Heshtje varri për korrje-shirje, ulërimë e llomotitje për politikë

Opinione

Heshtje varri për korrje-shirje, ulërimë e llomotitje për politikë

Nga: Bejtullah Sokoli Më: 8 korrik 2021 Në ora: 16:50
Ilustrim

Vlojnë e zhurmojnë ditë-natë deri në kupë të qiellit në kanalet televizive në Kosovë për dhe rreth politikës, por për fat të keq asnjë debat nuk iu kushtua fillimit të korrje-shirjeve të grurit dhe sigurimit të bukës së motmotit për banorët e Kosovës. Pra, hesht TV publik(RTK) dhe heshtin edhe ato kombëtare. Tmerr dhe turp.

Mirëpo, turpi më i madh gjithsesi shkon në adresë të Ministrisë së Bujqësisë e cila është shndërruar në memece. Nuk ka asnjë lëvizje nga kjo ministri, thuajse çdo gjë është në rregull, teksa autokombajnat zhurmojnë ndër ara.

 Ministri Faton Peci është i zënë me Listën “Guxo” rreth zgjedhjeve komunale. Jo, kjo është tragjike. Për më shumë asnjë e dhënë nuk ka nga kjo ministri se sa hektarë me grurë pritet të korren kësaj vere, çfarë rendimente priten për një hektar, sa tonë do të vendosen në hambarët e bujqve dhe a do të mund Kosova të sigurojë me bollëk grurë nga arat tona për nevojat e 2 milionë banorëve të vendit.

Apo do të detyrohemi të importojmë si përherë  sasi të mëdha gruri e mielli me çmime të larta nga shtetet e rajonit me qëllim të plotësimit të nevojave të qytetarëve me bukën e motmotit.

 E Qeveria, Kuvendi i Kosovës, Ministria e Bujqësisë, pastaj Federata dhe Sindikata e bujqve të Kosovës si dhe televizionet tona le të vazhdojnë të heshtin në pa kufi për korrje-shirje të grurit, ndërkohë që le të llomotisin dhe ulërijnë deri në kupë të qiellit për dhe rreth politikës në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat