UÇK-ja ishte në Shqipëri, por politika nuk e bashkoi me Ushtrinë Shqiptare!

Opinione

UÇK-ja ishte në Shqipëri, por politika nuk e bashkoi me Ushtrinë Shqiptare!

Prof. Dr. Mehdi Hyseni Nga Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më 17 korrik 2021 Në ora: 17:36
Ushtar i Kosovës

Nuk kemi nevojë t’i bashkojmë dy ushtritë shqiptare, sepse këto veç janë të bashkuara me ushtrinë e Amerikës dhe me ushtritë e NATO-s. Tjetër bashkim  dhe bashkëpunim ushtarak brendashqiptar nuk mund të ketë as de fakto e as de jure.

Derisa Ushtria e Shqipërisë është anëtare e NATO-s nuk ka të drejtë të aderojë në asnjë aleancë tjetër ushtarake. Mirëpo, nëse eventualisht do të shpërthente ndonjë luftë në Kosovë, atëherë, qeveria e Shqipërisë, do të merrte vendimin e saj të ligjshëm se, do të involvohej apo jo në të. Natyrisht në marrëveshje dhe, në bashkëpunim me  Amerikën dhe me NATO-n si pjesë e saj.

Aleancat ushtarake nuk janë parti politike, duke “shëtitur” herë në njërën e herë në tjetrën!

Sikur ushtria e Kosovës të bashkohej me ushtrinë e Shqipërisë, para se të bashkoheshin këto dy shtete, atëherë do të krijohej një aleancë e re ushtarake, të cilën do ta kundërshtonin edhe Amerika dhe NATO-ja, duke qenë se Shqipëria  që nga 4 prilli 2009 është anëtare e Aleancës së Atlatikut Verior. Saktësisht,në kohë paqeje, Shqipëria s’ka të drejtë të hyjë në asnjë aleancë tjetër ushtarake (qoftë edhe ushtria e Kosovës) derisa është anëtare e NATO-s. Dhe, jo vetëm Shqipëria, por asnjë anëtar i NATO-s nuk ka të drejtë ligjore të hyjë në asnjë aleancë tjetër ushtarake derisa formalisht është anëtar i NATO-s.

Pikërisht, pse Kosova është e rrezikuar nga Serbia militariste dhe hegjemoniste ( e mbështetur nga Rusia dhe nga Kina etj.), sa më parë të jetë e mundur, kryedrejtuesit e saj, duhet të ngulmojnë që  Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Kjo është domosdoshmëri me karakter afatjgatë dhe, njëkohësisht me rëndësi parësore kombëtare dhe shtetërore gjithëshqiptare.

Pra, ne duam bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, jo vetëm bashkimin e dy ushtrive, sepe pa bashkimin  paraprak të këtyre dy shteteve, nuk ekziston formë ligjore dhe kushtetuese për bashkimin e dy ushtrive. Madje, edhe në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare, nuk mund të bëhet bashkimi i dy ushtrive të shteteve të ndryshme, pa rregullimin procedural ligjor, kushtetues dhe  juridik ndërkombëtar të shteteve përkatëse të tyre.

Së pari, qeveritë e dy shteteve merren vesh se çfarë modeli (tipi) të bashkimit duan: (1) Union Personal, (2) Konfederatë apo (3) Federatë etj. Pas zgjedhjes së njërit prej këtyre tri (3) modeleve, atëherë, kuptohet se mund të arrihet edhe bashkëpunimi apo shkrirja e ushtrive të tyre në një ushtri të përbashkët.

Ushtria e Kosovës po synon të jetë pjesë e NATO-s, sepse vetëm aty mund të bashkohet me Ushtrinë e Shqipërisë!

Nuk ka dilemë se ideja, propozimi dhe dëshira fisnike dhe patriotike e avokatit Spartak Ngjela për bashkimin e Ushtrisë së Kosovës me Ushtrinë e Shqipërisë kanë qëllim të mirë dhe janë me interes jetik për mbrojtjen dhe sigurinë e dy shteteve shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Kjo do të duhej të ndodhte që në vitet ’90 të shekullit XX, atëherë, kur Kosova u pushtua me tanke, me terror dhe me gjenocid nga ushtritë, nga policitë dhe nga paraushtritë agresive dhe pushtuese të Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999), ku gjetën vdekjen mbi “11.800” civilë shqiptarë; mbi “1647” shqiptarë të zhdukur; mbi “22.0000 femra të dhunuara”, si dhe mbi “1milion” shqiptarë të dëbuar me dhunë, me terror dhe me vrasje nga Kosova në  Shqipëri, në Maqedoni, në Turqi dhe në shtetet e tjera të Evropës dhe të botës.

Sikur Shqipëria me ushtrinë e saj të kishte ndihmuar luftën e UÇK-së (1989-1999), Kosova që atëherë do ishte e bashkuar me Shqipërinë.

Tanimë ky shans ka humbur, nuk kthehet më, mbase kanë ndryshuar rrethanat politike në Evropë. Ajo çfarë vlente në vitet ’90 të shekullit XX, sot, asnjëra prej tyre nuk mund të reprizohet as teorikisht e as në praktikë.

 Që nga Ismail Qemali (28 Nëntor 1912) shqiptarët e Kosovës, janë vrarë, janë maskaruar dhe janë burgosur nga regjimi kolonial gjenocidal i Serbisë, për shkak se pareshtur kanë kërkuar të bashkohen me Shqipërinë!

Mirëpo, historia më se 100-vjeçare provoi të kundërtën, sepse asnjë nga regjimet shtetërore pas Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit nuk e kanë mbështetur kërkesën dhe dëshirën e shqiptarëve të kolonizuar të Kosovës, që të bashkohej me Shqipërinë. Këtë miopi, së fundi e dëshmoi edhe tragjedia e Kosovës nga gjenocidi serbomadh (1989-1999) ngase politika e liderëve shtetërorë të Shqipërisë e pengoi bashkimin e Ushtrisë shqiptare me UÇK-në për t’i shpëtuar mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë nga flaka dhe nga zjarri i gjenocidit serb.

Këtë  shqiptarët dhe UÇK-ja e kërkuan, edhe në luftën e fundit (1989-1999) për ta luftuar Serbinë çetniko-fashiste pushtuese. Mirëpo, politika zyrtare e Shqipërisë pengoi ndërhyrjen luftarake dhe bashkimin e Ushtrisë së saj me UÇK-në dhe me popullin e Kosovës.

Kështu,  në vend të bashkimit të dy ushtrive, UÇK-ja është sabotua, përndjekur, survejuar, penguar, përçarë dhe vrarë brenda territorit shqiptar (kolonel Ahmet Krasniqi vritet në qendër të Tiranës, më 21 shtator 1998; kolonel Ilir Konushefci dhe Dr. Hazir Malaj vriten te Përroi i Poravit, rrethi i Pukës, më 9 maj 1998. Sot, të gjithë këta janë heronj të Kosovës. Mirëpo, qe 23 vjet asnjë gjykatë e Shqipërisë nuk ka ndriçuar këto vrasje me gjithë lutjet dhe kërkesat e familjarëve të tyre në Kosovë dhe në Shqipëri!). Madje, që shqetësimi dhe dyshimi të jetë më i madh, pse qe 23 vjet asnjë nga liderët politikë shtetërorë të Shqipërisë nuk e ngriti zërin e as nuk urdhëroi gjykatat përkatëse për zbardhjen e ligjshme të këtyre tri vrasjeve-atentateve terroriste, të kryera në zemrën e Shqipërisë? Pse qe 23 vjet asnjë  elitat akademike shkencore dhe univeristare nuk ngriti zërin e as nuk kërkuan botërisht denoncimin e autorëve të këtyre vrasjeve tinzare? Gjithashtu, pse qe 23 vjet asnjë nga shoqatat dhe organzitat civile joqeveritare dhe humanitare nuk kërkuan dhe nuk protestuan nëpër rrugët dhe sheshet e Shqipërisë dhe të Kosovës e as në Mërgatën shqiptare zbardhjen e këtyre tri vrasjeve të hernojve të UÇK-së?!

Është e vërtetë se liderët e Shqipërisë kanë pasur shans historik që ta bashkojnë  UÇK-në me Ushtrinë e Shqipërisë dhe, së bashku ta çlironin dhe ta shpëtonin Kosovën nga bandat paramilitare, policore dhe militare vrastare dhe gjenocidale të Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999).  

Mirëpo, kjo mrekulli historike, politike dhe ushtarake nuk ndodhi për shkak se politika zyrtare e Shqipërisë nuk e kishte përfshirë Kosovën në objektivat e saj të interesave prioritare strategjike qoftë kombëtare, qoftë ndërkombëtare.  

Sa më sipër, Ushtria e Kosovës mund të bashkohet vetëm me NATO-n, përkatësisht me ushtrinë e Amerikës, aty ku ndodhet edhe ushtria e Shqipërisë.

Ky është fati ynë i mirë dhe shpresa jonë e vetme dhe reale, mbase pa ndihmën dhe pa mbështetjen e fuqishme të Amerikës dhe të NATO-s, asnjë ushtri tjetër nuk do të mund ta përballonte aleancën ushtarake serbo-ruse-bjelloruse dhe kineze  dhe “bishtat” e tyre sllavo-bizantinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat