Çështja e emërimit dhe dërgimit të ambasadorëve, konsujve stafit diplomatik, po ashtu edhe e atij teknik, të Republikës së Kosovës në ambasadat dhe konsullatave tona në botën e jashtme, përveçse se ka qenë tmerrësisht i keqpërdorur dhe i manipuluar nga udhëheqësit e ish qeverive tona në periudhën pas pavarësimit të Kosovës (17.02. 2008) e deri më sot, ajo ka qenë skajshmërisht e monopolizuar dhe e privatizuar nga tre-katër persona në krye të qeverisë, MPJD dhe nga ish presidenti H. Thaçi, gjë të cilën e dinë i gjithë opinioni kosovar!
Prandaj, me ndryshimin politik në Kosovë, i cili ka ndodhur me 14 shkurt të këtij viti, kur populli votën e tij ia dha gjeneratës së re në krye me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, me shpresën se gjendja e rënd politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë do të ndryshojë rrënjësisht për të mirën e vendit, tani më pas ardhjes së saj në pushtet, është radha që në politikën e jashtme të Kosovës, përveç fillimit të punës me një platformë të re në planin e ndërtimit dhe forcimit të marrëdhënieve të jashtme të Republikës së Kosovës me shtet mike dhe ato të cilat na kanë njohur, por edhe me ato vende që ende nuk na kanë njohur, është çasti i fundit që të bëhen korrigjime thelbësore në këtë resor kyç të shtetit, siç është MPJ-me, veçanërisht kur bëhet përzgjedhja dhe emërimi i ambasadorëve dhe konsujve të rinj, ngase ata, përveç se e përfaqësojnë politikën dhe interesat e vendit të tyre tek shtetet nikoqire ku ata janë të akredituar, në fakt ata duhet të jenë misionarë të vërtetë të kauzës kombëtare shqiptare në Ballkan, ende të pazgjidhur!
Pra, përzgjedhja dhe emërimi i tyre duhet të bëhet domosdo përmes kritereve shumë të ashpra morale, profesionale dhe njohurive të duhura se si funksionin shërbimi diplomatik, e jo siç kanë vepruar mbrapshtë ish qeveritë e mëparshme, duke emëruar dhe dërguar ambasadorë dhe konsuj mbi bazat e lidhjeve familjare, diletant partiak, njerëz të pa ditur dhe pa asnjë ditë përvojë pune në diplomaci, ambasadorë, konsuj dhe staf teknik tejet jo profesionalë si dhe të pa verifikuar moralo-politikisht. Prandaj, kthimin e 13 ambasadorëve që MPJD e bëri para një muaji, e shoh si një hap mjaft pozitiv, mbase edhe si një paralajmërim të mirë se edhe në fushën e marrëdhënieve të Kosovës me botën e jashtme do bëhen reforma tejet të domosdoshme konform rrjedhave dhe ngjarjeve aktuale në botë, me kusht, që sa më i fortë dhe më profesional që të jetë stafi ynë diplomatik në botë, aq më e suksesshme do jetë politika e jashtme e Kosovës, sidomos në planin e arritjes së njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës, një çështje kjo e cila për më shumë se tri vite është lënë krejtësisht pas dore!?
Ndaj, nisur nga kjo që u tha më lartë si dhe nga interesat vitale të Kosovës në arenën ndërkombëtare, siç janë lobimi aktiv për njohje të reja të shtetit tonë, interesat ekonomike dhe tregtare, veçanërisht anëtarësimi i vendit tonë pranë organizatave ndërkombëtare dhe rajonale politike, ekonomike, tregtare, sportive dhe kulturo-arsimore etj., presidentja e Kosovës, kryeministri dhe ministrja e MPJD-së, duhet të kenë shumë kujdes se kënd do ta emërojnë këto ditë për ambasadorë të rinj, sepse nga kjo përzgjedhje do varet shumë prestigji, imazhi si dhe suksesi i politikës së jashtme të Kosovës në botë, por edhe e ardhmja e Kosovës në planin e brendshëm zhvillimor. Sepse, sa më i lartë që të jetë niveli dhe përgatitja shkollore, profesionale, kredibiliteti personal, përvoja në diplomaci, njohja mirë e gjuhëve botërore si dhe patriotizmi i ambasadorëve që do emërohen së shpejti, aq më i suksesshëm do jetë avancimi dhe forcimi i marrëdhënieve të jashtme të Kosovës me botën, sidomos me vendet perëndimore siç është Gjermania, Franca, Anglia, Kanada, Turqia dhe SHBA-të, etj. !