Gazeta kombëtare "Bota sot", vazhdon dekadën e tretë të botimit. Kjo gazetë, si asnjë tjetër, mbuloi hapësirën botërore, kudo që shqiptarët punojnë dhe jetojnë. Me gazetën, sikur u afruan më shumë me Atdheun, për të mos thënë, kishin një Kosovë në miniaturë, në shtëpitë e tyre. Informimi i shpejtë dhe i saktë, i joshi shqiptarët e mërguar të jenë lexues të rregullt.
Kushtet e Pandemisë ndërprenë botimin e gazetës "Bota sot". Kjo ndërprerje ka shqetësuar mërgimtarët e moshuar, të cilët nuk kanë arritur të jenë përdorues të Internetit. Ata ende shpresojnë në rinisjen e botimit të gazetës-letër. Përndryshe, Portali i "Bota sot", është gjetje profesionale, me rubrika të bollshme, me mundësi të shfrytëzimit në kohëzgjatje të mjaftueshme.
"Bota sot" lindi në një kohë zezonë. Edhe pse Kosova jonë, përgjatë viteve 90-a, përjetonte shtypjen dhe provokimet në rritje, në Mërgatë kishte një polarizim të shtuar. LPK-ja, në koordinim me Tiranën zyrtare, rivalizonin Fondin e Qeverisë, të shprehur në 3%-in obligativ, me atë privat të Lëvizjes "Vendlindja thërret". Ky polarizim kulmoi në prag- lufte, për të vazhduar edhe përgjatë gjithë luftës.
Për gazetën kombëtare "Bota sot", asgjë njerëzore nuk është e huaj. Prandaj, kur polarizimet dëmtonin interesat e komunitetit mërgimtar, për më tepër, edhe atë kombëtar, gazeta, me paanësi, mbronte të vërtetën, duke sugjeruar unitetin dhe bashkëjetesën e harmonishme të mërgimtarëve, pavarësisht, përkatësive partiake.
Përcaktimi i gazetës "Bota sot", për parimet si vlerë njerëzore supreme, siç janë:
1) Mbrojtja e së vërtetës, në çdo kohë e rrethanë;
2) Guximi në goditjen e krimit të organizuar, korrupsionit dhe fenomeneve tjera negative, në Kosovën e para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës.
Në historinë e gazetarisë shqiptare dhe atë botërore, gazeta "Bota sot", do të kujtohet për dramat dhe tragjeditë të përjetuara, nga pronari dhe stafi i kësaj gazete, e cila kishte zgjedhur , madje, qëllimshëm, politikën e rrezikshme redaktuese: denoncimin e krimit dhe të kriminelëve, politikë dhe ordinerë.
Një përballje e tillë, disa gazetarëve të "Bota sot", u kushtoi me jetë. Përmendim disa syresh: Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Shefki Popova, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti dhe disa emra tjerë, që deri vonë mendohej se janë vrarë në rrethana tjera.
Përkushtimi i gazetës "Bota sot", për ta mbrojtur të vërtetën, edhe atëherë, kur ajo mund ta vulosë edhe jetën, është unike. Si gjatë luftës, pas luftës, kur vrasjet politike u bënë serike, mediet tjera të Kosovës i jepnin si lajm, pa marrë guximin për t`i adresuar se kush i ekzekutonte ushtarakët luftëbërës të FARK-ut; bashkëpunëtorët e ngushtë të Presidentit Rugova; veprimtarët e LDK-s; kuadrot e hershëm të LPK-së, e deri ke dëshmitarët e Hagës.
Për të gjitha këto krime makabre, "Bota sot", ngriti zërin fuqishëm, duke bërë investigimin nga gazetarë profesionalë, për të denoncuar krimin dhe kriminelët. Dhe, sot, koleksionuesit e gazetës "Bota sot" dhe lexuesit të vëmendshëm, me zhvillimet e reja zyrtare, rezultojnë të sakta shkrimet hulumtuese në dekada të kësaj gazete.
Armiqësia e bandës PAN, ndaj gazetës kombëtare "Bota sot", u shpërfaq në mënyrën më kriminale, me bombën "dhuratë", dërguar në Redaksinë e gazetës. PAN-istët, për të humbur gjurmët e krimit, kishin shkuar larg, deri në fshatrat e Maqedonisë, për ta gjetur terroristin mercenar Lleshi, për ta postuar bombën! Vetëm rastësia, në hapje të paketës, i shpëtoi nga vdekja e sigurt 12 anëtarët e Redaksisë të "Bota sot"!
Fotografitë e kriminelit Lleshi, të bëra me eksponentët e PAN-it, flasin mjaftueshëm për implikimin zyrtar të komandantëve. Një hetim i mirëfilltë, i rastit të bombës, do të zbulonte edhe krime tjera zinxhirore. Gjykimi, dënimi simbolik, i terroristi Lleshi, turpëron Gjykatën, drejtësinë helvetike!
Pavarësisht shantazheve, kërcënimeve, deri në vrasje serike të gazetarëve të "Bota sot", pronari, drejtuesit, stafi i redaktorëve, i gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve numerikë, nuk janë ndalur, nuk janë tërhequr. Përkundrazi, në mbrojtjen e së vërtetës, me guxim e stoikisht, vazhdojnë të hulumtojnë, zbulojnë dhe denoncojnë krimin dhe kriminelët, të cilët bredhin të lirë, sepse mbrohen nga shefat e tyre, të veshur me pushtet dhe kriminelë.
Kombëtares "Bota sot", stafit të saj simpatik, ju urojmë ecje të suksesshme, në misionin e tyre fisnik, nga përvjetori, në përvjetorët tjerë!