Tashmë Qeveria e Republikës së Kosovës po shënon 100-ditëshin e saj, dhe për këtë zërat kritik po dëgjohen vazhdimisht nga ana e opozitës, ndërsa aty-këtu edhe nga disa organizata joqeveritare. Mirëpo, njohësit e sistemit parlamentar rrallë japin mendimet e tyre lidhur me efektin e punës së Qeverisë Kurti II në 3-mujorin e punës së saj. Ndoshta, për faktin se, ata e dinë mirë që në praktikën parlamentare është i njohur "instituti i kursimit të qeverisë për 100 ditët e para" në punën e saj. Ky institut, megjithëse nuk paraqet kategori kushtetuese, as ligjore, është pranuar në praktikën parlamentare dhe paraqet një lloj të besueshmërisë politike e cila i mundëson qeverisë përforcimin e saj dhe fillimin e zbatimit të programit të saj qeveritar.
Transparenca dhe llogaridhënia për veprimet dhe mosveprimet e qeverisë janë parime sipas së cilave duhet funksionuar qeveria. Mirëpo, qeveria për punën e saj është e obliguar të njoftoj parlamentin përmes raporteve periodike për periudhën 6-mujore dhe 1-vjeçare, krahas instrumenteve dhe mekanizmave të tjerë kontrollues, siç janë: pyetjet e deputetëve drejtuar ministrave ose kryeminstrit, si dhe interpelancat ndaj tyre.
Duke analizuar praktikën parlamentare në Republikën e Kosovës, them se, kontrolli parlamentar mbi ekzekutivin ka çdoherë karakter politik, për faktin se në të gjitha legjislaturat parlamenti është shfrytëzuar si arenë e shfryerjes së inateve politike e ndërpersonale, si arenë konfliktesh e qërimi hesapesh, edhe atëherë kur në interpelanca të shumta janë thirrë shumë ministra, të të gjitha qeverive të kaluara dhe kësaj në funksion, por edhe atëherë kur në parlament paraqiten raportet periodike për punën e qeverisë në funksion.
Meqë Republika e Kosovës si shtet dhe qytetarët e saj ende janë në "fushëbetejë" me virusin COVID-19, kjo ia ka vështirësuar punën të gjitha organeve shtetërore, ashtu si edhe qeverisë së vendit, mirëpo ekzekutivi nuk duhet të ngecë në punët e saj, në hapat e suksesshëm në çdo ditë të saj, dhe rezultatet pozitive duhet të shihen, pavarësisht kohës së shkurtë të marrjes së përgjegjësive shtetërore. Pavarësisht se është bërë zakon të vlerësohet puna e ekzekutivit brenda 100-ditëshit të tij, asnjëherë nuk mund të mirret si vlerësim definitiv puna pozitive ose jopozitive e ekzekutivit vetëm në 100-ditëshin e parë të tij, kur dihet se asnjë qeveri nuk e ka "shkopin magjik" të zgjidhjes së çështjeve dhe ndreqjes së punëve për të cilat ka marrë përgjegjësi, mirëpo kjo as nuk duhet t'ia krijoj rehatinë për mosangazhim të çdoditshëm për të mirën e vendit dhe qytetarëve të saj.
Çdo ditë është e vlefshme për të gjithë ne, prandaj sipas përgjegjësive përkatëse, secili dhe të gjithë së bashku duhet punuar për mbarëvajtje në punë dhe për mirëqenien e gjithmbarshme shoqërore. Të gjithë ata që kanë marrë përgjegjësitë shtetërore duhet së pari të ndiejnë përgjegjësi për detyrat që u takojnë, e jo vetëm të shohin privilegjet që mund t'i përfitojnë. Punët dhe çështjet shtetërore janë detyrë me përgjegjësi, brenda normave juridike të cilat përcaktojnë funksionimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, norma këto që nuk kufizojnë periudhën 100-ditëshe për vlerësimin e punës së saj. Meqë në vendin tonë ende nuk është miratuar Ligji për Qeverinë, ekzekutivi funksionon sipas akteve nënligjore, çka edhe ua mundëson secilës qeveri që ato t'i nxjerrin në përputhje me interesat e qeverisë në funksion, përderisa ligji do të normonte saktë funksionimin, përbërjen, detyrat, përgjegjësitë dhe çdo gjë rreth punës së secilës qeveri që do të zgjidhej.
100 ditë janë shumë nëse nuk bëhen punë të mira për vendin, por në anën tjetër, janë pak 100 ditë për punët madhore të cilat duan përkushtim të madh e të gjatë kohor për arritjen e vlershme të tyre. Ky 100-ditësh i funksionimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës le të ketë një 100-orësh analize nga ana e ekzekutivit për numërimin e punëve dhe detyrave të përmbushura, për angazhim në zbatimin e detyrave që kanë përparësi, si dhe për përmirësimin e lëshimeve ose gabimeve eventuale gjatë kësaj periudhe të funksionimit të saj! 100 herë e më shumë mund të flasim për këtë 100-ditësh të punës së Qeverisë Kurti II, 100 herë e më shumë mund të kërkojmë llogari nga ajo, por ekzekutivi nuk mundet as një herë të ikë nga llogaridhënia dhe as një herë të pushoj së punuari sipas detyrave dhe përgjegjësive që i përkasin!