viktima të huliganizmit e të shfrytëzimit seksual. A është e moralshme dhe njerëzore indiferenca ndaj atyre fëmijëve?
Fëmijëve nuk duhet kushtuar kujdes vetëm me 1 qershor ose në datëlindje, por duhet të jenë preokupim i përhershëm yni, në mënyrë që të mos shkatërrohet ardhmëria e tyre, sepse edukimi dhe kujdesi ndaj tyre është premtim për perspektivë të sigurtë. Ne, si shoqëri, duhet të angazhohemi për të drejtat e fëmijëve, duke respektuar së pari të drejtat e fëmijëve në familje, në shkollë, në lagje e kudo tjetër, por, njëkohësisht duke informuar ata për të drejtat dhe obligimet që kanë. Fëmijëve u kemi borxh gjërat më të mira që bota i ka! Duhet të u japim sot atë që ata kanë nevojë, nuk mund të u themi pritni nesër, se koha e tyre është sot!
Prandaj, sot, kur fëmijët në Republikën e Kosovës, e pothuajse në gjithë botën kanë përjetuar e po përjetojnë ende izolimin për shkak të virusit Corona, shtoni kujdesin ndaj brishtësisë së fëmijëve! Sikur në një kopsht ku mbillni trëndafila aromëkëndshëm, ashtu mbillni edukim te fëmijët, ushqeni me dashuri, rritni pa ndjenjën e urrejtjes për të tjerët, udhëzoni për punë e arritje të sukseseve me meritë! Mos u falni luks, por faljuni zemër e bindje se jeta është më e ëmbël kur e shijon edhe dhimbjen e “gjunjëve të gjakosur” për të arritur suksese!
Ne, të rriturit, të marrim pak nga ajo butësia e fëmijëve, dashuria dhe përkushtimi që ata kanë për secilin prej neve dhe “t’i kultivojmë” ata trëndafila me emrin e veçantë, FËMIJË.
Gëzuar 1 Qershorin fëmijë! Në çdo cep të globit le të buzëqeshin fytyrat tuaja engjëllore, le t’u gëzohen zemrat e le t’u mbushen shpirtrat me dashuri!