EULEX, historia e një misioni të dështuar

Opinione

EULEX, historia e një misioni të dështuar

Mimozë Lakna, Bota sot Nga Mimozë Lakna, Bota sot Më 12 korrik 2021 Në ora: 16:37
Malcolm Simmons

Ish-kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, raportoi sot në Komisionin për Legjislacion për punën ndër vite të EULEX-it në Kosovë. Raportimi i tij nuk ishte as më pak e as më shumë se sa një “fakt zyrtar” për dështimin e këtij misioni.

Se EULEX-i ka qenë një mision i dështuar, kjo është parë nga rezultatet e pakta që ka treguar prej kur është instaluar në vendin tonë.

Në vend se të ndiqeshin serbët për krime të luftës në Kosovë, “gjahu” i këtij misioni ishin shqiptarët që u ballafaquan me procese të stërzgjatura gjyqësore. E sipas z. Malcolm Simons, këtij misioni i kërkohej ta arsyetonte punën e tij me dënime dhe jo me drejtësi.

Pra, EULEX që kishte për mision sundimin e ligjit, agresorin e bëri viktimë dhe viktimën agresor.

Këtë e vërtetoi edhe deklarata e z. Simmons, i cili tha se është bërë shumë pak në zbulimin dhe hetimin e krimeve të luftës në Kosovë, ndonëse në vitin 2014 ka zbuluar dokumente, ku përfshihen informata për të dyshuarit serbë dhe të gjitha të dhënat personale të viktimave kosovare.

Puna e këtij misioni nuk dha asnjë rezultat as sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Madje dolën dhe pretendime për korrupsion brenda vet EULEX-it.

Ky mision dështoi t`i zbardhte shumë vrasje e krime të organizuara që ndodhën pasluftës në vendin tonë duke i lënë pa përgjigje familjet dhe opinionin. Vrasjet misterioze të veprimtarëve si Xhemail Mustafa, Shaban Manaj, Tahir Zemaj, Bardhyl Ajeti e shumë të tjerë. Si duket këto krime ka pak gjasa të zbardhen edhe nga organet vendore që nuk po tregojnë rezultat në këtë drejtim.

Me të drejtë këtë çështje e ngriti në komision deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

“Nuk na thatë asgjë për krimet e personave politikë, konkretisht të LDK-së dhe përkrahës të presidentit Ibrahim Rugova që akoma janë të pazbuluara në Kosovë. A ka pasur ndërhyrje politike në këtë pjesë, çfarë informacionesh keni ju, nga kush kanë ardhur këto ndërhyrje politike”, tha ai.

Si përfundim, të ashtuquajturit “peshq të mëdhenj” nuk u dit kurrë se cilët janë. Pra misioni EULEX nuk mund të cilësohet si mision për sundim të rendit dhe ligjit, por si mision i dështuar i zhytur në skandale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat