Distancimi i vonuar i PDK-së nga vetvetja..!?

Opinione

Distancimi i vonuar i PDK-së nga vetvetja..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 3 korrik 2021 Në ora: 16:34
Memli Krasniqi

Zgjedhja sot e Memli Krasniqit për kryetar të PDK-së, bazuar në veprimtarinë dhe të bëmat e kësaj partie, qëkur ajo është formuar e deri më sot, në kuptimin politik, por edhe atë praktik, nuk çon tjetër mesazh, përveç se bëhet fjalë për distancim nga e kaluara e saj ideologjike, kombëtare dhe politike!

Mbase, gabimin më të madh politik që ka mundur ta bëjë krahu politik i dalë nga lufta, ka qenë, pa asnjë dyshim, themelimi i kësaj partie, dhe këtë e ka dëshmuar më së miri, miopia politike dhe jo vetëm, e themeluesve të parë të saj, në krye me H. Thaçin dhe Xh. Halitin etj., ngase po ta kishin lexuar dhe kuptuar drejt dhe në kohë të duhur doktrinën e luftës së armatosur, gjegjësisht shndërrimin dhe keqpërdorimin e saj për ambicie dhe luftë politike për pushtet, me siguri se nuk do e bënin një gafë të tillë politiko-taktike, e cila për shkaqe të ambiguitetit të parullës dhe praktikës, për gjoja “ruajtjen” e vlerave të luftës si dhe të logjikës së pabazuar juridike për ngritjen e një shteti të ri nga themelet, ende i panjohur ndërkombëtarisht, e kanë çuar këtë parti, pa diskutim, në dështime politike, nga të cilat në Konventën e sotme të PDK-së, distancimi nga vetvetja ishte i domosdoshëm!

Madje, ish diplomati amerikan z. James Rubin, në vitin 2013 pati deklaruar në Prishtinë; se “krahu i luftës duhet ta kuptojë se është mirë që të largohen nga pushteti sa janë ende popullor dhe të mos presin derisa të bëhet vonë”, dhe, po ta dëgjonin mikun tonë të madh, J. Rubin, për t’u larguar nga pushteti me kohë, sot disa syresh nuk do ishin në burgun Hagës, si dhe të gjithë çlirimtarët do të gëzonin respekt nga qytetarët, të cilin vështirë se do ta gëzojnë më siç e kishin në vitet e pasluftës..!?

Me një fjalë, siç thotë populli ynë; “kur nuk e dëgjon nënën, e dëgjon njerkën..”, prandaj humbja e PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 nuk ishte e rastësishme, shto kësaj dështimet politike dhe gabimet e mëdha juridike të cilat udhëheqësit e kësaj partie i kanë bërë njërin pas tjetrit, siç ishin disa më kryesorët për të cilat sot po e paguan koston;

Pranimi dhe zbatimi i procesit të privatizimit krejtësisht në dëm të territorit të Kosovës, siç ishte formimi i 10 komunave, përkatësisht enklavave të reja serbe në Kosovë. Pra copëtimi i territorit të Kosovës nga brenda,

Mos aftësia e shtrirjes së administrimit dhe qeverisjes qendrore në Veriun e Kosovës si dhe mos reagimi me kohë ndaj bandave kriminale serbe në atë pjesë të vendit,

Nënshkrimi i marrëveshjes në Bruksel i H. Thaçit në vitin 2015 për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila marrëveshje edhe sot është bërë pengesë kryesore për vazhdimin e dialogut normal me Serbinë,

Angazhimi dhe detyrimi i krerëve të PDK-së në krye me kryetarin e saj, H. Thaçin, që me çdo kusht Kuvendi i Kosovës ta aprovon Ligjin për themelimin e Dhomave të Specializuara për Kosovën, për hetimin e “krimeve” të luftës nga udhëheqës të UÇK-së, viktimë i të cilës do bie vetë i pari,   

Nënshkrimi i marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, në Vjenë të Austrisë me 26 gusht 2015, me të cilën këtij vendi fqinj iu falën mbi 8300 hektarë toka të trevës së Rugovës, si dhe ratifikimi i saj nga Kuvendi i Kosovës (mars 2018), për të cilën marrëveshje votuan pa asnjë hezitim gjithë deputet e PDK-së,

Pranimi i bisedimeve me palën serbe për ndryshim të kufijve dhe ndërrim të territoreve, me të cilin kompromis, pavarësia e Kosovës pas 20 viteve u rikthye si temë shqyrtimi në tryezën e bisedimeve, dhe kështu me radhë.

Pra, nuk ka asnjë dilëm, se partinë të cilën sot e mori në dorë gati të rrezbitur, Memli Krasniqi, një adoleshent politik i papërvojë dhe shumë i ri për një post të tillë etj., me siguri, që të gjitha këto gabime dhe dështime fatale politike, kanë bërë që vetë “ujqit e vjetër” nga radhët e kësaj partie, të mos kandidojnë për të parin e saj, mbase besoj se duhet ta kenë kuptuar më në fund porosinë e J. Rubinit, se të qenit e tyre në pushtet nuk do u sjellë më privilegje dhe pasurim të pa kufij, por do jetë ndoshta me rreziqe të reja politike për subjektin partiak, të cilin e kanë mjelë si zogjtë e Ulkojave për më shumë se 18 vite rresht..!?     

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat