Me Memli Krasniqin kryetar, PDK edhe 20 vjet në opozitë!

Opinione

Me Memli Krasniqin kryetar, PDK edhe 20 vjet në opozitë!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 1 korrik 2021 Në ora: 10:11
Memli Krasniqi

Me 3 korrik pritet të mbahet konventa e PDK-së, ku pritet të zgjidhet edhe kryetari i saj i ri. Ka më shumë se tetë muaj që PDK s’ka kryetar, por ushtrues detyre. Tanimë, në prag të Konventës po flitet për kandidatët e mundshëm, njëri nga ta është edhe Memli Krasniqi.

Përveç Memlit, përflitet se kandidat tjetër do të jetë Enver Hoxhaj, deri tani ka qenë ushtrues detyre. Enveri, nuk ka arritur që të shihet asnjëherë si lider i PDK, duke qenë se si ministër, zv. kryeministër s’ka arritur të korrte ndonjë sukses, përveç skandaleve të shumta. Në fakt, komplet strukturat që kanë qenë vendimmarrëse në PDK s’kanë treguar sukses, me dështimet e shumta të njëpasnjëshme.

Njëri ndër ta, është edhe Memli, i cili s’ka arritur të jetë në strukturat e larta të PDK-së, si rezultat i suksese të tija, e gjitha ishte meritë e babait të tij, një emër i njohur. Me emrin e babait të tij, Memli arriti deri aty sa të jetë edhe ministër, aty ku nuk ka qenë mbresa të mira, me skandalin e fotos së nënës Terezë që e largoi nga ambientet e ministrisë.

Memli, duke treguar urrejtje për të madhen nënë Terezë, ka shpërfaqur figurën e përçarësit të madh të njeriut që nuk arriti asnjëherë të del nga egot e tija. I etur pas mikrofonit, pas të qenit i pranishëm në media, Memli nuk ka arritur asnjëherë të shfaqet njeriu i duhur, i matur, duke qenë një servil i Hashimit dhe Kadriut. Duke qenë i tillë, ka edhe shumë gjasa që të bëhet kryetar i ri i PDK-së, me urdhrin e dhënë nga Kadriu. Konventa bëhet sa për sy e faqe, s’ka demokraci aty, as garë, thjeshtë emërim nga lart për njeriun që me devotshmëri u shërbeu ish kryetarëve të tij.

Duke qenë pjesë e të keqes, e atyre qeverive të udhëhequra nga PDK, ku dëmet e mëdha për Kosovën nuk kanë munguar asnjëherë, Memli nuk bën ndryshimin. Memli është vazhdimi, një kryetar në pritje, një kukull e kurdisur për të kryer punët dhe detyrat që tjetër kush i mbaron dhe udhëheq. Në këtë kuptim, Memli edhe ka shumë shanse që të jetë kreu i ri i PDK-së, me mentalitet të vjetër, me historikun e tij të dështimeve të mëdha në ministrinë e kulturës, Memli s’do të sjell votat për PDK.

Me Memlin, Vetëvendosje rri në pushtet edhe 20 vjet të tjera, ky është njeriu që ia vazhdon qetësinë partisë së Kurtit. Memli Krasniqi vetëm sa do ta vazhdojë agoninë në të cilin PDK ka rënë për shkak të keqqeverisjes, për shkak të dallavereve të shumta.

Tani, PDK po lan mëkatet e saja, mëkate të trashëguara që një kohë të gjatë. Me 3 korrik nuk pritet të ketë ndryshim, veç se vazhdim të një drejtimi të keq nga ana e PDK-së, kësaj partie që Kosova nuk ia pa hajrin asnjëherë. Kjo parti në vend se të mbarte idealet e lirisë, të mos rrëzonte shpresën e Kosovës dhe qytetarëve të saj, është shndërruar në të keqen e madhe të së tashmes dhe të ardhmes së saj. Me 3 korrik, Memli mund të bëhet kryetar, por PDK nuk këndellet me emra të ricikluar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat